Vrasje Mes Kushërinjsh në Strellc

Sami Musaj, 60-vjeçar, ka mbetur i vrarë pas një konflikti mes kushërinjsh në fshatin Srellc i Epërm të Deçanit.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 17:40, ka konfirmuar policia për Gazetën JnK. Sami Musaj është qëlluar nga kushëriri i tij A. Musaj. I plagosur rëndë, ai është transportuar për në Spitalin e Deçanit, ku mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tij.

Për policinë motivet e vrasjes akoma nuk dihen, por nga burime të gazetës, të afërta me familjen, konflikti ka nisur për çështje pronësore.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Pejë, Zeqir Kelmendi, bëri të ditur se A. M. është arrestuar dhe gjendet në ndalim policor prej 48 orësh.

Ndërkohë, është duke u kërkuar edhe një tjetër i dyshuar, për përfshirje në vrasje.

“Fillimisht dy të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Pas një ore, i dyshuari i parë është arrestuar dhe tani jemi në kërkim të personit të dytë të dyshuar për vrasje”.

Policia ka bastisur disa lokacione.