Kryeprokurori Lumezi i Pakënaqur me Luftën Kundër Korrupsionit

Në mbledhjen e KPK-së raportoi Laura Pula koordinatore nacionale në luftë kundër korrupsionit Pula raportoi për Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në luftimin e korrupsionit dhe dukurive tjera negative që filloi së zbatuari në vitin 2013.

Ajo gjatë raportimit këtë plan veprimi e konsideroi të suksesshëm.

Por rezultate nga ky plan nuk pa kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

“Unë nuk po shoh rezultate, ashtu siç thoni ju. Pse kemi lëndë të korrupsionit të parashkruar [vjetruar]. Pse kemi lëndë më shumë në vitin 2013?” tha Lumezi.

Për një lëndë të vjetruar korrupsioni në Gjykatën Themelore të Gjilanit “Drejtësia në Kosovë” bëri një hulumtim në majin e këtij viti.

Sipas Lumezit, lufta jo e efektshme kundër korrupsionit e pengon Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të ligjeve.

Lumezi pas raportimit të koordinatores Pula sugjeroi që t’u rrihet gati dyshimeve për korrupsion që bëhen publike.

“Edhe lëndët e vjetra duhet me u kry, por jo me u dhanë prioritet. Prioritet duhet me u dhanë rasteve që bëhen publike dhe aty duhet me reagu shpejt,” deklaroi Lumezi.