Deçani Kërkon Mobilizim për Shuarjen e Zjarreve

Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, në një takim që ka pasur të hënën në mëngjes me strukturat përgjegjëse, ka kërkuar mobilizim më të madh për menaxhimin e situatës së krijuar me zjarret në bjeshkët e kësaj komune, të cilat po vazhdojnë qe sa javë.

Sipas një njoftimi për shtyp të Komunës së Deçanit, Selmanaj ka ftuar në takim komandantin e policisë së Deçanit, Sejdi Dobraj; komandantin e zjarrfikësve, Besim Selmanaj; drejtorin e Shërbimeve Publike, Admir Hasanaj; atë të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Nasim Haradinaj dhe udhëheqësin kompanisë “Mali”, Sali Kuçi, për të vlerësuar gjendjen e fundit me zjarret në pyjet e komunës.

“Duhet të provojmë që të mobilizohemi të gjithë që të shuajmë zjarret…Sot nuk do të shpallim gjendje emergjente”, ka thënë Selmanaj.

Është vendosur që për çdo orë, të gjitha ekipet e mobilizuara të japin raport për gjendjen e cila është në terren, në mënyrë që nëse nuk mund të menaxhohet situata, të merren vendime të reja.

Aktualisht, zjarre ka në disa pjesë të bjeshkëve të komunës së Deçanit. Pjesët që janë përfshirë nga zjarre të mëdha janë Shkëmbi i Qelisë, e cila lidh edhe Bjeshkën e Strellcit, dhe vendi i quajtur “Zhare”, në rajonin e Vokshit.

Ekipet e zjarrfikësve të Deçanit dhe 25 punëtorë të kompanisë së kontraktuar nga Komuna, “Mali”, bëhet e ditur se tashmë janë në Bjeshkën e Strellcit dhe te “Qelija”, ndërsa rojet e pyllit dhe banorët e rajonit të Vokshit gjenden në “Zhare”. Njëkohësisht në malet e fshatit Lebushë, vetë banoret janë mobilizuar në shuarjen e zjarrit.

Komuna e Deçanit iu bën thirrje qytetarëve që t’iu bashkohen ekipeve të zjarrfikësve, si dhe kompanisë “Mali” për t’iu ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Ndërkaq, nga ata që frekuentojnë bjeshkët kërkohet të kenë kujdes në ndezjen e zjarreve dhe hedhjen e cigareve, sepse mundësitë për intervenim janë të vogla.