Ish-kryetari i Komunës sç Kaçanikut, Xhabir Zharku

Zharkut i Dorëzohet Ftesa për të Shkuar në Burg

Gjykata Komunale në Kaçanik ia ka dorëzuar në shtëpi ftesën ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, që ai të shkojë në vuajte të dënimit prej 3 vjetësh në burg.

Nga shërbimi i gjykatës, ish-kryetarit të Kaçanikut ftesa i është dorëzuar djalit të madh të tij, Mërgimit, meqë Zharku as të mërkurën nuk ishte në shtëpi.

Ramadan Gudaçi, kryetar i Gjykatës Komunale në Kaçanik thotë se në ftesë është precizuar se i dënuari duhet të paraqitet menjëherë në gjykatë për të shkuar në vuajtje të dënimit.

“Edhe në ftesë shkruan se ai ka të drejtë të ankohet ndaj refuzimit që t’i shtyhet shkuarja në vuajtje të dënimit, por kjo nuk e ndalon ekzekutimin”, thotë Gudaçi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nëse ai nuk paraqitet eventualisht gjatë ditës së enjte, atëherë do të ndërmerren masa të tjera ligjore”, tha Gudaçi. Ai nuk pranon të saktësojë se çfarë masash janë ato.

Sipas tij, në ftesë, nuk është e precizuar ora apo data, por personi duhet të paraqitet menjëherë.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Mërgimin, djalin e madh të Xhabir Zharkut, i cili e konfirmoi se ai është personi që në emër të atit, e ka pranuar ftesën e gjykatës.

“Nuk e kam lexuar e nuk di çfarë shkruan sepse ia kemi dorëzuar avokatit”, tha Mërgim Zharku.

I pyetur nëse babai i tij është në Kaçanik, pasi ka disa herë që nuk ndodhet në shtëpi për të pranuar ftesën e gjykatës, Mërgim Zharku tha se –“babai është në Kosovë”.

“Nuk është afër meje, dhe telefonin ma ka lënë mua. Nuk di a vjen në mbrëmje në shtëpi apo jo”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar të martën Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i cili ka deklaruar se  ankesa e Zharkut lidhur me refuzimin e Gjykatës Komunale për shtyrje të ekzekutimit, nënkupton që Gjykata Komunale duhet të presë vendimin nga Prishtina.

“Nëse ne marrim ankesë nga z. Zharku, atëherë Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka afat tri ditë të vendosë për atë ankesë”, tha Ibrahimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Më pas z. Zharku nuk ka më mjete juridike për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit”.
Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006 deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.