Agjencitë e Pavarura Presin Udhëheqës me Vite

Që nga fillimi i shtatorit Agjencia Kosovare e Privatizimit është në pritje deri në krijimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të saj për bord.

Më 31 gusht të këtij viti u skadoi mandati dy anëtarëve ndërkombëtarë, duke e lënë bordin tetanëtarësh me vetëm tre veta në përbërje dhe me mungesë kuorumi për të mbajtur mbledhje.

Aktualisht janë vetëm tre anëtarë vendorë në bord. Dy anëtarë vendorë dhe një ndërkombëtar kishin dhënë dorëheqje në maj të vitit të kaluar.

Që nga viti i kaluar bordi nuk ka qenë në gjendje të miratojë vendime për shpërndarjen e 20 përqindëshit te ish-punëtorët, pa miratimin obligues të tre ndërkombëtarëve.

Qeveria e Kosovës, me ligj të AKP-së, emëron personat dhe Kuvendi i Kosovës i voton. 

Një institucion tjetër që ka mbetur gjatë pa organ drejtues është edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Kuvendi i Kosovës për dy vjet nuk ka mundur të emërojë anëtarë të rinj të këtij këshilli që nga korriku 2012, kur edhe u skadoi mandati shtatë anëtarëve. 

Në vebfaqen zyrtare të Këshillit paraqitet takimi i 9 dhjetorit 2011 me përfaqësuesit e sektorit të arsimit si aktiviteti i fundit i tyre.

Puna e këtij këshilli është e rëndësishme për trashëgiminë kulturore në vend e cila është në mëshirë të ndërtimit të pakontrolluar. 

Një institucion tjetër i rëndësishëm për fuqinë blerëse në vend është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ky autoritet që një vit është pa katër anëtarë, nga pesë sa i ka bordi.

Puna e këtij institucioni është promovimi i konkurrencës ndërmjet ndërmarrjeve dhe mbrojtja e konsumatorëve në Kosovë.

Shoqëria Civile Kritikuese për Qeverinë dhe Kuvendin 

Puna e institucioneve shtetërore apo agjencive të pavarura është kritikuar vazhdimisht nga shoqëria civile në Kosovë.  

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vite që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

Në shkurt të këtij viti KDI-ja ka publikuar një analizë lidhur me funksionimin e agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, bazën ligjore të tyre dhe politizimin e bordeve udhëheqëse.

Në këtë analizë thuhet se sfidat më të mëdha me të cilat po përballet Kuvendi në raport me institucionet e pavarura është moskoordinimi me Qeverinë për të zgjedhur me kohë anëtarët e bordeve, propozimet mbi baza politike dhe klienteliste, si dhe mospërcaktimi i mënyrës së mbajtjes në përgjegjësi të anëtarëve të bordeve.

Analiza e tyre “Agjencitë e (Pa) Varura dhe Ndërmarrjet “Publike” në Kosovë” e publikuar në shkurt 2014, shtjellon mënyrën e emërimit të zyrtarëve udhëheqës në institucionet e pavarura.

KDI-ja shpjegon se janë në përgjithësi dy mënyra të përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të pavarura.

Qeveria shpall konkurs për plotësimin e pozitave udhëheqëse në institucionin e pavarur, udhëheq procesin e selektimit dhe intervistimit, emrat e kandidatëve më të mirë i dërgohen Kuvendit për aprovim përfundimtar.

Dhe vetë Kuvendi i ndërmerr të gjitha procedurat e nevojshme: shpalljen e konkursit, intervistimin dhe përzgjedhjen.

KDI-ja thekson se në të shumtën e rasteve praktikat e këtilla të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve kanë krijuar polemika. 

“Deputetë të partive parlamentare janë ankuar se nga kjo praktikë shpesh detyrohen të përzgjedhin ndërmjet kandidatëve politikë në njërën anë dhe atyre të pakualifikuar nga ana tjetër”, thuhet në faqen 17 të analizës. 

KDI-ja ka përvojë të gjatë të monitorimit të Kuvendit të Kosovës dhe thekson se Kosova ka një mungesë të traditës së funksionimit dhe strukturimit të Agjencive të Pavarura dhe kjo e bën të dukshëm ndikimin e politikës. 

“Politizimi i bordeve të këtyre institucioneve duke i shndërruar në çerdhe të akomodimit të anëtarëve dhe militantëve partiakë-me theks të veçantë partive në pushtet, ka ndikuar që këto institucione të mos jenë të pavarura në ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues”, thuhet më tej.

Burim Ejupi nga OJQ-ja “Instituti për Politika Zhvillimore” (INDEP) merr si shembull mospropozimin e emrave të rinj për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) nga ana e qeverisë së Kosovës për një vit që nga dorëheqja e dy anëtarëve vendorë në maj 2013.

“Qeveria e kaluar ka qenë e paaftë dhe ka dështuar, sepse nuk e ka pas prioritet këtë çështje”, thotë Ejupi. 

Ai shtoi se edhe vendimi për shtrenjtimin e rrymës në vend për 5.18 për qind është bërë nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) të cilit i mungojnë dy nga pesë anëtarët. 

Po ashtu, Ejupi thekson se numri prej 33 agjencive të pavarura në vend është i madh dhe kësisoj duhet të zvogëlohet.

Institucionet dhe agjencitë e pavarura të Kosovës të cilave u mungojnë anëtarët e bordeve apo këshillave që presin legjislacionin e ri në Kuvendin e Kosovës për t’u emëruar. 

1. Agjencia Kosovare e Privatizimit – Bordi 8 anëtarësh tani e tutje ka mbetur me vetëm tre anëtarë . 

Dy anëtarë vendore dhe tre ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në bord.

2. Avokati i popullit – Deputetët në Kuvendin e Kosovës dështuan më 27 mars 2014 për të emëruar avokatin e popullit, edhe pas raundit të dytë. Ushtrues detyre është Sami Kurteshi të cilit i ka skaduar mandati më 3 qershor të këtij viti. Mandati i avokatit të popullit është pesëvjeçar. Në tetor të këtij viti u skadon mandati edhe pesë zëvendësve të tij.  

3. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil – këshillit i mungojnë tre anëtarë nga shtatë sa i ka bordi. Këshilli pranon shumë ankesa kryesisht të lidhura me marrëdhëniet e punës në sektorin shtetëror. 

4. Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave – i mungojnë tre anëtarë që nga marsi i vitit  2014. Bordi i ARH-së ka vetën një anëtar.

5. Banka Qendrore e Kosovës – dy anëtarë të bordit pesë anëtarësh duhen të plotësohen me anë të votave të deputetëve.  

6. Instituti Gjyqësor i Kosovës – i mungojnë shtatë nga 12 anëtarët e bordit. Mandati i tyre ka përfunduar më 25 maj të këtij viti. 

7. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – shtatë anëtarë të këshillit mungojnë që nga korriku 2012. Mandati i tyre është trevjeçar.  

8. Komisioni i Pavarur i Mediave këtij komisioni i mungojnë tre anëtarë nga gjithsej shtatë, përfshirë kryesuesin, i cili u shkarkua nga detyra për shkak se gjatë procedurës së përzgjedhjes nuk tregoi që ishte këshilltar komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës. 

 Edhe dy anëtarët e tjerë janë shkarkuar nga detyra sepse morën pjesë në garat lokale zgjedhore të fundit.    

9. Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale – i mungojnë tre veta nga bordi pesanëtarësh që nga janari i  2014-ës kur kryesuesi Ahmet Tmava largohet dhe emërohet drejtor në Trepçë dhe një anëtar tjetër shkon me të.

10. Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujëra dhe Kanalizim – i mungon kryesuesi i Departamentit të Ankesave që nga qershori i këtij viti. Mandati është trevjeçar dhe zgjidhet nga parlamenti.

11. Zyra Rregullative e Energjisë – bordit pesanëtarësh i mungojnë dy anëtarë të cilëve mandati u ka skaduar më 15 dhjetor 2013.  

12. Këshillit Gjyqësor të Kosovës –dy anëtarë të vetëm ndërkombëtarë nga këshilli 13 anëtarësh  mungojnë, sepse u ka skaduar mandati në korrik 2014.  

13. Radio Televizioni i Kosovës RTK – tre anëtarëve të bordit 11 anëtarësh do t’u skadojë mandati në shtator 2014. 

14. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës – që nga shtatori 2013, autoritetit i mungojnë katër nga pesë anëtarë të bordit.  

15. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm – mandati i auditorit të përgjithshëm ka skaduar më 1 shtator 2014. 

16. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postale – mandati bordit i skadon këtë muaj.