Polici Dënohet për 5 Euro Ryshfet

Gjykata Komunale në Kamenicë e ka dënuar Mile Filipoviqin, nga komuna e Ranillugut, polic i pikës kufitare Kosovë – Serbi, për shkak të veprës penale “Marrje e ryshfetit në tentativë”. Ai u dënua me 6 muaj burgim, me kusht që brenda një viti të mos kryejë vepër penale tjetër.

Sipas aktakuzës, Filipoviqi më 9 tetor 2003 , rreth orës 20, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” , në Kamenicë, në cilësi të personit zyrtar – polic i SHPK-së, gjatë kryerjes së veprimit zyrtar, ka kërkuar nga të dëmtuarit Agim Krasniqi nga Prishtina, dhe Adrian Kadriu e Lindita Azizi nga Gjilani, nga 5 euro.

Por, të dëmtuarit nuk ia japin parat dhe rastin e lajmërojnë në polici. Gjykata pas dëgjimit të të dëmtuarve, në cilësi të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, e shpalli fajtorë Filipoviqin dhe i shqiptoi dënim me burgim prej 6 muajsh, me kusht, për një vit.

Kundër këtij aktgjykimi, prokurori dhe i dënuari kanë paralajmëruar ankesë.