KMSHK: Mediat Obligohen të Botojnë Reagimet

KMSHK pasi shqyrtoi ankesën e Agjencisë të Statistikave të Kosovës kundër gazetës “Zëri” lidhur me opinionin e botuar nga një lexues me titull: “Regjistrimit ende s’i dihet fundi”, konstatoi se gazeta “Zëri” është dashur që në mbështetje të Kodit të Mediave të Shkruara (Kreu 4 – E drejta për t’u përgjigjur) të botonte përgjigjen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, meqë në atë mënyrë edhe lexuesit do të fitonin një pasqyrë të plotë duke dëgjuar qëndrimet e të dyja palëve.

Duke shqyrtuar ankesën e zonjës Melihate Tërmkolli kundër gazetës “Zëri” me rastin e botimit të një opinioni me titull: “Ambiciet dhe pastrimi i AAK-së”, me ç’rast ankuesja kërkon që të botohet reagimi i saj, KMSHK-ja mori parasysh arsyetimin e përfaqësuesit të gazetës “Zëri”, i cili tha se përgjigjja e dërguar me e-mail mund t’i ketë arritur redaksisë, por në atë kohë të pushimeve është humbur. KMSHK edhe me këtë rast konstaton se e drejta për t’ përgjigjur është përherë valide.

KMSHK-ja shqyrtoi edhe ankesën e Rifat Sadikut, pronar i firmës “RIAR-ALFIS” kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me disa artikuj që kishin të bënin me një kontest gjyqësor me këtë kompani. KMSHK-ja ka marrë ankesën me të cilën kërkohet botimi i reagimit të tij e që sipas Kodit të Mediave të Shkruara është e drejtë, por se përgjigjja duhet të jetë korrekte dhe e liruar nga çfarëdo lloj fyerjeje të mundshme.

Duke shqyrtuar ankesat e gazetarëve të RTK-së, Fisnik Durguti dhe Gazmend Elshani, kundër gazetës “Zëri” e cila botoi një artikull me titull: “Të dyshuarit për keqpërdorimin e financave të RTK-së” bazuar në një e-mail anonim, ku pos të tjerëve përmenden edhe këta dy emra, KMSHK-ja konstatoi se nuk mund të japë vlerësime rreth përmbajtjes së e-mailit të botuar e aq më pak t’i konsiderojë këta të dyshuar për keqpërdorim, pasi për këto akuza mund të vendosë gjykata apo ndonjë institucion tjetër kompetent. “Zëri” ka botuar përgënjeshtrimet e përgjegjësve të televizionit lidhur me këtë artikull të mbështetur në një e-mail anonim. Ndërsa ankesat e drejtuara kundër portalit “Koha.net” dhe gazetës “Express” lidhur me të njëjtën çështje konsiderohen të pambështetura pasi këto dy mediume kanë shfrytëzuar burimet e gazetës “Zëri” duke i cituar.

Kabineti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës është ankuar kundër gazetës “Lajm” dhe portalit “Indeksonline” lidhur me artikullin: “Mustafa i jep 25 tenderë Mustafës” me ç’rast, siç përmendet në ankesë, gazeta “Lajm” nuk ka botuar reagimin e palës ankuese. Përfaqësuesi i gazetës “Lajm” deklaroi se të gjitha ankesat që i janë drejtuar kësaj gazete kanë të bëjnë me akuzat që janë botuar në “Indeksonline”, e jo në gazetën “Lajm”.

Gjithashtu u tha se gazeta “Lajm” do ta botojë reagimin e Komunës, atëherë kur në atë reagim do të gjendeshin vetëm çështjet që kanë të bëjnë me shkrimin e gazetës “Lajm”, e jo edhe të portalit “Indeksonline”, për ç’gjë ajo nuk mban kurrfarë përgjegjësie.

Sa i përket portalit “Indeksonline”, i cili nuk është anëtar i Këshillit, KMSHK-ja dha opinionin e tij se ky portal duhet ta botojë reagimin e Komunës lidhur me shkrimin e tij.

Duke shqyrtuar ankesën e OJQ-së “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” kundër gazetës “Zëri” lidhur me një artikull të botuar më 2 shtator 2012 me titull: “Serbët e ‘dyshuar‘” ku bëhet fjalë për një Zyrë në ndërtesën e Policisë së Kosovës të cilën kjo OJQ e shfrytëzon tash e trembëdhjetë vjet dhe kërkesën e policisë që ajo hapësirë të lirohet për nevojat e saj, KMSHK-ja konstatoi se artikulli ka të dhëna nga të gjitha palët mirëpo titulli dhe një deklaratë e një polici anonim që le të kuptojë se aty kryhen veprimtari të dyshimta, mund të krijojë shqetësime të ndryshme.

Artikullit i mungon deklarata e zëdhënësit të Policisë i cili do të duhej të prononcohej lidhur me këtë deklaratë të policit anonim, në mënyrë që të sqarohen gjërat. KMSHK-ja konstatoi se në këtë artikull, përmes titullit të paqëlluar dhe kësaj deklarate anonime të policit, është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës, Kreu 1, pika 3 ku thuhet: “Gazetarët dhe redaktorët nuk do të inkurajojnë qëllimisht apo tërthorazi diskriminimin dhe jotolerancën”.