KDI: Për Citostatikët Po Jepen 1.2 Milion € më Shumë

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të shpenzojë shumëfish më shumë në tenderin për furnizim me Citostatik, të cilët janë pjesë e Listës Esenciale dhe përdoren për të sëmurët me tumor.

Për dallim nga tenderi i vitit 2010, në tenderin vitit 2012, Ministria e Shëndetësisë do të shpenzojë rreth 1 milion e 300 mijë euro më tepër për këtë medikament. Kjo pasi, janë zëvendësuar dy lloje barnash “Ondansetron” dhe “Granisetron” me llojin e barit “Palonosetron”, i cili është i po të njëjtës familje barnash, por dallimi në çmim është dukshëm më i madh.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar gjetjet në një konferencë për media. KDI saktësoi se ka monitoruar tenderin me numër 206-12-044-111 (Lloti 36), për Furnizim me Citostatik të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

KDI thotë se ka marrë vlerësime nga onkologë, farmacistë dhe farmakologë, të cilët kanë vlerësuar se “Ondansetroni”, “Granisetroni” dhe “Palonosetroni” janë të njëjtë dhe vijnë nga një familje e njëjtë e barnave (e njohur në gjuhën shkencore si “Me Too”), por që dallojnë shumë për nga çmimi. Pra, këto barna nuk janë shëruese, por suplementare dhe shkojnë bashkë me Citostatik, me qëllim të ndalimit të vjelljes së pacientëve që shkaktohen nga Citostatikët. Sipas ekspertëve, “Palonosetroni” është një lloj bari i gjeneratës më të re dhe kushton më shumë.

Në rastin në fjalë, nuk janë marrë parasysh kriteret për përzgjedhjen e një bari, që janë çmimi, profili farmakologjik dhe profili farmakokinetik, thotë kjo OJQ..

Në tenderin e vitit 2010 për Furnizim me Citostatik, MSH për 6 000 njësi ka paguar çmimin 1,32 euro, e që në total ka kushtuar 7 920 euro; kurse në vitin 2012, pasi që është hequr “Ondansetroni” dhe “Granisetroni” nga Lista Esenciale e Barnave, për “Palonosetron” ka paraparë të paguhen 16 000 njësi me çmimin për njësi prej 77,99 euro, ose 1 247 840 në total, ka bërë të ditur KDI.
 
Po ashtu, nga Komisioni Hartues i Listës së Barnave Esenciale është rritur edhe sasia e këtij bari, nga 6 mijë në 16 mijë.

“Po të analizohej buxheti për vitin 2012, nga më shumë se 18 milionë euro për barna, i bie se gati 10 për qind e këtij buxheti është parashikuar vetëm për llojin në fjalë”.

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes një komunikate shtypi, ka thënë se është e përkushtuar për zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe se “tregon ndjeshmëri të lartë ndaj vërejtjeve që vijnë nga shoqëria civile, që e monitorojnë funksionimin e saj”.

“Në rastin konkret, të ngritur sot nga një organizatë e shoqërisë civile, lidhur me zëvendësime të dy llojeve të barit me një tjetër në Listën Esenciale të Barnave, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një çështje e cila ka të bëjë me vlerësim të ngushtë profesional, Ministri Ferid Agani ka kërkuar nga Grupi punues që ka hartuar Listën Esenciale të Barnave dhe nga autoritetet që kanë përcaktuar sasinë e nevojshme të barit sqarime të detajuara lidhur me këtë çështje. Dhe, varësisht nga kjo, Ministri do t’i ndërmarr masat adekuate brenda autoritetit të tij ligjor”, thuhet në njoftimin shpërndarë medieve.
 
KDI-ja pasi ka bërë edhe një hulumtim në lidhje me atë se cilat lloje të këtyre barnave përdoren në vendet e rajonit, vetëm dy shtete e përdorin Palonosetronin, Kroacia dhe Serbia, ndërsa shtetet tjera e përdorin Granisetron dhe Palonosetron, shumëfish me të lira.

KDI rekomandon dhe i bënë thirrje ministrit të shëndetësisë që mos të nënshkruaj kontratën, pa u bërë një analizë e thuktë dhe transparente për nevojën e ndryshimit të këtyre barërave dhe arsyeshmërinë e rritjes së buxhetit nga 7 000 euro në 1 200 000 euro, edhe pse kemi të bëjmë me kontratë kornizë.