Eliminohen Elkos, Monaco e Gen-i

Kriteret për të ecur tutje në garë sipas Komisionit Qeveritar të Privatizimit nuk i kanë plotësuar Elkos Group pronë e deputetit të AAK’së Ramiz Kelmendi, Monaco Telecom si dhe kompania “Geni” me bazë në Luksemburg.

Vetëm pesë konkurrentë nga tetë sa ishin interesuar janë para- kualifikuar dhe kanë të drejtë të marrin pjesë në tenderin për shitjën e aksioneve të ndërmarrjës publike të telekomunikimeve.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar se këta pesë operatorë ekonomikë i kanë plotësuar kriteret e parapara në këtë garë publike.

“Kriteret e parapara në thirrjen për parakualifikim kanë mundësuar parakualifikimin e operatorëve të telekomit dhe fondeve investuese që kanë hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me operatorë të telekomit apo që kanë investuar më herët në operatorë të mëdhenj të telekomit”, thuhet në kumtesën për shtyp të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.

Në garë ka mbetur kompania Albright Capital Management LLC e ish-sekretarës amerikane të shtetit Madeleine Albright e cila është në konzorcium me Portugal Telecom, kompania turke “Turkcell”, M1 International Limited nga Libani , konzorciumi i përbërë nga “Twelve Hornbeams” e “Avicena Capital LLC”, i cili ka bashkëpunim me Sofrecom që është pjesë e France Telecom si dhe si dhe  konzorciumi i përbërë nga “Columbia Capital” dhe  “ACP Axos Capital Gmbh”, i cili ka bashkëpunim me “British Telecom” .

Qeveria e Kosovës planifikon të shpallë fituesin brenda këtij viti.

Ministri për Zhvillim Ekonomik Besim Beqaj në një konferencë shtypi të mbajtur të premten ka pohuar se në shtator do të hapet tenderi për shitjën e PTK’së ku do të kenë mundësi të konkurrojnë kompanitë e parakualifikuara.