“Luftëtari” i Korrupsionit Arrestohet për Korrupsion

Policia e Kosovës ka arrestuar dje, me 2 prill, Nazmi Mustafin, shef i task forcës kundër korrupsion nën dyshimet se ka pranuar ryshfet nga Pashk Mirashi, ish-likuidator i Bankës Kreditore të Prishtinës. Mirashi kishte ofruar dëshmi tek prokurorët e EULEX-it.

Mirashi para një viti ishte arrestuar nga policia në bazë të aktakuzës së Mustafit nën dyshimin se në cilësinë e likuidatorit të Bankës Kreditore të Prishtinës, të falimentuar disa vjet më parë, ka keqpërdorur 200 mijë euro.

Së bashku me Mustafin është arrestuar edhe Reshat Zherka ndërsa në kërkim është edhe vëllau i tij, Xhelal Zherka të cilët kishin shërbyer si ndërmjetës të marrëveshjeve të dyshuara të Mustafit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar dje arrestimin e të dyshuarve duke thënë se është në lidhje me një hetim për korrupsion. 

“Veprat që janë duke u hetuar përfshijnë, Shpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit, marrje dhe dhënie e ryshfetit,” thuhet në kumtesën për shtyp të policisë së Kosovës.

Zyrtarët Policor kanë kryer deri dje vonë bastisjet në tri lokacione dhe hetimet janë duke u kryer nga Prokuroria e EULEX-it në Prizren bashkë me Prokurorinë e EULEX-it në Pejë.

Mustafi dyshohet po ashtu edhe për raste tjera për hetime apo të akuzave që ka ngritur duke marrë ryshfet për t’i liruar ata nga akuza.

Mustafi kishte akuzuar edhe ish-guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi ku të pesë akuzat nuk janë konfirmuar dhe i cili është liruar.