Hamdi Ibrahimi, Kryetar i Qarkut në Prishtinë

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, njëherit gjykata më e madhe në vend, për dy javë mbeti vetëm me ushtrues detyre, punë të cilën e kryente nënkryetarja dhe gjykatësja Tonka Berishaj.

Nga burime të Gazetës Jeta në Kosovë, merret vesh se gjykatëses Berishaj i ishte ofruar posti i kryetares, por kjo e fundit nuk e kishte pranuar për shkak të angazhimeve që kishte brenda gjykatës.

Kryetari i deritashëm i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Isak Ademi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pasi ka vendosur të bëhet noter.

Para dy javësh ishte afati i fundit për të gjithë ata që kishin kaluar testin për noter, që të përgjigjeshin nëse do të merreshin me noteri.

Vetëm një ditë para përfundimit të afatit për të dhënë përgjigje lidhur me noterinë, ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe e gjykatësit, për të pranuar pozitën e re të noterit, e cila konsiderohet se do të jetë më fitimprurëse financiarisht për të.