Zharku Duhet të Paraqitet për të Shkuar në Burg

Xhabir Zharkut, ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, i është dërguar të hënën ftesa nga Gjykata Komunale në këtë qytet, të shkojë në vuajtje të dënimit.

Ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, dhe vërtetuar nga ajo Supreme, për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtje pa leje, prandaj është dënuar me 3 vjet burg e 1 500 euro gjobë.

Gjykata Komunale në Kaçanik ia ka dërguar Zharkut ftesën për vuajtje të dënimit, pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ia ka refuzuar për të dytën herë ankesën.
 
Ramadan Gudaçi, kryetar i Gjykatës Komunale në Kaçanik, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se lënda së bashku me vendimin për refuzim të ankesës së qytetarit Xhabir Zharku, i ka mbërritur atij në zyrë të premten pasdite.

“Sot (e hënë) e mora në shqyrtim lëndën dhe e pashë refuzimin që Gjykata e Qarkut në Prishtinë i ka bërë ankesës së  Zharkut. Gjithashtu sot i dërgohet ftesa për t’u lajmëruar në Gjykatë”, thotë Gudaçi.

Ai tha se Xhabir Zharku duhet të paraqitet vetë që të shkojë në vuajtje të dënimit. “Në rast se nuk e bënë, do të ndermerren veprimet  e tjera ligjore”, tha Gudaçi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Nuk ka afat kohor”.

Ndërkohë, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë thotë se në lidhje me këtë rast, tashmë kanë përfunduar të gjitha periudhat ligjore. 

“Kryetari i Gjykatës Komunale mund t’i japë afat tri apo shtatë ditë që personi, në këtë rast Zharku, të paraqitet në Gjykatë që të shkojë në vuajtje të dënimit”, thotë Ibrahimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tha se ankesa e Zharkut për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të bëhet në Gjykatën e Qarkut, por në atë Supreme për shkak se ajo është institucioni më i lartë që ka rikonfirmuar aktgjykimin.

“Sa i përket këtij rasti, ne kemi mbaruar punë. Nëse personi nuk lajrëmohet në afat të caktuar nga kryetari i Gjykatës Komunale në Kaçanik, atëherë lëshohet fletarrest”, thotë Ibrahimi. “Të tjera mundësi ligjore nuk ka”.

I kontaktuar ditë më parë nga Gazeta Jeta në Kosovë, avokati Tahir Rrecaj i cili është përpiluesi i ankesës së Xhabir Zharkut në lidhje me mbrojtjen e ligjshmërisë, ka deklaruar se një veprim i tillë është bërë.
“Por të jem i sinqertë, ankesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, nuke  ndalon ekzekutimin e vendimit”, ka thënë avokati Rrecaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të kontaktojë nëpërmjet telefonit edhe me Xhabir Zharkun, por ndryshe nga herët e kaluara, sot në numrin e tij nuk është lajmruar ai apo nipi, Bedri Elezi, i cili javëve të fundit ka folur në emër të tij.

Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006, deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Gjashtë muaj pas marrjes së vendimit, Zharku ende ndodhet në liri, derisa aktvendimi për ekzekutimin e vendimit pas kësaj kohe, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës ka mbërritur në Gjykatën komunale të Kaçanikut.

Por, me ankesa të ndryshme ekzekutimi i vendimit ka mundur të shtyhet deri më tash.