“Hajde”

I dua trenat. Në fakt, i dua të gjitha mjetet transportuese. Mbase jam lindur që gjithmonë të jem mbi rrota, binarë, në ajër. Dikush më pati thënë një herë se qendra e botës lëviz me lëvizjen time. Ah, sa lajkatarë që janë njerëzit.

Unë i dua udhëtimet, sepse sytë ndjejnë uri për peizazhe të reja. Prandaj, edhe isha e ngazëllyer me idenë e projektit “Hajde”.

Në fakt bëhet fjalë për një tren që u emërtua “Hajde” që për tri vikende të shtatorit transportoi udhëtarët në relacionin Prishtinë – Pejë. Kësisoj, në Kosovë shënoheshin Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe të gjithë udhëtarët e këtij treni të pazakontë bënin një ekskursion nëpër monumentet historike, fetare dhe kulturore. Ky projekt u ndihmua nga BE-ja, Ambasada Britanike, Këshilli i Europës dhe Ministria e Kulturës e Kosovës.

As që e kam ditur se në Prishtinë ekziston një stacion i trenit. Edhe një mijë vjet po të jetoja mund të mos e dija këtë, po të mos ishte ky projekt. Unë jam rritur duke shikuar trena e aeroplanë dhe gjithmonë i kam dashur dhe u jam gëzuar udhëtimeve. Prandaj edhe u zgjova në 7 të mëngjesit dhe mezi prita të arrij në stacion. Disa prej ne gazetarëve serbë kishim arritur në stacion para të tjerëve. Pas pak kohe filluam të panikohemi dhe të pyesim veten nëse e kemi ngatërruar ditën, stacionin, kohën. Kjo zgjati deri sa nuk e pamë ambasadorin britanik teksa zbriste në këmbë drejt stacionit. Të gjithë u frymëzuam nga energjia e këtij njeriu të mrekullueshëm. Ngadalë pas tij filluan të arrijnë edhe zyrtarët e Këshillit të Europës dhe Ministrisë së Kulturës. Arrinin edhe udhëtarë plot, sepse të gjitha vendet ishin të rezervuara. Ishim gjithsej 120 udhëtarë në tren.

U vendosëm në vagonin e parë, së bashku me mbajtëset, kamerat, diktafonët, fletoret tona, ashtu që të mos na ikë ndonjë zhvillim. Vagonin e ndanim me rreth njëzet fëmijë nga një kopsht i Prishtinës, e përkundër dozës së gëzimit të këtyre fëmijëve për udhëtimin me tren, mendoj se megjithatë unë isha udhëtari më i lumtur i tij atë mëngjes!

Në atë tren unë u dashurova përsëri. U dashurova në Kosovën. Pashë të njëjtat vende, të njëjtat male, të njëjtat peizazhe, por me sy tjerë. Sytë e mi ishin përplot dashuri, me gjithë natën pa gjumë dhe planin tim që të flej në tren deri në Pejë. Kantautori i njohur nga Peja, Xhevat Kelmendi, i argëtonte udhëtarët me kitarën e tij, ndërsa instrumentalet dhe këngët e tij i jepnin tërë udhëtimit një notë filmike.

Në vagonin e dytë festohej një ditëlindje. Në të ishte një familje e tërë, ndërsa ahengu u përcoll me tortë dhe këngë. Pirolla u qoftë prindërve për këtë ide, sepse gjetën një mënyrë të pazakontë dhe të mrekullueshme për t’ia festuar fëmijës ditëlindjen.

Makinisti i trenit u mundua që të na paralajmërojë me sirenë se po i afrohemi stacionit në Pejë. Atje na pritën muzikantë me veshje kombëtare shqiptare të cilët na përcollën deri në autobus.

E vizituam qendrën turistike, ku patëm mundësi të provojmë ushqime tradicionale kosovare. Më pas e vizituam Patrikanën e Pejës ku na priti kuratorja e vjetër, Dobrilla 84-vjeçare, e cila me shumë durim u përgjigjej të gjitha pyetjeve të vizitorëve.

Pas vizitës Muzeut Etnologjik, e kishim një orë kohë të lirë për ta njohur më mirë Pejën, të cilën e shfrytëzuam për t’u shëtitur në çarshinë e vjetër, për t’i ngrënë qoftet më të shijshme dhe për t’u kënaqur pamjes së Grykës së Rugovës.

Atë ditë për herë të parë në jetë hyra në një xhami. Për Xhaminë e Bajraklive thonë se është një nga xhamitë më të bukura në këtë anë të botës. Këtë udhëtim frymëzues e përfunduam me vizitë në Drinin e Bardhë. Të gjithë mbetëm pa frymë nga bukuria dhe fuqia e natyrës. Vetëm ata më të guximshmit shkuan një hap më tej (më duhet të lavdërohem dhe të them se edhe unë isha mes atij grupi prej 5 personash) dhe u ngjitën rrëzë malit deri tek shpella dhe këmbadorazi hynë brenda në të. Ja që për 5 minuta edhe unë u bëra grua e guximshme e shpellës! Natyrisht, nga adrenalina, mbeta duke u dridhur edhe dy orë më pas, por ndjenja ishte fantastike!

Në fund të këtij udhëtimi të bukur, morëm premtimet e organizatorit se do të përpiqet që atë ta bëjë udhëtim tradicional dhe se do të shihemi prapë vitin e ardhshëm.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës, ju përshëndes. 

E Juaja D.