“Të jesh apo të Mos Jesh. Kjo Është Çështja?”

Në kolumnen time të parë shkruajta se sa shumë më kënaqin teatri, baleti dhe mbrëmjet letrare. Pastaj në çdo të dytën ose të tretën kolumne shkruajta për kulturën, për atë se sa më mungon jeta dhe përmbajtjet kulturore. Po të pyetesha unë, dita do të dukej kështu: 8 orë punë, tetë orë kulture dhe tetë orë gjumë. 

Me vite në Graçanicë nëpër ngjarje kulturore, edhe pse të rralla, takohem me të njëjtit njerëz. Aty-këtu mund të shihet ndonjë person i ri, zakonisht mysafir, ose kalimtar. Por në përgjithësi përafërsisht nëpër ngjarje të tilla marrin pjesë 20-30 njerëz. 

Shpesh më ndodh që nëse nuk mundem ta bind tërë familjen time për ta shikuar ndonjë shfaqje, koncert të etno-muzikës, paraqitje të ansambleve folklorike, në të njëjtat ngjarje shkoj vetëm. 

Të hënën më 9 qershor, duke kaluar kohë në Facebook kuptova që teatri nga Londra “Globe” do të vijë në Prishtinë në teatrin kombëtar për ta shfaqur “Hamlet-in” e Shekspirit. A nuk është kjo e shkëlqyeshme?

Përndryshe teatri “Globe” ndodhet në turne botëror me të cilin shënon 450 vjetorin e lindjes së Shekspirit dhe fundi i turneut do të shënojë edhe 400 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të njohur. 

Gjatë dy vjetëve të kësaj aventure teatrore të quajtur “Globe to Globe”, mënyra e re e leximit të “Hamletit”, njëra nga tragjeditë më të njohura dhe më të shfaqura të Shekspirit, do të inskenohet gati në të gjitha vendet e botës. Siç thanë ky teatër në fillim do të vizitojë Evropën, pastaj Karaibet, pastaj trupa teatrore do të shkojë në Amerikën Veriore dhe Jugore dhe më tej do të lëvizë nëpër bregun perëndimor të Afrikës deri në Australi duke mos anashkaluar as ishujt e Oqeanit të Qetë. 

Nga atje “Globe” do ta vazhdojë rrugën nëpër Indonezi, Japoni, Kinë e Azi, pastaj nëpër bregun lindor të Afrikës do të kthehet në Angli. 

Turneu filloi dhe do të përfundojë në selinë e teatrit “Globe”, një teatër i stilit elizabetian, i vendosur në bregun jugor të lumit Temza në Londër. Sipas planeve të detajizuara të organizatorit shfaqja e fundit e “Hamletit” në këtë turne global do të ndodhë më 23 prill 2016, kur mbushen katër shekuj nga vdekja e shkruesit të njohur të dramave Uilliam Shekspirit, me dramat e të cilit teatri “Globe” është i lidhur pazgjidhshmërisht. 

Dhe kjo shfaqje (”Hamleti”) do të jepet pak kilometra nga vendndodhja ime. Mrekulli. Gjëja e parë që bëra ishte thirrja e të gjithë shokëve dhe shoqeve të ngushta që të shikoj nëse dëshirojnë të vijnë me mua në teatrin e Prishtinës që ta shikojmë “Hamletin”. Reagimet e tyre ishin shokuese. Të gjitha në përgjithësi qenë të lidhura me sigurinë. Çuditeshin se si unë do të shkoj të shikoj një shfaqje në Prishtinë. 

Pastaj e vendosa një status në Facebook me fjalët “A do të vijë dikush me mua në mbrëmje në teatër? Shfaqet ‘Hamleti’”.  Përveç disa komenteve palidhje, askush nuk u lajmërua për të më shoqëruar. Me kalimin e kohës e kuptova që nuk më mbetet asgjë tjetër përveç të përgatitem dhe të shkoj vetëm. Motra më dërgoi me makinë duke më bërtitur se nuk jam normale. Në të vërtetë kisha frikë. 

Më së shumti frikohesha se nuk do të kishte bileta. Kjo frikë m’u largua kur biletashitësi, një migjok i këndshëm më tha se kanë mbetur edhe njëzet bileta. Bleva biletën time dhe isha më e lumtura në botë. Për të qenë e lumtur vërtet duhet kaq pak. Shikova rreth vetes me shpresë se do të shihja ndonjë të njohur. Ende asgjë. E kërkoj vendin tim rreshtin e katërt, ulësen numër 22. Vajza e ulur në karrigen numër 21 ngrihet dhe me një buzëqeshje më lejon të ulem në ulësen pranë saj. 

Në rreshtin e parë vërej ambasadorin britanik, të paktën një fytyrë e njohur. Artistët sillen nëpër skenë dhe paralajmërojnë fillimin e shfaqjes. A e keni ditur se shfaqja “Hamleti” zgjat tri orë? Unë e kam ditur, por ato tri orë mua m’u dukën si gjysmë ore. Unë vërtet u ktheva vetëm, por nuk kisha asnjë shenjë të vetmisë. Vetëm një ndjenjë të papërshkruar lumturie dhe ngopje të trurit me “ushqimin” për të cilin kisha ardhur. 

Vajza nga karrigia 21 ishte aktore, u njoha me të, ndërruam kontaktet, kishim një numër të madh miqsh të përbashkët. Më ftoi në shfaqjen e saj, më vjen keq që është në shqip dhe nuk do ta kuptoj, por do të doja të shkoja. Tregoi se në herën e kaluar në shfaqje erdhën vetëm tre persona. Një vajzë e mrekullueshme që shpresoj se për një kohë të shkurtër do ta përjetojë lojën në sallën plot me publik. 

E “Hamleti?” Vërtet një udhëtim i vogël nëpër kohë në shekullin XVII. Me mendime veç isha në oborrin mbretëror danez nën një pelerineë të kushtueshme. Dhe sa hap e mbyll sytë dal jashtë. Shfaqja është kryer. Përsëri jam vetëm. Në Prishtinë është festë, ka të shtëna, fishekzjarre dhe flamuj partiakë nëpër makina. Më kaplon rrëqethja dhe paniku. Mezi pres të kthehem në shtëpi. Takimi me realitetin. Nuk jam e sigurt se çfarë festohet. 

“Diçka është e kalbur në shtetin e Danimarkës”.