Gjyshi Im Kurrsesi Të Vdesë

Gjyshi im i ndjerë, Mehmet Gjevori, ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke  mbledhur e sistematizuar shënime dhe duke shkruar libra. I janë dashur katër vjet për të shkruar fjalorin “Frazelogjizma të Gjuhës Shqipe” për të cilin i ka grumbulluar diku 100,000 thënie dhe i ka shtypur me shumë durim në një makinë të zhurmshme të shtypit. 

Duke qenë njeri i dhënë pas regjistrimit të të dhënave, do ta kisha të vështirë t’ia shpjegoj përse, edhe gjashtë vjet pas vdekjes së tij (në vitin 2007), institucionet e Kosovës nuk e kanë regjistruar shuarjen e tij dhe nuk ia kanë larguar emrin nga lista e votuesve, me çka do të siguroheshim se askush nuk do të mund të votonte në emër të tij – gjë që ndodhi me shumë votues “zombi” në vitin 2010. 

Edhe tani, një javë para zgjedhjeve, ai vazhdon të mbetet në listën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në të cilat e gjetëm edhe kur shkuam në vendvotime në zgjedhjet e vitit 2010. 

Mbase do pyeste nëse ne, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij, nuk e kemi regjistruar vdekjen e këtij njeriu i cili, shih ti rastësinë, kishte grumbulluar më shumë dosje se sa tri institucionet e përfshira në spastrimin e listave tona votuese bashkë: komunat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe KQZ. 

Së pari ai do pyeste nëse e kemi regjistruar vdekjen e tij? Përfaqësuesit e KQZ-së thanë se një nga arsyet përse në listat zgjedhore ka shumë emra të personave të vdekur është fakti se shumica e qytetarëve thjeshtë neglizhojnë obligimin për të informuar autoritetet mbi vdekjen e të afërmve të tyre. 

Por, ne e kemi regjistruar vdekjen e tij, e përkundër këtij fakti kurrsesi ta heqim nga listat zgjedhore. Pyes veten mos ka qenë kjo ndonjë anomali? Fundja, probleme mund të ketë në çdo burokraci. 

Andaj, bëra thirrje në Facebook për të parë nëse edhe të tjerët kanë probleme të ngjashme. Doli që unë nuk isha e vetmja me të afërm të vdekur në lista zgjedhore ngase thirrjes sime iu përgjigjën rreth 70 veta. Shumica prej tyre, si familja ime, i kishin regjistruar vdekjet. Madje disa prej atyre që mu përgjigjën mi dërguan edhe certifikatat e vdekjes si vërtetim. 

Në fakt, ekziston një motiv i fuqishëm për t’i regjistruar vdekjet, pasi që certifikatat e vdekjes janë të domosdoshme për t’i zgjidhur çështjet e trashëgimisë. Ekonomia e pazhvilluar e Kosovës mund të jetë pjesërisht arsyeja e kësaj. Shumica e popullatës jeton në prona të trashëguara sepse nuk mund të bëjë zgjidhje tjetër me të ardhura mesatare të Kosovës prej rreth 300 eurosh në muaj. Pra nuk jam fare e bindur në atë që po e nënkupton KQZ-ja, që shumica prej nesh nuk paskemi kulturë të regjistrimit të të vdekurve!

Duket se në shumë raste votuesit, thjeshtë, refuzojnë vdekjen. Mbase kjo është arsyeja përse sot, numri i votuesve të regjistruar në Kosovë është pothuajse i barabartë me numrin e popullatës së gjithmbarshme të regjistruar në cenzusin e popullatës të kryer në vitin 2011. 

Kjo nuk do të paraqiste problem të madh po të mos ishte fakti që te ne të vdekurit kanë tendencë të votojnë. Në fakt, votat e tyre janë përdorur dhe keqpërdorur gjatë zgjedhjeve të fundit. Në vitin 2010, votuesit e vdekur ishin përgjegjës për dalje të paparë në disa vendvotime të caktuara (deri në 98 për qind), gjë që kontribuoi që The Economist t’i cilësojë ato zgjedhje me “falsifikim të nivelit industrial”. 

Nuk është e qartë saktësisht sa njerëz të vdekur do të kenë të drejtë vote këtë vit. Që nga fundi i luftës, KQZ ka larguar nga lista zgjedhore rreth 55,000 njerëz, përfshirë këtu të vdekurit dhe ata që kanë hequr dorë nga shtetësia. 

Në regjistrimin e popullatës të vitit 2011 u regjistruan rreth 1.1 milionë banorë me të drejtë vote (18 vjeç e më të lartë). Kjo lë rreth 600,000 votues me status të dyshimtë. Edhe pse nuk ka dyshim se ky numër përfshin banorët që jetojnë në diasporë, gjithashtu nuk ka dyshim se ky numër përfshin edhe një numër substancial të votuesve të vdekur. 

Arsyetimi tjetër institucional që e kam ndëgjuar është se votues të vdekur në lista zgjedhore paska gjithkund, ‘edhe në përendim’! Por, një hulumtim i thjeshtë tregon se shtetet e përendimit nuk e kanë fare të barabartë numrin e votuesve me numrin e popullsisë. Në Angli, 73% e popullatës së regjistruar është në lista të votuesve. Në Gjermani, raporti është 76 për qind; në Francë, 66 për qind. Me fjalë tjera, Kosova ka një përqindje të lartë dhe të dyshimtë të votuesve në krahasim me vendet e mëdha të Europës Perëndimore. 

Si duket njerëzit si gjyshi im janë një pjesë e arsyes pse listat e votuesve janë kaq të fryera. Diçka këtu nuk është në rregull. Veçanërisht kur kjo u bëhet barrë qytetarëve të cilët duhet t’i përveshen një procesi kafkian të trokitjes nëpër disa dyer të institucioneve vetëm për t’i hequr të afërmit e tyre nga listat e votuesve. 

Pra, pasi që emrin e gjyshit tim të ndjerë po vazhdoj ta gjej në listat zgjedhore, nuk po mund të mos e pyes veten se a mos është duke u mbajtur ai në to me arsye? 

Albulena Sadiku dhe Edisa Mala Gjevori kanë kontribuar në këtë artikull.