Po Vjen Era Kanalizim

Qeveria e Kosovës na ftoi në diskutim publik rreth shitjes së kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS). Ftesën ma përcolli një kolege por nuk arrita ta konfirmoj pjesëmarrjen te Qeveria. Sidoqoftë, kur u afrova te recepcioni i Qeverisë për tu paraqitur me letërnjoftim, ata më thanë: “S’kemi nevojë me pa letërnjoftimin se i kemi krejt emrat në listë”. Unë isha e sigurt që emri im nuk ishte në të.

Të njëjtën masë sigurie e kishin aplikuar te përfaqësuesja e Vetëvendosjes e cila erdhi në takim me çantën plot “bombola me erë kundërmuese” që ajo i aktivizoi gjatë takimit pa kurrfarë problemi. Era ishte e padurueshme. Por për nja dhjetë minuta, askush prej sigurimit nuk i ra në fije se çka po e shkakton atë erë dhe morën masa urgjente “sigurie” duke hedhur sprej ajri për ta mbuluar erën.

(Jam shumë kurioze të di se çfarë kemikalesh tjera mund të futen në ndërtesën e Qeverisë pa u vërejtur nga sigurimi. Duke marrë parasysh që numri i të pakënaqurve me Qeverinë vjen duke u shtuar, nuk çuditem nëse gjatë takimit tjetër do të ballafaqohemi me ndonjë lloj gazi helmues).

Në sallë kishte shumë pak përfaqësues të shoqërisë civile, katër veta krejt (nese përfshihet përfaqësuesi i sindikatave) plus gazetarë dhe kameramanë (rreth pesëmbëdhjetë veta) të cilëve s’ju dëgjua zëri. Ndërsa prej institucioneve që e udhëhoqën privatizimin kishin ardhur tre ministra dhe stafi i tyre, përfaqësues të KEK-ut, KOSTTit, IFCsë (ata kanë qenë edhe këshilltarë të transaksionit), USAID-it, zyrës amerikane, zyrës turke, konsulentë të Deloitte, si dhe kompanitë fituese – konsorciumi Turk ‘Calik-Limak’. Këto të fundit do të mbanin prezantim në lidhje me planet e tyre për investime në  KEDS.

Prezantimi nuk ishte shumë i mirë. E kisha përshtypjen që përfaqësuesit e kompanive nuk ishin përgatitë fare për këtë prezantim. Ata nuk e kishin fort të rëndësishme t’i bindin sindikatat dhe shoqërinë civile që ta përkrahin këtë shitje të KEDSit. Ata kishin kryer punë me Qeverinë dhe ky farë diskutimi publik u bë sa për sy e faqe. Që është pak e çuditshme marrë parasysh rezistencën e madhe që opozita ia kishte bërë shitjes në parlament një ditë më parë.

Sidoqoftë, u thanë gjëra interesante. Po i veçoj tri.

Investimet e parapara – gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme, ata supozojnë se do t’i investojnë rreth 200 milionë euro në zëvendësimin e rrjetit, ndërsa100 milionë euro tjera në zgjatjen e rrjetit dhe në ‘smart grid’ (sistem për mbledhjen e informatave nga konsumatorët dhe ofertuesit e energjisë, që shfrytëzohen për të marrë masa në rritjen e efiçiencës).

Por, thanë prezantuesit, që duhet ta kemi parasysh se ata nuk i kanë bërë studimet e nevojshme për dobësitë e KEDS-it. Këto studime do t’i fillojnë në vitin 2013 dhe vetëm pasi që të dalin rezultatet e studimit do të mund të vendosin se çfarë investimesh do të bëhen.

Kjo do të thotë se nëse kompanitë vendosin t’i investojnë 300 milionë euro për pesëmbëdhjetë vite, siç ka paralajmëruar Qeveria kur mundohet ta arsyetojë shitjen, kjo përkthehet në investime vjetore prej 20 milionë eurosh, të cilat do të nxirren nga KEDS-i (apo më mirë të themi nga konsumatorët që do të paguajnë për rrymën e cila parashihet të shtrenjtohet çdo vit). Ta qartësojmë pra një gjë: këto investime nuk do të vijnë nga Turqia por do të gjenerohen në Kosovë.

Përveç kësaj, ata ishin shumë të qartë kur u shprehën se sasia e investimeve do të varet nga studimi që ata do ta bëjnë vitin e ardhshëm, pasi që ta nënshkruajnë kontratën me Qeverinë. Që më la mua të kuptoj se kjo sasi e investimeve mund të rezultojë shumë më e vogël se 300 milionë euro.

Mirëpo çuditërisht, i njëjti prezantim e la Qeverinë të deklarohet se kjo sasi e investimeve do të shkojë deri në 500 milionë euro. Në websajtin e MZHE-së shkruan se kompanitë premtuan: “…deri në 500 milionë investime, nga të cilat 200 milionë në rrejtin aktual të shpërndarjes së energjisë, uljen vjetore të humbjeve për 3 për qind dhe mbajtjen e burimeve njerëzore duke avancuar përgatitjet e tyre përmes trajnimeve profesionale”.

Inkasimi  i dobët – prezantuesit folën për Mitrovicën si vend pa stabilitet politik ku do të jetë vështirë për ta inkasuar rrymën. Aty, ata thanë, do ta bëjnë një “zgjidhje lokale”. Unë nuk arrita të marrë vesh se cila është ajo zgjidhja lokale që kjo kompani private do ta zbatojë që ta tejkalojë problemin në Mitrovicë, kështu që ia shtrova si pyetje Ministrit Beqaj. Ai e dha një përgjigje e cila nuk e adresoi punën e Mitrovicës.

(Sa për informatë, rryma e pa-inkasuar shkon deri në 30 milionë euro në vit, pra 10 milionë më shumë se që supozohet të investohet në KEDS çdo vit).

Auditimi i IFC-së – Bernard Atlan (përgjegjës për projektin e shitjes së KEDS-it) i foli dy fjalë në fillim të takimit. Tha që po i vjen shumë mirë që procesi i shitjes ka shkuar mirë. Nuk e përmendi që Autoriteti i Ankesave / Ombudspersoni i IFC-së është duke e audituar punën e tij në lidhje me këtë projekt. Ata do ta shohin nëse Atlan-i i ka përcjellur rregullat dhe praktikat e mira të IFC-së kur e ka këshilluar Qeverinë për këtë shitje.

Ministri Beqaj tha se kjo nuk e dëmton procesin që e ka përcjellur Qeveria deri në shitjen e KEDS-it. E unë prapë nuk po e marrë vesh se si mund të jetë kjo e vërtetë. Në websajtin e IFC-së shkruan se aktivitetet para-implementuese të IFC-së përfshijnë: “due diligence (hulumtimet për kompanitë blerëse dhe ato që shiten, për të parë nëse blerja është e përshtatshme), reklamimi i KEDS-it te investitorët potencialë, përgatitja e strukturës së transaksionit dhe implementimi i procesit të ofertimit”. Qeveria e ka zgjedhur IFC-në për t’i kryer këto punë për shkak të praktikave të tyre të mira. E nëse ata nuk i kanë përcjellë ato praktika gjatë organizimit të procesit të shitjes së KEDS-it, atëherë definitivisht kjo do të thotë që procesi i shitjes nuk ka qenë i mirë.

Gjatë gjithë diskutimit vinte era kanalizim. Dola prej aty e bindur që shitja e KEDS-it, me çmim marramendësisht të ulët, pa siguri të investimeve, pa plan për inkasim dhe me procedura që po auditohen për parregullësi, nuk guxon të shkoj përpara.