Kadri Veseli Zyrtarisht Aderon në PDK

(E plotësuar)

Degës së PDK-së në Mitrovicë të premten iu bashkua ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovë (SHIK), Kadri Veseli, i cili zyrtarisht nuk ka qenë pjesë e strukturave partiake.

Veseli u anëtarësua në nëndegën e Bairit.

Gazeta Express raportoi të premten se Veseli u anëtarësua nën praninë e miqve, simpatizantëve dhe disa zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës të lidhur me degën e Mitrovicës si Bajram Rexhepi, Bedri Hamza etj.

Veseli ka thënë se ka nevojë për ndryshime, por se “ato nuk mund të bëhen vetëm nga një njeri”.

“Por mund të bëjmë dallimin, mund të bëjmë njerëzit të lëvizin, për të bërë më shumë për vendin e tyre. Kjo është arsyeje pse i bashkohem vizionit të PDK-së. Jam krenar të jem pjesë e saj. Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për të zhvilluar vendin tonë”, citon Express, Veselin.

Veseli ka lindur në fshatin Broboniq të Mitrovicës, por aktualisht jeton në Bair, që është paralagje e Mitrovicës.

Kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë është Ahmet Tmava, por zyrtarë të PDK-së thanë se ai nuk është duke e ushtruar funksionin, prejse ka marrë detyrën e kryetarit të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

“Të gjithë jemi pasivizuar ngapak në punët partiake, pasi jemi nëpër struktura institucionale”, tha nënkryetari i degës Ukshin Rrecaj.

Nënkryetari i Degës nuk ka dashur të parashikojë nëse Veseli mund të marrë drejtimin e Degës. Por, ai ka thënë se është mëse e qartë se aderimi i “Lulit”, sikur njihet me pseudonim, do ta forcojë shumë PDK-në.

“Në aktivitet partik nuk e njohim atë njeri. Por, e njohim kontributin e tij të madh që ka dhënë për vendin, ia njohim familjen. Është një njeri që e njohin qytetarët…Dhe besojmë do ta forcojë shumë PDK-në”, tha Ukshin Rrecaj.

Rrecaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë se procesi zgjedhor në PDK-në e Mitrovicës fillon javën e ardhshme.  “Ne besojmë se do të fillojmë me zgjedhje të hënën ose të martën”, tha ai.

Ish-shefi i ShIK-ut nuk ka dashur të kooptohet drejtpërdrejt në strukturat udhëheqëse të partisë. Ai do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor, duke filluar nga nëndega e dega, e më pas edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, që pritet të mbahet në dhjetor.