Akademia e Vonuar

Reagimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për zhvillimet e fundit politike në vend, më saktësisht rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe koncesionet që bashkësia ndërkombëtare po e detyron Kosovën t’i bëjë, më shumë hedh në dritë mangësitë e këtij institucioni, sesa që zbulon të metat e zhvillimeve politike në Kosovë.

Janë dy pika dhe një pikëpyetje që përmbledhin reagimet që shkaktoi prononcimi i Akademisë.

E para, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – pa hyrë në debatin pse ekziston ky institucion e ngjashëm – pa dyshim për qytetarin kosovar mbetet adresa me më shumë kredo intelektuale e akademike për të debatuar, për të shtruar pyetje dhe për të ofruar përgjigje për dukuritë dhe zhvillimet që e preokupojnë  dhe  mundojnë qytetarin e Kosovës.

Prandaj, edhe sytë dhe veshët e qytetarëve të Kosovës mbesin gjithmonë të kthyer nga ky institucion, duke kërkuar përgjigje për pyetjet e mëdha. Në këtë pikë prehet dështimi i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ky institucion që duhet të jetë në ballë të debatit shoqëror, duke kërkuar përgjigje në pyetjet më të rëndësishme e më të rënda që e mundojnë shoqërinë kosovare, është pothuajse krejtësisht i padukshëm në këtë debat.

Mediat kosovare mbesin të etura për kontribute të akademikëve, me të cilat këta prezantohen tepër rrallë.  Dhe ndonëse është normale që diskursi akademik të jetë nganjëherë bukur larg realitetit, në kohën kur shoqëria është duke kaluar një krizë, atëherë është obligim edhe profesional i institucioneve si ASHAK-u që të jetë në ballë të debatit që kërkon alternativat më të mira për shoqërinë.

E mangët është edhe faqja në internet e këtij institucioni. Numri i publikimeve të prezantuara aty, është larg kuantitetit që kërkohet nga ky institucion. Për kualitetin është më vështirë të gjykohet. Për shumicën e publikimeve mund të shkarkohet vetëm “përmbajtja” e publikimit që më shumë jep arsye për shqetësim se çfarë do të ketë në përmbajtje. Shumica e publikimeve, sidomos ato që sipas titullit duken më aktualet për Kosovën sot, në fakt nuk mund të shkarkohen fare. Kështu, publikimet e ASHAK-ut mbesin vetëm për ata që janë brenda institucionit dhe larg mundësisë për opinionin që të arrijë deri te to.

Pika e dytë është se vetë reagimi i ASHAK-ut për procesin e dialogut është i vonë dhe i mangët. Pikat e renditura në jo më shumë se dy faqe, nuk thonë asgjë të re që deri tani nuk është thënë. Vërejtjet dhe shqetësimet e shfaqura në këto pika, i kanë shfaqur që një kohë të gjatë si shoqëria civile, si mediat, por edhe vetë partitë politike.

Për më tepër, të gjitha këto pika përbëhen nga një paragraf a dy, pa elaborim me fakte të qëndrimeve të shprehura aty. Nga anëtarët e ASHAK-ut, më shumë se nga kushto tjetër, priten elaborime të thukta dhe bindëse për çështjet e rëndësishme, në këtë rast për mangësitë dhe rreziqet, por pse jo edhe dobitë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përsëri, nuk mund të mos vërehet se të gjitha këto pika janë elaboruar më gjerë nga shoqëria civile, vetë mediat dhe vetë partitë politike që kur ka filluar dialogu mes Kosovës e Serbisë.

E pikëpyetja që shtron ky reagim i ASHAK-ut, është se pse mu tani vendosi të reagojë ky institucion. Pa qenë pjesë e institucionit nuk mund të dihen arsyet e vërteta, prandaj opinionit i mbetet vetëm të spekulojë për arsyet e vërteta të reagimit të ASHAK-ut në këtë çast dhe të shpresojë që kjo është shenjë që më në fund adresa nga e cila pritet më së shumti të jetë prezentë në opinion me publikime e prononcime, ka pranuar të marrë këtë përgjegjësi dhe tash e tutje do të jetë shumë më aktive në debatin në shoqërinë kosovare.

Çdo arsye tjetër përveç kësaj, vetëm sa do t’u çojë edhe më shumë ujë në mulli atyre që vënë në pyetje vetë ekzistimin e këtij institucioni.