Geci i Drejtohet të Pandehurit si “Shaban Syliq”

Gani Geci ishte dëshmitari i radhës në rastin e njohur si Bllaca II. Ardhja e tij në gjykatë solli disa probleme. Fillimisht derisa të pandehurit dhe vet Gani Geci po e prisnin ardhjen e kolegjit të gjykatësve, pati ndezje të gjakrave.

Shaban Syla, njëri nga të pandehurit në këtë çështje, pasi që u përshëndet me Gani Gecin, i lëshoi disa fjalë, pas të cilave reagoi Gani Geci duke e ngritur nga pak zërin dhe duke e fyer të pandehurin Syla. Por duke e parë këtë reagim të Gani Gecit, reagoi edhe Esat Geci duke e sharë të pandehurin Syla.

E gjithë ngjarja ndodhi para syve të prokurores dhe policisë. Këta të fundit vetëm reaguan duke i folur me fjalë por nuk ndërmorën ndonjë veprim konkret në qetësimin e situatës.

Situata mbeti e tillë deri sa në shqyrtim nuk erdhi kolegji i gjykatësve, të cilët u vonuan për shumë se 20 minuta duke i pritur njësinë e transportit të të burgosurve që të sjellin Fahredin Gashin e Driton Hajdarin.

Pasi u konstatua se Fahredin Gashi ishte në gjendje të përcillte gjykimin dhe se ai nuk kishte ndonjë ndryshim në gjendjen emocionale të tij, gjykata e vazhdoi procedimin. Pyetjet për dëshmitarin Geci i filloi prokurorja.

Por para se të fillohet me marrjen në pyetjet të dëshmitarit, u ngrit në këmbë Shaban Syla dhe njoftoi kolegjin me atë që i kishte ndodhur para se kolegji të vinte në sall. Syla tha: “Gjyqtar, pak më herët, në prani të prokurores dhe të policisë, Gani Geci dhe një person tjetër në publik që nuk e njoh më shanë me nanë”.

Gani Geci ja ktheu menjëherë: “Nuk të thash asgjë pos që je Syliq, e ke pak emrin si të serbëve, nuk kom çka të bëj”. Këtu u ndërpre nga kryetari i kolegjit, për t’i dhënë pastaj mundësi prokurores që t’i shtrojë pyetje.

Prokurorja e pyeti Gecin lidhur me takimin që ai kishte pas me Nazim Bllacën. “Më kujtohet se ka qenë viti 2009 kur ai më thirri në telefon e të nesërmen u takuam në Skenderaj”, tha Gaci.

“Takimin e realizuam në njërën nga dyqanet e vëllait tim, pastaj derisa po me tregonte për krimet që kishin kryer ai dhe grupi i tij, përmendi edhe Adem Salihajn. Atëherë e ndalova dhe i thash po shkojmë te ai. Dhe kështu bëmë, e mora me makinën time dhe shkuam në Ferizaj, aty u takuam me Salihajn”, shtoi ai.

Geci tregoi se si pas takimit në një lokal të Ferizajt, Salihaj kishte propozuar që të shkojnë në shtëpinë e tij dhe aty ta xhirojnë Nazim Bllacën teksa dëshmon për krimet që i ka bërë, dhe ashtu kishin vepruar.

Pastaj Geci tregoi edhe për CD dhe shpërndarjen e saj, ku një CD ja kishte dërguar edhe kryeministrit Hashim Thaçi, në një takim që kishin pasur. Ai tregoi se EULEX-i CD-në e kishte në posedim më shumë se një muaj para se të bëhet publike.

Gabimi i vetëm sipas Gecit në këtë rast ishte se nuk e kishte kontrolluar Nazim Bllacën para se ta bënin rrugën për në Ferizaj.

Geci tha se informata që më së shumti i kishte lënë përshtypje ishte ajo se “Azem Syliqi, tash Syla, kish dhënë urdhër me e vra mixhën e tij Sefer Sylën”. “Kjo më ka interesuar”, tha ai, “pjesët tjera jo”.

Sipas Gecit, të gjitha këto ia kishte konfirmuar atij djali i Sefer Sylës, Bardh Syla, se si kanë qenë të lëçitur nga pjesa tjetër e familjes deri pas daljes në skenë të Nazim Bllacës.

Pas pyetjeve të prokurores, pyetje shtroi mbrojtja, por gjatë pyetjeve, kryetari i kolegjit iu desh disa herë të mbante në kontroll dëshmitarin Geci, kjo pasi që i njëjti shpesh jepte përgjigje për të cilat nuk pyetej.

Kryetari i kolegjit në një rast i tha se çuditej se si ai kishte qenë një politikan me eksperiencë e që nuk ka durim as që të dëgjojë pyetjet. Por më vonë kryetari i kolegjit i tërhoqi dy herë vërejtjen se mund të dënohet nëse vazhdon të vepronte njëjtë.

Veprimet e Gecit ishin nga më të ndryshme, ai shpesh shtronte pyetje, jepte përgjigje të gjata e të pa nevojshme, ju kthente fjalën mbrojtjes e të pandehurve, e në disa raste edhe ju jepte fjalët e tipit “vazhdo me pyetjet”.

Duke dalë nga salla, Geci pati edhe një konflikt verbal me Shaban Sylën, ashtu që të dy e shanë njëri tjetrin, e gjithë kjo në prani të policisë dhe vet kolegjit e prokurores, por nuk u ndërmor asnjë veprim.

Seanca përfundoi me dëshminë e Gani Gecit, ndërsa në seancën e radhës si dëshmitar do të dëgjohen familjarët e Nazim Bllacës.