Kundër Privatizimit të Egër të Pasurisë Publike

Protestuesit, kryesisht punonjës të këtyre tri ndërmarrjeve shtetërore, që kanë qëndruar për rreth një orë  në një mot me shi, i bënë thirrje, edhe njëherë, Qeverisë së Kosovës që ta ndalë privatizimin e këtyre ndërmarrjeve, pasi ka shenja se procesi po zhvillohet mbi baza të një korrupsioni jashtëzakonisht zhvlerësues për këto ndërmarrje.

Protesta e BSPK-së është mbështetur edhe nga një numër OJQ-ësh dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Alush Sejdiu, prezantoi kërkesat kryesore. Ai kërkoi të formohet komision parlamentar për vlerësimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. “Të ndërpritet çdo proces i privatizimit deri në vlerësimin e Komisionit parlamentar për këtë çështje”, tha ai.

“STOP privatizimit të egër të pasurisë publike (është krim ekonomik)”, “Trepça, KEK-u dhe PTK-ja janë pasuri e popullit të Kosovës. Do t’i ruajmë dhe mbrojmë me të gjitha mjetet”, thuhej në disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar.

“Privatizimi i deritashëm ka qenë i dështuar në Kosovë, sepse prodhoi varfëri dhe probleme sociale”, shkruante në një tjetër pankartë.

Organizatorët e kësaj proteste kanë paralajmëruar se nëse nuk ndalet ky proces, kundërshtimin do ta shprehin edhe në “forma të tjera”.

Në fillim të javës, ata kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një peticion me 63 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, për të kundërshtuar privatizimin e paralajmëruar.

Sipas BSPK-së, gatishmëria e qytetarëve për të nënshkruar masivisht këtë peticion, është tregues i qartë që privatizimi i tri ndërmarrjeve të lartcekura është proces që nuk e gëzon mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, nga të cilët kjo qeveri thirret se e ka siguruar legjitimitetin.

Komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, në mbledhjen e së mërkurës ka shqyrtuar peticionin me 63 mijë nënshkrime të BSPK-së lidhur me pezullimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve ekonomike PTK, KEK-ut dhe kombinatit “Trepça”, por nuk ka marrë ndonjë vendim.

“Lidhur me këtë, Komisioni vlerësoi se për këtë  peticion të nënshkruar prej më shumë se 60 mijë qytetarësh, duhet të vendosin Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare”, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës për Informim të Kuvendit.

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës nuk do të diskutojë as të enjten për procesin e privatizimit. Debati për privatizimin e ndërmarrjeve publike ishte paraparë në rend dite, në seancën e së hënës, por ishte shtyrë me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, pasi u tha se mungonin një pjesë e madhe e ministrave.

Me të njëjtin arsyetim, debati i iniciuar nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të mbahet as sot. “Kur Kuvendi i Kosovës mban seancë parlamentare, fillimisht mbahet mbledhja e kryesisë. Mbledhja e kryesisë nuk është mbajtur dhe nuk ka seancë sot”, i ka thënë REL-it, Sherif Konjufca, zëdhënës i Kuvendit të Kosovës.