Çeliku Del i Pastër

(E plotësuar) Vapa në sallën e madhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, sot ishte më e pranishme se kurrë më parë gjatë gjykimit, por ajo ishte mbushur plot, pasi po pritej shpallja e aktgjykimit në Rastin Kleçka.

Të pandehurit kishin ardhur më herët, së bashku me mbrojtësit e tyre. Fatmir Limaj, i veshur me rroba “solemne” u ul prapa mbrojtësve të tij, duke pritur vendimin e gjykatës lidhur me akuzat.

Kryetari i kolegjit, pasi që e hapi seancën dhe konstatoi palët, pyeti në kishte dikush ndonjë kërkesë ose parashtresë lidhur me çështjen.

Karim Khan, avokati i Fatmir Limajt, pyeti kolegjin nëse kishin nevojë për ndihmën e tij për të sqaruar përgjegjësin komanduese të Limajt dhe nëse kolegji dëshironte të dëgjonte argumentet e mbrojtjes lidhur me këtë çështje.

Kryetari i kolegjit e ndërpreu duke i thënë: “Zotëri Khan, unë kam përparësinë në atë se e di çfarë përmban vendimi dhe ju nuk keni nevojë që ta bëni një gjë të tillë”.

Kolegji me aktgjykim shpalli të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës, të gjithë të pandehurit, kjo për shkak të mungesës së provave.
 
Edhe gjatë dhënies së arsyetimit të shkurtër, kolegji tregoi se lidhur me Nexhmi Krasniqin ka pasur dëshmi për përgjegjësin e tij komanduese, por kujtoi edhe një herë se prokurori nuk e kishte ndryshuar aktakuzën dhe nuk thirri dëshmitarë.

Kolegji në fund i ofroi mundësi palëve që të paraqesin ankesa në aktgjykim. Por ankesë paralajmëroi vetëm prokurori Maurizio Salustro, i cili tha se “do të paraqesim ankesë për të gjithë të pandehurit”.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk munguan zilet e telefonit që lajmëronin mesazhet e ardhura në telefonat e të pandehurve dhe të publikut.

Por, edhe jashtë të pandehurit u pritën me duartrokitje, sidomos kur jashtë u shfaq Limaj, ish-komandant i UÇK-së, i njohur me emrin e luftës Çeliku.

“Kjo ditë e sodit dhe ky vendim tregon edhe një herë qartë se lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër, një luftë në shërbim të ndërtimit, jo vetëm të kombit tonë, një luftë e cila e ka hap perspektivën e rajonit… Unë jam krenar që kam qenë pjesëmarrës i asaj lufte… Jam krenar për atë çka kam bërë për vendin tim, për qytetarin tim, e po ashtu jam krenar për kontributin që ka dhënë Ushtria e Çlirimtare e Kosovës”, tha Limaj, para gazetarëve.

Ai ka shtuar se tani pas zbardhjes së akuzave kundër tij e meriton të ketë pak qetësi dhe të qëndrojë me fëmijët dhe familjen e tij, ngaqë prej vitit 2009, kur edhe u ngritën proceset ndaj tij, ka humbur tre anëtarë të ngushtë të familjes, dy prindërit dhe gruan.

Më 30 mars, kolegji i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe vendas, vendosi që rasti kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës, të veçohet dhe të vazhdojë gjykimi kundër tyre.

Të pandehurit Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, me 30 mars u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat që ata akuzoheshin.

Edhe pse kolegji, në këtë seancë, kishte kërkuar hapjen e seancës dhe i kishte kërkuar prokurorit që të ndryshojë aktakuzën lidhur me të pandehurit e mbetur si dhe të sjellë listën e dëshmitarëve që do të dëgjoheshin, prokurori nuk e kishte përfillur këtë urdhër, duke kërkuar që të merret vendim për të gjithë të pandehurit.

Kjo përgjigje e prokurorit kishte bërë që kolegji i gjykatësve të shpallë aktgjykimin në Rastin Kleçka.

Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala akuzoheshin se kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë të komunës së Lipjanit.