Zharku “Nuk Ndodhet në Shtëpi” Ta Pranojë Thirrjen për Burg

Gjykata Komunale në Kaçanik, të martën, ka refuzuar kërkesën e ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për të shtyrë përsëri vuajtjen e dënimit me burg.

Kryetari i Gjykatës Komunale të Kaçanikut, Ramadan Gudaçi, ka konfirmuar këtë për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Sot kam refuzuar kërkesën e Xhabir Zharkut për të shtyer ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme kundër tij. Ky vendim nënkupton që ai duhet të shkojë në burg por pasi ta pranon vendimin personalisht”, tha ai.

Por, të martën fletdorëzuesi i Gjykatës Komunale të Kaçanikut nuk ka mundur t’ia dorëzojë vendimin Zharkut, pasi ai nuk ndodhej në shtëpi.

“Ne do të provojmë përsëri të mërkurën që t’ia dorëzojmë thirrjen për t’u paraqitur për shkuarje në vuajtje të dënimit”, tha Ramadan Gudaçi, kryetar i Gjykatës Komunale në Kaçanik.
 
Sipas tij, nëse deri nesër Zharku nuk do të pranojë ftesën për t’u paraqitur për fillimin e vuajtjes së dënimit, “atëherë do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion”.

Ramadan Gudaçi tha se Zharku ka të drejtë që të ankohet në vendimin e Gjykatës Komunale për refuzimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit.  “Ankesa mund të bëhet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por kjo nuk na ndalon neve që të ekzekutojmë aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, sqaroi ai.

Por, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë thotë se ankesa e Zharkut lidhur me refuzimin e Gjykatës Komunale për shtyrje të ekzekutimit, nënkupton që Gjykata Komunale duhet të presë vendimin nga Prishtina.

“Nëse ne marrim ankesë nga z. Zharku, atëherë Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka afat tri ditë të vendosë për atë ankesë”, tha Ibrahimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Më pas z. Zharku nuk ka më mjete juridike për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit”.

Edhe të martën, Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë përpjekje të kontaktojë Xhabir Zharkun duke i telefonuar, por sërish është përgjigjur Mërgimi, djali i madh i tij.

“Babai është i zënë dhe nuk mund të flasë”, tha ai.

Zharku ka dorëzuar të hënën pasdite në Gjykatën Komunale në Kaçanik kërkesën për shtyrje të shkuarjes në burg, me arsyetimin se ka nënën e sëmurë, ka çështje biznesi dhe se është në pritje të përgjigjes nga Gjykata Supreme e Kosovës, lidhur me ankesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Këto ankesa të martën i ka refuzuar kryetari i Gjykatës Komunale në Kaçanik.

Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006 deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.