Rrugëtimi dhe Sfida e një Fletëvotimi

Fushatat zgjedhore, lokale ose parlamentare, paraqesin njërën prej kohërave më irrituese dhe më të mërzitshme në Kosovë. Shumëkush thotë se të qenit jashtë vendit gjatë fushatave e ka përparësinë që ia mundëson individit shmangien prej krejt kësaj drame rraskapitëse. Por, një gjë e tillë nuk është edhe aq e lehtë.

Me depërtimin e rrjeteve sociale në çdo sferë të jetës në Kosovë dhe me përfshirjen e Facebook-ut dhe Twitter-it në fushatën zgjedhore, secili kosovar nuk ka rrugëdalje tjetër pos të dëgjojë premtimet astronomike që po bëhen nëpër komunat e Kosovës. Kandidatët për kryetarë të komunave kanë braktisur hibernimin e tyre dhe kanë vërshuar secilën hapësirë publike duke i ricikluar premtimet e madje edhe duke iu nënshtruar përvojave të qytetarit të rëndomtë – ta quajmë sadomazohizëm politikanësh.

Përderisa të jetuarit në diasporë ma lejon qetësinë mendore së paku gjatë orëve të punës, Valdete Daka nga Komisioni Qendror Zgjedhor kishte ardhur në përfundim se nuk qenkam duke lodhur kokën aq sa duhet për zgjedhjet në Kosovë. Si rezultat, në kutinë time postare në Anglinë Veriore pranova një dhuratë tejet zemërgjerë nga kryetarja e KQZ-së. Daka kërkonte që unë si qytetar i Kosovës të votoj në fletëvotimet që nuk kishin kurrfarë shenje të shtetësisë së Kosovës dhe ta kthej fletëvotimin për në Prishtinë. Ishte hera e parë që kisha hasur në një dokument, dukja e të cilit ishte rezultat direkt i bisedimeve të stërzgjatura, dramatike dhe jashtëzakonisht jotransparente në Bruksel.

Si qytetar i Prishtinës dhe si një individ që e urren apatinë, përkundër përvojave tona të hidhura me zgjedhje, unë megjithatë e bëra përzgjedhjen time dhe votova. Fletëvotimi im i strukur në zarfin e fshehtësisë tani është duke rrugëtuar kah Prishtina. Do të kalojë Londrën, Kanalin e Lamanshit, Parisin, Vjenën dhe shumë vende të tjera në Europë derisa të arrijë në Prishtinë.

Por, kësaj radhe i kam ulur pritjet e mija. Disa do të thonë se jam bërë realist përderisa unë nuk pres që vota ime të bëjë magji nëpër Prishtinë. Për mua arritja e votës time në destinacionin e duhur në Prishtinë, klasifikimi i saj në mënyrë korrekte dhe numërimi i saj pa manipulime do të ishte gjëja e vetme që pres nga këto zgjedhje. Pa dyshim se kjo është një pritje shumë bazike nga vota ime. Megjithatë, nëse kujtojmë performancën tonë në zgjedhjet e fundit do të pajtohemi se kjo çka kërkoj është sfidë në veti.

Kemi një rrugë të vështirë para vetes sikurse edhe rrugëtimi sfidues që do ta bëjnë fletëvotimet tona për të arritur në destinacionin e tyre pa manipulime. Është e nevojshme t’ia dëshmojmë vetes se jemi të denjë e të pjekur për demokracinë dhe liritë për të cilat flasim shumë. Kjo është arsyeja se pse është obligim i yni të japim kontribut modest në komunat tona duke marrë pjesë në këto zgjedhje – edhe nëse vendosni vetëm ta shkarravitni fletëvotimin tuaj.

Pjesëmarrja në zgjedhje do t’u ofrojë të drejtën që të ankoheni dhe të kërkoni llogaridhënie nga pushtetarët gjatë tërë mandatit të tyre. Obligimin tim unë e përfundova nga diaspora. Tash rendi është tek ju bashkëqytetarë të nderuar!

Mos lejoni që fletëvotimet tuaja të shërbejnë si fishekë të gështenjave nëpër rrugët e Prishtinës dhe dilni në zgjedhje në mënyrë që të mos votojë dikush në emrin tuaj!