Hoxhaj Vazhdon Lobimin në Ishujt Solomon

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po vazhdon turneun lobues për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën, në shtetet e Oqeanisë.

Ministri Enver Hoxhaj është takuar me Clay Forau Soalaoi, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme të Ishujve Solomon, shtet sovran i cili shtrihet në një numër të madh të ishujve në Oqeani, thuhet në një njoftim të MPJ-së.

Më herët, Hoxhaj kishte takuar homologët nga Fixhi dhe Nauruja.
 
Gjatë takimit me ministrin Soalaoi, kryediplomati kosovar thuhet se ka prezantuar të arriturat në Kosovë dhe progresin që është shënuar në stabilitetin dhe paqen në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, Hoxhaj ka kërkuar nga homologu Forau Soalaoi, që vendi i tij ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
 
“Kosova është e interesuar që të ketë partner të rëndësishëm strategjikë edhe në vendet e paqësorit dhe shtetet e vogla duhet ta ndihmojnë dhe të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në zhvillimet e mëtutjeshme”, theksoi ndër të tjera Hoxhaj, gjatë takimit.

Soalaoi ka thënë se shteti i tij do ta marrë në konsideratë një kërkesë të tillë, duke shprehur simpati të fuqishme për Kosovën e pavarur dhe demokratike.