Revolucioni

Zgjedhjeve të fundit në Kosovë ishalla kurrkush s’ju bjen mësysh! 

Në shikim të parë, në bazë të radhitjes së partive, mund të duket sikur gati asgjë nuk ka ndryshuar. 

Kjo ngase Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë numrin më të madh të votave, ndjekur nga afër prej Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Vetëvendosjes dhe AKR-së. 

Megjithatë, kosovarët kanë arritur jo vetëm të organizojnë zgjedhje të pamanipuluara, gjë që nuk e bënë dot në vitin 2010, por edhe të votojnë në mënyrë tejet të sofistikuar, strategjike dhe taktike. 

Ata thyen stereotipin e votuesit klasik të Kosovës – votuesit “dele”, besnik ndaj liderit të partisë dhe të bindur ndaj kreut të familjes. 

Ata arritën të bëjnë diçka që mund të konsiderohet revolucion. 

Ndërrimi dramatik i pushtetit 

Në mbi 50 për qind të komunave u votua kundër kryetarëve aktualë të tyre, pa marrë parasysh partinë së cilës i përkisnin. Duke marrë parasysh që shumica e këtyre ndërrimeve u bënë evidente në balotazh, kjo tregon që votuesi kosovar nuk ishte kushedi sa entuziast për ofertën e re për kryetar komune. 

Por, në vend se të vendosë që të mos dalë fare për të votuar në balotazh, në shenjë dembelie ose dëshpërimi që nuk u zgjodh kandidati për të cilin votuan në raundin e parë, ai/ajo vendosi që, në shumicën e rasteve, në shenjë proteste, ta votojë këdo, përpos kryetarit të tanishëm.

Kjo është një lëvizje e mençur. Opinioni publik ka vendosur që të mos shfrytëzojë votat e veta për të siguruar vende pune, kontrata, ose për të krijuar një marrëdhënie klienteliste me të zgjedhurit. 

Ai vendosi që të shfrytëzojë votat e veta për të mbajtur bartësit e pushtetit në cep të ulëseve të tyre, duke i ndërruar ata. 

Votuesi taktik e shfrytëzoi rastin si kurrë më parë në Kosovën e pasluftës, duke treguar kështu që nuk është ai ankuesi nga “kauqi” që frikësohet prej ndryshimeve. 

Atëherë kur iu dha rasti, një herë në katër vjet, vendosi t’ua bëjë me dije pushtetarëve se kush është ‘shefi’. 

Mesazhi është i qartë: nëse vota nuk manipulohet dhe nëse të vdekurit nuk votojnë, në Kosovë fitorja në zgjedhje nuk mund të konsiderohet më punë e kryer. Shembull tipik ishte ai i kryeqytetit, ku votuesit larguan kandidatin e LDK-së nga posti i kryetarit të komunës pas më shumë se 12 vjetësh. 

Ngritja e urbanëve 

Komunat e mëdha dëshmuan trend të largimit të partive të rrënjosura në pushtet. Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Peja dhe Mitrovica votuan për të larguar kryetarët aktualë të komunave, të cilët mbajtjen e posteve të tyre e konsideronin punë të kryer. 

PDK-ja mendonte se Ferizaj dhe Mitrovica do fitoheshin pa shumë mund, prandaj kryeministri Hashim Thaçi kaloi pjesën më të madhe të fushatës duke vizituar Prizrenin, duke mos u brengosur shumë për këto dy qytete tjera po aq të rëndësishme. 

E njëjta vlen edhe për LDK-në në Prishtinë. Isa Mustafa u iku debateve dhe madje kishte thënë në një intervistë se ” Prishtinën mund ta fitoj me duar në xhepa”.

Partitë në të kaluarën kanë fituar përkrahje në bazë të inercionit, si dhe në bazë të premtimeve për vende pune,  kontrata e shërbime tjera. Por, këto privilegje po i gëzojnë çdo herë e më pak shumica e njerëzve. 

Ata qytetarë, ekzistenca ekonomike e të cilëve nuk varet nga strukturat e partive aktuale, e që në fakt po vuajnë prej shërbimeve të dobëta publike, për shkak të mungesës së meritokracisë në punësim,  tani përbëjnë shumicën – dhe po dëshmojnë prirje për të votuar për kandidatët e rinj, qofshin ata më të mirë, a më të këqinj. 

Programet ishin të rëndësishme  

Kandidatët individualë dhe programet e tyre, u çmuan shumë më shumë se në zgjedhjet e kaluara. 

Unë moderoj debate politike që nga viti 2004 dhe rrallë ka ndodhur që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë performansën e kandidatëve në debatet e televizionit publik të cilat u mbanin në BIRN. 

Rregulli i vjetër thoshte se votuesit kosovarë udhëhiqen nga një aurë e padukshme e liderëve të partisë dhe besnikëria ndaj tyre tejkalonte çfarëdo pyetje mbi programet, talentin individual,ose nivelin e profesionalizmit dhe kompetencës që kandidatët tregonin në debate. 

Këtë radhë, njerëzit i kanë shikuar debatet, mes tjerash, edhe për t’u bindur për kënd të votojnë. (Natyrisht, disa i kanë shikuar për të parë se çka po thotë gruaja e filanit, ose fistekut.) 

Madje edhe vetë kandidatët janë “mbrehur” më shumë, përgatitur më mirë, sepse e ndjenin se pritjet e votuesve janë rritur dhe ata dikush po i matë se sa seriozisht po paraqiten nëpër debate. 

Kjo është arsyeja përse për herë të parë në historinë politike të Kosovës, e mbase edhe të Ballkanit, 95 për qind të kandidatëve që kanë garuar në raundin e dytë të zgjedhjeve, paraqitën programe të detajuara politike, me prezantime në PowerPoint – gjë që s’ka ndodhur kurrë më parë. 

Mbi 90 për qind e tyre kanë përdorur buxhete reale të komunës së tyre, e madje edhe fotografi para dhe pas zbatimit të projekteve të propozuara. Kjo qasje teknokratike dhe ky kujdes për detaje, ishte shumë i përhapur dhe i paprecedent. 

Me këto prezantime, kanddidatët na kanë dhënë vetë, me dorën e tyre, mjetin me të cilin do t’i masim në vitet në vijim. (Ne planifikojmë që të gjitha këto prezantime në power point t’i bëjmë publike së shpejti, në mënyrë që edhe publiku e edhe asamblistët të kenë mundësi t’u kërkojnë llogari pushtetarëve)

Miti i reformës

Është ironike se dy fushat ku komuniteti ndërkombëtar ishte më i përqendruar dhe bëri më së shumit zhurmë për to, prodhuan më së paku në kuptim të këtyre zgjedhjeve. Përkundër insisitimit të pasuksesshëm nga komuniteti ndërkombëtar që “reforma zgjedhore të kryhet”,  menjëherë pas debaklit të zgjedhjeve të vitit 2010, këto zgjedhje u organizuan në mënyrë të lirë dhe nuk ishin pre e manipulimeve, edhe pse reforma në fjalë nuk u realizua. 

Këto zgjedhje dëshmuan se dështimet e së kaluarës kishin të bënin me njerëzit dhe jo me sistemin. 

Megjithatë, kërkesa për realizimin e reformës zgjedhore do të vazhdojë para zgjedhjeve të vitit 2014. Por, nëse partitë politike, udhëheqësit e tyre dhe komisionerët e zgjedhjeve e imponojnë vullnetin politik për të siguruar zgjedhjet “me duar të pastra” edhe në të ardhmen, atëherë reforma nuk është qenësore. 

Ngase, nëse ekziston vullneti që zgjedhjet të manipulohen, hajnat zgjedhorë do të gjejnë mënyrat për të vjedhur, pa marrë parasysh çfarë sistemi do të krijojmë me reformë zgjedhore. 

Hapi prapa në Veri

Nëse i shohim numrat, partia e përkrahur nga Beogradi, Nisma Qytetare Serbe, ka fituar nëntë komuna, baraz me LDK-në dhe vetëm një më pak se PDK-ja. 

Dialogu me Serbinë i zhvilluar në Bruksel ndikoi që Beogradi të bëhet faktori i tretë më i madh në Kosovë sa i përket qeverisjes lokale. 

Prandaj, premtimi se veriu i Kosovës do të integrohet pas këtyre zgjedhjeve, çdo herë e më shumë po i ngjan një miti. 

Në realitet, duket më shumë që komunat me shumicë serbe që deri tash u decentralizuan, por edhe u integruan në institucione të Kosovës në bazë të planit të Ahtisarit, do të përballen me presion për t’u dezintegruar si ato në veri, e jo anasjelltas. 

Kjo bën që i gjithë investimi në Partinë Liberale të Pavarur (SLS), së cilës serbët i referoheshin me “Serbët e Thaçit”, të konsiderohen investimet më të pakthyeshme të kësaj qeverie, kur ta marrësh parasysh që kjo parti arriti të mbajë vetëm Shtërpcën. 

Në korrikun e këtij viti, për të bindur opinionin publik se dialogu me Serbinë përmban plot përfitime për Kosovën, ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj më tha në emisionin “Jeta në Kosovë” se “më 10 nëntor ne do të mbanim një intervistë në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, ose Zubin Potok”, sepse supozimi ishte që hiq më larg se më 10 nëntor, veriu do të ishte i integruar! 

Shih befasinë – ministri ende nuk është pajtuar që ta mbajmë këtë intervistë. 

E ata miq ndërkombëtarë që deri dje na thanë “dialogimi me fqinjë nuk paraqet kurfarrë rreziku”, tash po citohen duke na thënë “kujdes, hapni sytë, mos lejoni krijimin e ‘Republikës Serbe’ në veri”. 

Megjithatë, dialogu çoi deri aty sa politikanët kosovarë humbën kontrollin edhe mbi komunat këndej Ibrit që udhëhiqeshin nga politikanët serbë që i raportonin Prishtinës zyrtare. 

Por, për momentin, ne kemi të drejtë të jemi të kënaqur me organizimin e zgjedhjeve. Megjithatë,  ne i kemi lejuar komunitetit ndërkombëtar që të na bindë të heqim dorë nga më pak se gjysma e vendit tonë. A do të jemi tepër euforikë për ta vërejtur një gjë të tillë? Do ta shohim me kohë.