Dr. Beer: Investova 500 Mijë € në Medicus

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kolegji i gjykatësve dëgjoi të martën, përmes videolidhjes, dëshmitarin dr. Manfred Beer, mjek nga Gjermania dhe një ndër aksionarët e klinikës “Medicus”.

Gjermania i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, që t’i ofronte ndihmën juridike ndërkombëtare dhe përmes videolidhjes, gjykata ta merrte në pyetje mjekun Beer.

Fillimisht, dëshmitari tregoi për njohjen e tij me të pandehurin Lutfi Dervishi. Ai tha se atë e kishte njohur që në Mynih, kur ai dhe Dervishi kishin qenë në studime postdiplomike. Dëshmitarit i kujtohej se Dervishi në atë kohë kishte ardhur nga një program i shkëmbimit të studentëve dhe ishte me bursë.

Të dy si urologë kishin punuar në gjetje shkencore dhe në ato klinike. Beer tha se Dervishi kishte qenë shumë i zoti në punën që bënte dhe kishte aftësi të mira në kirurgji.

Pasi qëndrimit dyvjeçar në Mynih, takimet e tyre kishin qenë më të rralla. Ata, kohë pas kohe, ishin dëgjuar në telefon por nuk ishin parë, tregoi dëshmitari. Ai tregoi se si në vitin 1999, gjatë luftës, Lutfi Dervishi e kishte lutur që të shkonte me familje në Gjermani, meqë kishte qenë i rrezikuar në Kosovë.

Dëshmitari tha se pas shumë përpjekjeve ia kishte arritur që ta sillte Dervishin me familje në Berlin të Gjermanisë. Ai tha se dy djemtë e Dervishit kishin shkuar në shkollë dhe se ai vetë i kishte gjetur një apartament për të jetuar.

Beer tha se ka bërë shumë përpjekje që mjekut kosovar t’i gjente një punë si urolog në Gjermani, por nuk kishte arritur.

“Duke e parë se nuk kishte punë, ai bleu një makinë të dorës së dytë dhe disa pajisje mjekësore, me disa medikamente dhe u nis për Kosovë, që atje të ushtronte profesionin e tij”, tha dëshmitari. Ai shtoi se më pas edhe familja e Dervishit ishte nisur në Kosovë.

Beer, Kosovën e kishte vizituar më pas, e kur kishte ardhur kishte parë se Dervishi po punonte si profesor në universitet dhe se kishte hapur një ambulancë në qendër të Prishtinës, nga e cila fitonte.

Dëshmitari tha se Dervishi i kishte përmendur se donte t’ia kthente paratë që ai i kishte shpenzuar për të dhe familjen e tij, porse për këtë i duheshin edhe 20 mijë marka gjermane që ta blinte një pronë e më pas ta shiste, pasi që asaj t’i hipte çmimi.

Beer ia kishte dhënë paratë pasi që i kishte besuar Dervishit, dhe për këto para nuk kishin nënshkruar as kontratë. Ai tregoi se Dervishi e kishte blerë një shtëpi të vjetër dhe tokë, të cilën pas dy muajsh e kishte shitur me fitim.

Por Beer nuk i kishte marrë 20 mijë marka gjermane pasi që Dervishi i kishte treguar për një projekt për hapjen e një qendre medicinale më të madhe, ku ofroheshin pos shërbimeve urologjike, edhe shërbime të tjera.

Ai ishte pajtuar që paratë e tij të investoheshin dhe këtu kishte filluar historia e “Medicus”-it.

Në vitin 2002, një pjesë toke e blerë në largësi prej 1,5 kilometra nga Qendra Universitare, ishte lokacioni i “Medicusit”. Aty u vendosën themelet dhe aty filloi ndërtimi i klinikës.

Kati përdhese i kësaj klinike ishte investuar tërësisht nga Dervishi, por në katin e dytë kishte ndihmuar në investim edhe vetë dëshmitari. Parat e investuara do t’i ktheheshin nga fitimi dëshmitarit. E kur u ndërtua objekti, dëshmitari tha se ai e bleu edhe një tokë përreth objektit që të shfrytëzohet si parking për pacientët.

“Pasi që urologjia ishte hapur, ka pasur shumë propozime se çfarë të hapet në katin e dytë… Kemi menduar ta hapim ortopedi, gjinekologji, transplantim dhe heqje të veshkave, kardiologji dhe kardiokirurgji… Në fund vendosëm që të hapet kardiokirurgjia”, tregoi dr. Beer. Kjo, sipas dëshmitarit, ishte bërë në vitin 2004.

Ai çdo herë i referohej këtij kati si pjesa e tij, pasi që tha se të gjitha investimet që i kishte bërë aty ishin të tij dhe se ato shkonin nga 450 mijë deri në 500 mijë euro.

Dëshmitari tregoi se si në vitin 2003, ai e kishte blerë pajisjen për thyerjen e gurëve në veshka në Gjermani për një shumë prej 120 mijë eurosh dhe se për kompensimin e kësaj shume ai dhe Dervishi ishin marrë vesh që të bëhej nga puna e saj. Por, dëshmitari këtë nuk e konsideronte si investim, por vetëm si blerje për Dervishin.

Dëshmitari tregoi se ai dhe Dervishin kishin qëllim që në kardiokirurgji të sillnin mjekë të huaj për trajtim të pacientëve vendas. Ai tha se kishte filluar kontaktet me Austrinë, ndërsa Dervishi me Italinë, porse suksesin më të madh e kishin pasur me Turqinë.

Në seancë u lexuan edhe disa shkëmbime letrash nëpërmes postës elektronike ndërmjet dëshmitarit dhe të pandehurit Lutfi Dervishi. Në një nga këto letra dëshmitari kërkonte që të dinte se si po shkonte kontabiliteti i klinikës. Për këtë ai tha se nuk ka marrë kurrë një raport.

Dr. Beer në postën e tij elektronike kishte marrë edhe një kërkesë nga Lutfiu, ku ky i fundit e kishte pyetur nëse do t’i shiste aksionet e “Medicusit” dhe e kishte informuar se tanimë ishin kryer dy transplantime të veshkave në mënyrë të suksesshme.

Për këtë letër dëshmitari tha se ka qenë vetëm informues, por shtoi se ai ka qenë çdoherë kundër transplantimit, pasi që në Kosovë nuk ka pasur kushte për transplantim. Sipas tij, për këtë punë duhen kushte perëndimore, të cilat i mungonin “Medicusit”.
Në fund, dëshmitari tha se për ngjarjet në “Medicus” ka marrë vesh në shkurtin e 2009, kur e kishte thirrur në telefon Lutfiun për t’i uruar njëvjetorin e pavarësisë. Ai tha se aty Lutfiu e kishte njoftuar se kishte qenë disa javë në burg dhe se tërë çështja ishte politike. Më pas, ai kishte mësuar çdo gjë nga interneti.

Kryetari i kolegjit u interesua të dinte edhe për atë që thuhej në media se dr. Beer për t’i mbyllur hetimet në Gjermani, të dëmtuarës V. Sh. i kishte paguar 80 mijë euro. Mirëpo avokati i dëshmitarit që ishte prezent gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje tha se nuk është e vërtetë dhe as që dinë për atë nëse ka apo jo hetime ndaj Beerit. Ai shtoi se këto janë ngritur nga mediat vetëm si dyshime.

Gjatë kësaj seance pati edhe momente “interesante”. Një herë në seancë duke fjetur u zu avokati Hilmi Zhitia. Atë nga gjumi e zgjoi kryetari i kolegjit. Por nuk ishin të rralla edhe kotjet e avokatit Fazli Bala. Ai në një pjesë të madhe të seancës mbyllte sytë dhe shpesh zgjohej nga i mbrojturi i tij.

Pas përfundimit të seancës, të pandehurit Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi, si dhe dëshmitarët Shkëlzen Syla dhe Flamur Bogaj dhanë mostrat e tyre të shkrimit për forenzikën.

Seanca e radhës në këtë çështje u caktua për 14 nëntor.