Çadi e Njeh Republikën e Kosovës

Përmes një note verbale dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Qeveria e Republikës së Çadit ka konfirmuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, ka bërë të ditur MPJ nëpërmes një komunikate shtypi.

“Qeveria e Çadit njofton MPJ të Republikës së Kosovës se Republika e Çadit edhe formalisht njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në notën verbale të Qeverisë së Çadit.

Në fillim të majit, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, kishte pasur një takim në Ambasadën e Çadit në Paris me homologun e tij, Moussa Faki Mahamat.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj kishte marr konfirmimin nga homologu i tij, që Republika e Çadit shumë shpejt do të publikojë vendimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Njohja e Republikës së Çadit vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera të përfshira në procesin e njohjeve po bëjnë përpjekje maksimale për përmbylljen e plotë të këtij procesi”, thuhet në komunikatën e MPJ-së, të lëshuar për media, në orët e mbrëmjes.

Çadi ndodhet në pjesën qendrore-veriore të Afrikës. Çadi në veri kufizohet me Libinë, në lindje me Sudanin, në jug me Republikën e Afrikës Qendrore, në jug-perëndim me Kamerunin e Nigerinë dhe në veri-perëndim me Nigerin.

Republika e Çadit zë një sipërfaqe prej 1,284 milion km2 në brendi të Afrikës Veriore dhe në të banojnë diçka më shumë se milion banorë. Kryeqytet Çadit është N´Xhamena (N´Djamena). Gjuhë zyrtare shtetërore janë frëngjishtja dhe arabishtja. Që nga 1996, sipas kushtetutës së miratuar është një republikë presidenciale.