Naser Kelmendi, në Listën e Zezë të SHBA-së

Shtëpia e Bardhë e ka sanksionuar, të premten e kaluar, shqiptarin nga Kosova për trafikim droge. Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e ka njoftuar Kongresin se është sanksionuar Kelmendi nën aktin e Kingpinit, i zbatuar nga Departamenti Amerikan i Zyrës së Thesarit të Kontrollit të Pasurive të Jashtme (OFAC).

Kelmendi, 55-vjeçar, qytetar i Kosovës, i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH),  sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit. 

Naseri, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniki, dhe vëllai i tij Beçiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë duke përfshirë hotele, dhe një kompani kamionësh. Ai ka pasur marrëdhënie biznesi me një numër të biznesmenëve me ndikim, duke e përfshirë edhe Fahrudin Radonçiqin, që merret me zhvillim të patundshmërive, i cili gjithashtu zotëron gazetën Dnevni Avaz, dhe është në negociata për t’u bërë ministri i ri i Bosnjës për Siguri.