Projektligji për Përgjimet Nuk Sqaron Kompetencat e Gjyqësorit

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, duke folur në Emisionin “Jeta në Kosovë”, ka thënë se Projektligji për Përgjimet nuk jep sqarime të qarta lidhur me kompetencat e Gjyqësorit për të urdhëruar përgjimet.

Në projektligj thuhet se përgjimet mund të bëhen me urdhrin nga organet kompetente, duke përmendur Policinë e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Agjencia Kosovare të Inteligjencës, por nuk sqarohen kompetencat e Gjyqësorit.

Por shefi i Zyrës Ligjore të Kryeministrit, Besim Kajtazi, ka thënë se bëhet fjalë vetëm për aspektin teknik të përgjimeve. Ai mohon të jenë mohuar kompetencat e gjyqësorit brenda në projektligj.

Të ftuar në emisionin, ku është debatuar lidhur me Projektligjin për Përgjimet, që është transmetuar të enjten në mbrëmje në RTK, ishin dhe profesori dhe eksperti i terrorizmit, Kolë Krasniqin, i cili ka punuar në grupin punues për draftimin e ligjit, si dhe juristi Kreshnik Gashi, gazetar i emisionit “Drejtësi në Kosovë”.

Ibrahimi ka kritikuar përmbajtjen e nenit 3, 4 dhe 5, në të cilat askund nuk përmenden kompetencat që duhet t’i ketë gjyqësori lidhur me përgjimet.

Bazuar në këtë projektligj parashihet që të krijohet një Qendër Administrative Elektronike brenda Agjencisë Kosovare të Intelegjencës – një institucion që i raporton drejtpërdrejtë Kryeministrit dhe Presidentit të vendit.

Nga kjo qendër brenda AKI-së, bazuar në këtë projekt ligj, parashihet që të kryhen përgjimet telefonike.

Të gjithë mekanizmat e hetimit si prokuroria, policia, doganat, vetë AKI si dhe EULEX-i duhet të kryejnë përgjimet përmes kësaj qendre.

Neni 3 thotë institucionet e autorizuara janë Policia e Kosovës, AKI, Doganat e Kosovës; neni i 4-të thotë: “Punuesi i kësaj qendre pas marrjes së urdhrit të përligjshëm për përgjim nga Institucionet e autorizuara me ligj mundësojnë teknikisht procesin”; kurse neni 5 përcakton se “secili institucion i autorizuar me ligj, duhet të ketë autoritetin nga qendra administrative elektronike e vendosur në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), t’i mundësohet qasja në të gjitha telekomunikimet që ndërlidhen me cakun e përgjimit”.

“Çka është kjo, sinqerisht nuk e kuptoj” është shprehur Hamdi Ibrahimi, i cili nga 1 janari 2013 do të ushtrojë postin e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shefi i Zyrës Ligjore të Kryeministrit. Besim Kajtazi, mohoi të i jenë mohuar kompetencat gjyqësorit. “Ajo është shumë e qartë në Kodin e Procedurës Penale, pa urdhër të Gjykatës nuk mundet me u fillu procesi, edhe atë urdhër për vepra të caktuara. Ajo është shumë e qartë”, tha Kajtazi.

Institucionet që janë të autorizuara për përgjime me këtë projektligj, si Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës, duhet të marrin lejen nga AKI-ja për ta bërë atë.

“Ne nuk mundemi me i garantu askujt që nuk ka me pasë keqpërdorim. Por jemi duke u munduar me i zvogëlu keqpërdorimet që janë në këtë proces. Qendra është element vetëm teknik, pa urdhër nuk mundet me u ba përgjimi”, ka thënë Kajtazi, lidhur me mundësinë e kontrollimit dhe keqpërdorimeve të mundshme.
 
Sipas tij, ky projektligj është në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian për përgjimet telefonike. Kajtazi tha se edhe bashkëpunimi me EULEX-in është i mirë. “Nuk jemi të interesuar që ta kemi një ligj që është në kundërshtim me parimet evropiane. Prej fillimit ka qenë i kyçur edhe eksperti i EULEX-it, dhe unë nuk kam marrë reagim nga EULEX, ne kemi bashkëpunim shumë të mirë”, tha shefi i Zyrës Ligjore në Kryeministri.

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/9_4KcXb18J4″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Besim Kajtazi, barrën për ndryshime i lë parlamentit të vendit, duke thënë se një gjë e tillë ka ndodhur në raste paraprake. “Procesi i finalizimi është edhe filtri i Kuvendit”.
 
Kurse gjyqtari Ibrahimi është shprehur se këtij projektligji i mungon specifikimi i qartë se institucioneve që janë të autorizuara iu duhet një urdhër nga Gjykata për t’i bërë përgjimet. “Unë nuk dua të besoj që ky draft do të kalojë komplet pa vërejtje, në rast se gjykata anashkalohet kështu”.
 
Ibrahimi ka theksuar se ky ligj duhet të jetë shumë i qartë, edhe gjuhësisht edhe juridikisht. “Nuk guxojmë të dalim me asnjë paqartësi. Ky ligj neve na duhet shumë, për të siguruar edhe qytetarët tanë se pas përgjimeve çka do të ndodhë me ato përgjime, si do të bëhet përcjellja e këtyre të dhënave, ku është përgjegjësia”. Prandaj, ai ka kërkuar nga hartuesit e ligjit që ta përmirësojnë dhe qartësojnë ligjin.