Kali i Trojës

Debati për asociacionin e komunave serbe, që është paralajmëruar të ngritet, duket se më shumë është i mbushur me mllef të debatuesve për njëri-tjetrin sesa me argumente për atë se çfarë paraqet ky projekt dhe cilat janë dobitë por edhe rreziqet e tij. Dhe, edhe pse palët duken thellë të përçara rreth kësaj ideje, megjithatë duket se e vërteta është diku në mes.

Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi në Kosovë e lejojnë dhe e rregullojnë formimin e asociacioneve të komunave të Kosovës. Ky është fakt. Kosova ka Asociacionin e Komunave të Kosovës që vepron në përputhje me legjislacionin si një trup që nuk ka pushtet ekzekutiv. Edhe asociacioni i komunave serbe do të duhej të ishte një organizim i tillë, që do të themelohet dhe do të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës që në vete përmbajnë praktikat më të mira ndërkombëtare.

Por, sa është me vend ky konstatim, po aq është me vend frika se ky asociacion mund të kthehet në një Kalë të Trojës për Kosovën dhe një deriçkë nëpërmjet të cilës Serbisë do t’i lejohet që ende të cenojë dhe shantazhojë shtetin e Kosovë në të ardhmen. Deri tani, ndikimi që ka pasur Serbia mbi serbët në veri të Kosovës është kërcënimi kryesor për shtetin e Kosovës. Prishtina u detyrua që zgjidhjen për veriun ta kërkojë në bisedime me Beogradin e jo në bisedime me serbët e Kosovës mu për shkak se Beogradi kontrollon çdo gjë në këtë pjesë të Kosovës. Nëse Beogradi do të vazhdojë të ushtrojë kaq shumë ndikim mbi serbët e Kosovës e rrjedhimisht edhe mbi asociacionin e komunave serbe që është paralajmëruar të krijohet, atëherë frika e disave nga ky organizëm i ri duket se është me vend.

Serbët që jetojnë në veri të Kosovës, të mbështetur me të madhe nga Serbia, vazhdimisht e kanë penguar instalimin e shtetit të Kosovës në këtë pjesë të territorit të vet. Çfarë do të ndodhë nëse kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen? Ky është thelbi i frikës nga asociacioni paralajmëruar. Çfarë do të ndodhë nëse ky asociacion do të vazhdojë të refuzojë të pranojë autoritetet e Kosovës dhe vendimet e Prishtinës? Çfarë do të ndodhë nëse ky asociacion do të shpallë autonomi territoriale apo diçka ngjashëm, gjithnjë i mbështetur nga Serbia? Cilët janë mekanizmat me të cilët Kosova mund të parandalojë këtë skenar dhe cilat janë kundër-përgjigjet që Prishtina do të bënte nëse ndodh ky skenar? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, përgjigje që po mungojnë.

Sigurisht që zgjidhja më e mirë dhe më e lehtë do të ishte që serbët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit të integrohen sa më shpejt dhe sa më shumë në institucionet e Kosovës dhe të kthehen kah Prishtina e jo më kah Beogradi. Por, gjasat që kjo të ndodhë ende janë shumë të vogla. Kosova çfarë është sot dhe zhvillimi i saj i ngadaltë nuk e bëjnë Kosovën më atraktive se Serbia për serbët në veri. Kosova në fakt po dështon të bëhet atraktive edhe për vet shqiptarët e Kosovës të cilët sakrifikuan e luftuan për këtë projekt dhe sot shumë shqiptarëve të Kosovës më shumë u pëlqen një jetë imigranti ilegal diku në Evropë se jeta që kanë në Kosovë.  Ata që nuk e besojnë këtë, mjafton të pyesin ndonjë agjenci turistike se sa kushton të kontrabandohet dikush në Evropë dhe do të shohin se sa të larta janë çmimet për shkak se kërkesa është aq e madhe. Prandaj, gjasat më të mëdha janë që Beogradi do të vazhdojë të ketë veriun e Kosovës “tokë të pëlleshme” për të cenuar shtetin e Kosovës edhe në të ardhmen dhe Prishtina nuk ka mekanizma për të parandaluar këtë apo për t’ju kundërpërgjigjur kërcënimeve që do të vijnë nga ky asociacion në të ardhmen.

Bashkësia ndërkombëtare, që është duke nxituar të arrijë këtë “sukses” sa më parë, pa marrë parasysh grackat e tij, nuk është adresa ku mund të kërkohet zgjidhja as në të ardhmen. Gjasat më të mëdha janë që nëse ky asociacion do të vazhdojë të refuzojë shtetin e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të ndërhyjë përsëri mes Kosovës e Serbisë duke thënë se duhet të merren parasysh qëndrimet e të gjitha palëve dhe të kërkohet një zgjidhje-kompromis tjetër. E Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që vazhdimisht të merret me ndërhyrjet e Serbisë në veri por duhet të përqendrohet edhe në problemet tjera si zhvillimi ekonomik, reforma e sistemit arsimor e shëndetësor e ngjashëm.

Në raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë kur në tavolinë do të jetë çështja e asociacionit të komunave serbe, Kosova duhet të kërkojë që të përcaktohen qartë vijat e kuqe që nuk duhet t’i shkelë Serbia në të ardhmen. Të kërkohet që kryetari i Serbisë si përfaqësues i partisë më të madhe politike që gëzon mbështetjen e gati gjysmës së qytetarëve të Serbisë, të dërgojë publikisht mesazh për serbët e Kosovës që duhet të kthehen kah Prishtina. Më pas, të kërkohen mekanizma që do të elaborohen në marrëveshje që do të kujdesen që Beogradi edhe do të sillet kështu edhe në terren.

Prishtina ka bërë mirë që deri tani nuk ka pranuar ofertën e Serbisë për të biseduar për ulëse në OKB apo ngjashëm në këmbim të autonomisë për veriun e Kosovës. Por, Prishtina duhet të gjejë mekanizma të parandalojë edhe rreziqet tjera të këtij projekti. Vetëm atëherë, asociacioni i komunave serbe vërtet mund të mbetet vetëm një OJQ e jo “Kalë i Trojës” për shtetin e Kosovës.