Viti i Ri Akademik Nis me Protesta

Protestës së organizuar nga Parlamentit Studentor, iu janë bashkuar edhe organizata të tjera studentore, si “Studim, Kritikë, Veprim” dhe studentët të tjerë. “Aksioni si sotëm shpreh kundërshtinë ndaj partitizimit të Universitetit. Gjatë aksionit studentor, që u përcjellë me gjuajtje të veve në drejtim të ndërtesës së rektoratit, rektorati vendosi si zakonisht të thërrasë Policinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të SKV-së.

“Policia e Kosovës dërgoi njësitë special të cilat intervenuan brutalisht mbi studentët që arrestuan 7 studentë, e lënduan disa të tjerë”. Sipas SKV-së, intervenimi i organeve të rendit në objektet universitare përbënë shkelje të ligjit për arsim të lartë. “Mjediset e bartësve të Arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç në raste të përcaktuara ndryshe në ligje të veçanta”, citon kjo organizatë studentore, nenin 13, pikën 4.

Për sot ishte planifikuar mbajtja e ceremonisë vitit të ri akademik dhe e pranim-dorëzimit të detyrës së menaxhmentit të ri të UP-së në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë. Pritej të përkujtoheshin edhe demonstratat e vitit 1997 dhe sipas agjendës, ishte paraparë që të merrte pjesë edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Por drejtuesit dhe studentët, fillimisht u mblodh në para hyrjes së kësaj sallës, qysh para nisjes së kësaj ceremonie, duke detyruar organizatorët që ceremonia të mbahej në ambientet e objektit të Rektoratit.

Pas qetësimit të situatës, rektori i ri i UP-së, Ibrahim Gashi, ka komentuar situatën e krijuar nga protesta e studentëve, duke thënë se nuk ishte një hap i mirë, megjithëse e drejta për protestë ekziston. “Ne jemi këtu për studentët e Universitetit të Prishtinës. Por natyrisht se protestat janë legjitime, por nuk duhet ta pengojnë punën e institucioneve”, ka thënë ai, për gazetarët.

Kurse duke komentuar kërkesën e studentëve për shkarkimin e prorektorit Nuri Bexheti, Gashi tha se i gjithë procesi ka qenë i bazuar në ligj.

“Krejt çka mund t’ju them është se i tërë procesi zgjedhor, në të gjitha instancat e tij, duke filluar nga zgjedhjet e studentëve e deri te zgjedhja e prorektorëve, ka shkuar konform Ligjit mbi Arsimin e Lartë, Statutit të Universitetit dhe të rregulloreve në fuqi. Domethënë, çdo gjë ka qenë me bazë ligjore dhe në rastin konkret që po pyesni ju, propozimet e mia për prorektor kanë kaluar me mbështetje, me konsultë unanime në Senatin e Universitetit të Prishtinës”, ka shtuar Gashi.