AAK: Verdikti i Grupit të Gjilanit Është Politik

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar të enjten, AAK-ja, partia e udhëhequr nga i pandehuri në ICTY, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka dyshime se aktgjykimi i marrë nga Gjykata Supreme në Serbi ishte i motivuar politikisht dhe se është pjesë e politikave të Beogradit për të bërë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë.

Të mërkurën, gjykata në Beograd dënoi 11 ish-luftëtarë të UÇK-së, anëtarë të të ashtuquajturit Grupi i Gjilanit me një total prej 116 vitesh burgim, për krime ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Ata u shpallën fajtorë për përdhunimin dhe torturimin e dy grave serbe të Kosovës ndërmjet 17 dhe 23 qershorit 1999, dhe iu dhanë dënime nga 15 deri në 5 vjet burgim. Gjashtë prej të pandehurve u shpallën jofajtorë.

“Vendimi ishte tërësisht politik dhe i padrejtë dhe ka për qellim të destabilizojë dhe të rrisë tensionet në një kohë kur duhet të fillojmë bisedimet ndërmjet dy vendeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të AAK-së.

AAK-ja i bëri apel Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, që të ndërhyjë te organet e tjera ndërkombëtare dhe “të ndihmojë viktimat e politikave të regjimit serb”.

Një OJQ në Kosovë që merret me çështjen e shqiptarëve të zhvendosur nga Lugina e Preshevës, Vatra, thotë se gjykata kishte për synim të krijonte “një psikozë që do t’i bëjë shqiptarët ta largohen nga shtëpitë e tyre”.

“Ka për synim të provokojë reagim nga shqiptarët, që më pas të përdoret si alibi për një sulm tjetër, ose burgim të shqiptarëve. I tregon botës një gënjeshtër duke thënë se kjo është çfarë janë shqiptarët – vrasës, dhe se nuk duan as demokraci, as paqe”.

Gjykata në Beograd arriti në përfundimin se të pandehurit shkelën Konventën e Gjenevës. Një total prej 206 dëshmitarësh u morën në pyetje gjatë rigjykimit në Gjykatën Supreme në Serbi, 179 prej të cilëve ishin viktima dhe familjarë të viktimave.

Më parë, gjykata në Beograd ka dënuar nëntë anëtarë të Grupit të Gjilanit me një total prej 101 vitesh burgim për krime lufte ndaj civilëve, më 21 janar 2011.

Sidoqoftë, Dhoma e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Apelit në Beograd, hodhi poshtë vendimin më 7 dhjetor 2011, dhe e dërgoi rastin për rigjykim.

Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi tha se është e kënaqur me pjesën e dënimit në verdikt, por se do të apelojë lirimin e gjashtë të pandehurve. Avokatët mbrojtës thanë gjithashtu se do të apelojnë në Gjykatën e Apelit.