Ambasadori Ismaili i Dorëzoi Kredencialet Presidentit Obama

Në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, Ismaili u shoqërua nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Me këtë rast, Presidenti Obama tha se Kosova është shtet i ri me të ardhme premtuese dhe që ka shënuar arritje të mëdha që nga pavarësia e shpallur para katër vitesh. 

“Obama po ashtu shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në kumtesën për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme. 

Po ashtu, Presidenti Obama tha se SHBA do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, që të mund të marrë vendin e saj brenda Europës -e tërësishme, e lirë dhe në paqe.

“Ambasadori Akan Ismaili përcolli përshëndetjet e Presidentes Jahjaga dhe urimet e sinqerta të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në letër. 

Ai tha se Kosova do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta me SHBA-në, bazuar në miqësinë dhe respektin e përhershëm për popullin amerikan dhe qeverinë amerikane.

Që nga arritja e tij në kryeqytetin e SHBA-së, Akan Ismaili i ka dorëzuar kredencialet tek Zëvendëssekretarja e Departamenti të Shtetit, Wendy Sherman.

Ambasadori Ismaili është Ambasadori i dytë i Kosovës në SHBA, pas Avni Spahiut, i cili sapo ka përfunduar mandatin e tij në këtë shtet.