Kryeministri Mustafa Mbyll Llogarinë në Facebook

Zyra e Kryeministrit njoftoi sot se “për shkak të rritjes së numrit të sulmeve ndaj llogarisë së kryeministrit Isa Mustafa në Facebook”, kjo llogari do të deaktivizohet deri në rritjen e masave të sigurisë.

Megjithatë, në momentin e publikimit të këtij lajmi llogaria e Kryeministrit në Facebook ka qenë ende funksionale.

Vendimi erdhi pas disa postimeve të bëra nga llogaria e tij gjatë fundjavës të cilat shkaktuan shumë reagimeve në opinion.

Në njërin nga to, kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt i përmendej liqeni i Radoniqit, pas një deklarate të këtij të fundit se nëse policia arreston deputetët e opozitës, qytetarët do ta arrestojnë kryeministrin Isa Mustafa.

“Gjatë kësaj periudhe, çdo postim apo komunikim për apo në emër të kryeministrit Isa Mustafa nuk paraqet qëndrimet e kryeministrit dhe të njëjtat do të denoncohen në organet kompetente”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke falënderuar përkrahësit dhe të gjithë qytetarët për mirëkuptimin, njofton se me kryeministrin Isa Mustafa mund të komunikojnë në çdo kohë përmes Zyrës për Komunikim Publik në ZKM”, thuhet në këtë komunikatë.