A Ka Jetë Pas Zgjedhjeve?

Para se të fillonte zyrtarisht fushata për zgjedhje lokale unë po pija kafe me shoqet e mia, duke diskutuar për çdo gjë – nga dashuria e deri te zgjedhjet, ndërsa një shoqe më pyeti: “A je ende duke e shkruar kolumnën? A mund të shkruash të lutem edhe mbi faktin se sot të gjithë po mund të merren me politikë, se dhjetëra parti e nisma qytetare po shfaqen nga askund, të udhëhequra nga njerëz që askush nuk i njeh, që kryesisht janë të paarsimuar dhe të etur për pushtet dhe pasurim të lehtë?” I premtova se do t’i siguroj pak hapësirë mendimit të saj në kolumnën time, dhe besoj se të gjithë duhet të reflektojmë pak mbi këtë temë.

Thënë sinqerisht, aspak nuk e kam pasur të lehtë që të ulem dhe t’i vë në letër dhe t’i përmbledh në këtë kolumnën time të vogël të gjitha ato ndjenja të përziera që përcjellin gjatë fushatës zgjedhore. Nuk jam e sigurt se mund t’jua paraqes saktë atmosferën që mbizotëron në Graçanicë dhe rrethinë gjatë fushatës zgjedhore. Të gjithë e përjetojnë atë në mënyrën e vetë.

Një gjë që mund ta bëj është që ta krahasoj këtë fushatë me atë të kaluarën, dhe t’ju them se këtë herë fushata ka qenë shumë më argëtuese, së paku për mua.

Ndoshta tash nuk i njohim të gjitha fytyrat nga listat zgjedhore, por herën e kaluar nuk i njihnim as kandidatët për kryetarë komunash. Nuk kishim ku t’i shohim në mungesë të kanaleve televizive në gjuhen serbe. Këtë vit, kandidatët përgatiten për paraqitje publike, mësojnë se si të vishen, çka të thonë, marrin pjesë në debate televizive, fotografohen për pano reklamuese me kostume të bukura dhe buzëqeshje artificiale.

Së dyti, të gjitha partitë dhe kandidatët kanë faqet e tyre të Facebook-ut, kështu që të gjithë neve na u shtua numri i ‘miqve’ në këtë medium për së paku 20-30 sish, marrë parasysh që profile të ndryshme janë krijuar madje edhe në nivel fshatrash. Kjo është thjeshtë e pamundur. Publikohen vegëza nga pjesëmarrjet në emisione, fotografi nga vizitat nëpër familje dhe biznese të vogla, si dhe imazhe me fëmijë në prehër dhe nga pritjet e politikanëve me veshje kombëtare e me pogaçe në duar. Por, më interesantja është kur publikohen këngë të artistëve të ndryshëm, fotografitë private dhe videot e incizuara nëpër shtabe zgjedhore, të cilat, të kombinuara, përbëjnë një material shumë argëtues për shikim.

Në anën tjetër janë të shumtë ata që tërësisht i kanë përçarë marrëdhëniet e tyre familjare e miqësore dhe janë grupuar sipas ideologjisë partiake. Nuk flet vëllai me vëllain, fqinji me fqinjin.

Parullat, mitingjet, shtandet, tribunat, materialet promovuese dhe premtimet përrallore të kandidatëve janë gjithandej. Nuk e di se si do t’ia dalim tani me rundin e dytë. Unë e di se çfarë do të bëj – do përgatis valixhet dhe do ik diku për fundjavë për rehabilitim nga të gjitha këto zhvillime. E atje ku po shkoj do ta përgatis kolumnën e re për javën tjetër – një kolumnë të cilën ua kam borxh prej një viti.

Sidoqoftë, në vijim, po ua jap pesë këshilla se si të mbijetoni deri në zgjedhje:

1. Përpiquni që çdo ditë të pini kafe nëpër kafene të ndryshme, pronarët e së cilave u përkasin partive të ndryshme politike.

2. Përpiquni që kafenë ta pini me miq që u përkasin partive të ndryshme politike dhe që me ta të mos flisni për zgjedhje. Më mirë është që t’i mbysni me tregime mbi jetën tuaj të pafat sa i përket dashurisë.

3. Lirisht vizitoni mitingjet e partive të ndryshme politike, sepse ju keni të drejtë të dini se kush çka ofron në programin e vetë, që vendimin se për kë të votoni të mund ta merrni më lehtë. Shikimet konfuze në fytyrat e personave që ju shohin nëpër mitingje të partive të ndryshme politike – janë të papërshkrueshme!

4. Pasi që ka filluar stina e festave, e nëpër festa nuk mund të kalohet pa i pirë nga 2-3 gota raki të cilat nxisin pashmangshëm bisedat për zgjedhjet, qëndroni gjakftohtë dhe bëhuni sikur fare nuk po ju bën për to, derisa të tjerët të grinden dhe adrenalina të vlojë.

Sigurisht e vërejtët se po mungon pika e pestë, por pasi që jemi në disponim parazgjedhor unë po ju premtoj se në kolumnën e ardhshme parazgjedhore do të keni edhe pikën e pestë, madje edhe pesë tjera shtesë – sepse ku ka zgjedhje ka edhe premtime.

Ndërsa, e juaja D në fund megjithatë ju rekomandon që të shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike dhe të votoni sipas zgjedhjes suaj sepse zgjedhja megjithatë është e juaja.

Unë ika në mal.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës, ju përshëndetë e juaja D.