Ngacmimet në Shkollat Kosovare dhe Përgjegjësia Jonë

Jemi në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, 10 tetorit, e cila promovohet nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) për të ngritur vetëdijen mbi çështje të shëndetit mendor. Kjo është koha kur flitet hapur dhe promovohet shëndeti mendor në tërë botën. Flitet për përparimin e programeve psikologjike, atyre parandaluese dhe trajtuese. Por, në vendin tonë, ende mohohet zbatimi i ofrimit të shërbimeve psikologjike në shumicën e shkollave edhe pse sistemi ynë arsimor përballet me shumë çështje të shëndetit mendor.

Tema për vitin 2013 është “Shëndeti mendor dhe të moshuarit”. Edhe përkundër rëndësisë shumë të madhe që kjo temë ka për t’u diskutuar në veçanti, më duhet të përqendrohem në temën e “Ngacmimeve në shkollat kosovare”- goditjet fizike apo verbale, me qëllim të lëndimit të personit tjetër. Shkaku i kësaj është videoja që po qarkullon në rrjete sociale, ku një nxënëse përdor sjellje agresive në bashkmoshataren e saj. Kjo video i shtyri shumë kosovarë të gjykojnë sjelljen e vajzave. Mirëpo, kjo është vetëm një video e filmuar që tregon një nga rastet e ngacmimeve të cilat nxënësit i bëjnë njeri-tjetrit. Ka shumë e shumë raste të cilat mbesin të pa dëgjuara, të pa shikuara publikisht, të pa treguara dhe nën hije.

Mendoni më shumë për adoleshentët të cilët çdo ditë ose çdo javë duhet të përballen me ngacmime të tilla. Ngacmimet e tyre nuk përfundojnë në shkollë, mirëpo ata ndiqen edhe në shtëpi përmes mesazheve ose formave të tjera të sferës dixhitale.

Problemi i ngacmimeve nuk është i pranishëm veç në shkolla, mirëpo edhe në kulturë, komunitet, familje, dhe grupe shoqërore.

Kosova nuk është e vetme në ndodhitë e tilla, pasi që edhe në vendet më të zhvilluara, si për shembull SHBA-të, rastet e tilla janë prezente. Tek ne megjithatë mungon çasja profesionale e trajimit të çështjes për dallim prej vendeve tjera. Shkollat tona nuk kanë psikologë që të ofrojnë opsionin që një nxënës i cili ngacmohet nga të tjerët të flet në besim me psikologun dhe jo ta mbaj çështjen në heshtje. Përveç kësaj, shkollat tona nuk e ofrojnë opsionin që një nxënës të marrë leksione se si të menaxhohet zemrimi ose se si zgjidhen konfliktet, programe psikologjike këto që ofrohen nga psikologët. Poashtu, duhet të kuptojmë që jo veç viktima ka nevojë për ndihmë, mirëpo edhe kryesi i këtyre veprimeve dhe të gjithë ata që e përforcojnë një sjellje të tillë duke qeshur ose edhe duke e filmuar.

Nuk ndihmon gjykimi i protagonistëve të kësaj videoje në fjalë, mirëpo duhet të merremi me çështjen në thelb. Jo vetëm të analizojmë, mirëpo edhe të ndërmarrim hapa në reduktimin e rasteve të tilla. Ngacmimet e kësaj natyre, nuk janë të reja për kosovarët, pasi që kanë ekzistuar edhe më herët në shoqërinë tonë. Mirëpo qasja “e mbylljes së syve dhe veshëve” për këto raste nuk na ndihmon aspak. Ajo nuk u ndihmon fëmijëve dhe adoleshentëve, të rriturve të nesërm, pasi që janë ata që duhet të përballen me emrat e ndryshëm degradues me të cilët ata thirren, përqeshjen që u bëhet nga bashkmoshatarët e tyre dhe jo vetëm, si dhe goditjet fizike që ata i përjetojnë pa fajin e tyre.

Të mblidhemi së bashku, të flasim dhe veprojmë për rastet e shumta të cilat ndodhin çdo ditë nëpër shkollat tona kosovare. Të ngrisim vetëdijen për problemin e ngacmimeve. Kemi adoleshentë të cilët nëpër shkolla apo fare pranë tyre, goditen fizikisht apo verbalisht, veprime të cilat kanë për qëllim lëndimin. Përballja me ngacmime të tilla, nuk i bën adoleshentët tanë më të fortë, mirëpo ndikon në: ide vetevrasëse, depresion, ankth, ndjenjën e vetmisë, uljen e vetëvleresimit, mungesën dhe uljen e rezultatit në shkollë.

Neve, si shoqëri, na takon që të ndërmarrim veprime dhe të flasim hapur si dhe të mos fajsojmë vetëm prindërit për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Si udhëheqës politikë dhe menaxhues të shkollave, na takon të zhvillojmë programe parandaluese, kurrikula dhe strategji mbi temën e ngacmimeve. Si pjesëtarë të komunitetit, është përgjegjësi e jona që të edukojmë fëmijët dhe adoleshentët tanë si dhe t’u krijojmë një mjedis ku sa herë ata ndjehen të shqetësuar, dikush do të kujdeset për ta. Si bashkmoshatarë, është përgjegjësi e jona që të mos i thërrasim shokët tanë adoleshentë më emra përqeshës, me qëllimin për t’i lënduar ata. Mbi të gjitha, të reagojmë kur shohim raste të lëndimit fizik apo verbal të bashkmoshatarëve tanë, e jo të përforcojmë sjelljet agresive apo përqeshëse të shokëve tanë.

Askush nuk ka të drejtë të lëndojë dikë tjetër, në asnjë formë. Goditjet fizike mund të vëheren lehtë, mirëpo ato emocionale dhe mendore, edhe pse nuk janë të dukshme për të tjerët, shkaktojnë plagë që mbeten gjatë të këtilla. Për ta parandaluar këtë, secili nga ne mund të kontribojë në mënyrën tonë.  Pra, vepro e mos hesht!

Autorja është MA në psikologjinë klinike.