Qytetaria Aktive do të Stimulohej Edhe me Para

Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, të premten në Prishtinë ka mbajtur konferencën për “Qytetaria Aktive” ku ka publikuar edhe një raport mbi qytetarinë aktive.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Asociacionit të Komunave të Kosovës, nga komunat e rajonit të Dukagjinit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të fshatrave e lagjeve të komunave të rajonit të Pejës dhe të Prizrenit.

Avni Sahiti, drejtor i Departamentit për Hulumtime dhe Reformë të Pushtetit Lokal nga MAPL-ja, tha se “komunat kanë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe mbështetjen e tyre për të rregulluar bashkëpunimin e tyre si komuna me liderët e fshatrave dhe lagjeve urbane, ashtu siç parasheh ligji për vetëqeverisje lokale dhe udhëzimi administrativ”. Sipas tij, MAPL vazhdimisht ju ofron ndihmën që ata kërkojnë.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të pranishëm në këtë takim janë shprehur të shqetësuar se nuk do të mund të zbatojnë rregulloret për bashkëpunim të komunës me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane, pasi që duhet këtyre personave të ju bëhet një lloj pagese, apo stimulimi për angazhimin e tyre që të jenë aktivë.

Zekije Sutaj, nga Zyra Ligjore e Komunës së Istogut, komunë kjo e cila në korrik të këtij viti ka hartuar dhe miratuar rregulloren komunale tha se “kemi miratuar rregulloren, por nuk kemi ndonjë linje buxhetori si mund t’i paguajmë përfaqësuesit që përzgjidhen në fshatra dhe lagje urbane”.

Ajo shtoi se “as në ligjin për vetëqeverisje lokale e as në udhëzimin administrativ nuk specifikohet se në çfarë forme mund të paguhen këta persona”. Sutaj konsideron se Ministria e Financave duhet të ndajë linja të veçanta buxhetore për këtë çështje.

Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e disa fshatrave dhe lagjeve urbane thanë se duhet stimulohen këta liderë apo përfaqësues, pasi që askush nuk dëshiron që të japë më kontribut vullnetar, por për të pasur një qytetari aktive dhe liderë aktive që më kohë adresojnë problematikat e tyre drejt institucioneve duhet paguar apo stimuluar.

Zyrtarët nga Asociacioni i Komunave dhe MAPL-ja janë zotuar se do ta adresojnë çështjen e pagesës edhe në Qeveri që të shikohet mundësi për përmirësimin e bashkëpunimit të komunave me qytetarët e tyre.

Në këtë konferencë është publikuar edhe raporti “Qytetaria Aktive” raport ky i hartuar nga Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, mbështetur nga Olof Palme International Center dhe SIDA.