KFOR: Qeveria Nuk Kërkoi Ndihmë për Zjarret

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowitzki, ka konfirmuar se asnjë kërkesë zyrtare nuk ka arritur në KFOR nga ana e Ministrisë së Brendshme. Sidoqoftë, edhe po të bëhej kërkesa, KFOR-i thotë se tashmë nuk i ka helikopterët e nevojshëm për shuarjen e zjarrit, siç i kishte vite më parë.

“Deri në ora 17 [të së martës] asnjë kërkesë zyrtare nuk ka arritur në KFOR nga ana e Ministrisë së Brendshme. Nuk kemi pranuar gjë. Ajo që kemi hasur është kërkesa nga komunat në baza rajonale, kur autoritetet janë takuar me ushtarët tanë,” ka thënë Uve Nowitzki, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përmes një komunikate dërguar medieve, MPB-ja kosovare ka shkruar se “në mungesë të pajisjeve të mjaftueshme të specializuara për shuarjen e zjarreve, ka kërkuar asistencë nga KFOR-i dhe vendet e rajonit.”
 
Komunikata ishte dërguar ditën e hënë, si një përgjigje ndaj akuzave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka kritikuar qeverinë se është treguar e paaftë për t`u përballuar më gjendjen e rëndë nga zjarret që kanë shkatërruar qindra hektarë pyje në vise të ndryshme të vendit.
 
Ndërkohë, për problemin e zjarreve gjithandej vendit ka reaguar edhe shoqëria civile.
 
Iniciativa për Progres shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret dhe tërheq vërejtjen se pyjet të cilat janë kapluar nga zjarri kanë krijuar një situatë të rëndë në terren.
 
“Përderisa dëmet e shkaktuara janë të parikuperueshme është shumë shqetësuese heshtja e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe normalizimin e situatës”, thotë INPO.
 
Por edhe nëse qeveria do t’i dërgonte një kërkesë formale për ndihmë nga KFOR-i, misioni paqeruajtës ka pak gjasa që t’i dalë në ndihmë, sepse krahas zvogëlimit të numrit të ushtarëve, janë reduktuar edhe kapacitetet e saj në makineri.
 
“Nga perspektiva jonë, është shumë e rëndësishme që publiku ta dijë se KFOR nuk ka më helikopterët e nevojshëm për shuarjen e zjarrit, siç i kishte [vite] më parë”, ka sqaruar Nowitzki.