Komuna e Pejës Jep Tender për Zyrtarët e Saj

Shënim: Artikulli fillimisht u botua më 29.10.2012 00:30:48

E plotësuar

Një kompani e sigurimit fizik me bazë në Pejë ka lidhur kontratë publike me komunën e këtij qyteti në shkurt të këtij viti, dy muaj pasi është themeluar.

Kompania “Magnum”, që është përfituese e tenderit, ka hisedarë dy zyrtarë të ekzektuvit të Komunës së Pejës të cilët punojnë në të njëjtën drejtori.

Njëri prej aksionarëve të kompanisë “Magnum”, Leonard Shabanaj, mban pozitën e zyrtarit të lartë të drejtorisë së arsimit ndërsa tjetri aksionar, Vllaznim Përgjegjaj, atë të financave në këtë drejtori.

Kompania e tyre ishte në konzorcium me “Kos Security”, kur oferta e tyre u shpall fituese në tenderin “Sigurimi Fizik i Objekteve të Administratës Komunale”,  më 16 shkurt të vitit 2012.

“Subjektit afarist N.SH. ‘Magnum’ licenca i është dhënë me datën 16.05.2012 (disa muaj pasi ka fituar tenderin)” 

Kompania me këtë datë ende nuk kishte mbushur dy muaj nga themelimi i saj më 21 dhjetor të vitit 2011.

Sipas procesverbalit të hapjes së tenderit, që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, konzorcimi ka kërkuar rreth gjashtëmbëdhjetë mijë euro për të siguruar objektin e komunës.

“Magnum” si kompani e re për ruajtjen e objekteve në atë kohë nuk plotësonte të gjitha kriteret e kërkuara me tender nga ana e Komunës së Pejës.

Në njoftimin për kontratë gjatë muajit janar është kërkuar që kompanitë ofertuese duhet të kenë licenca për sigurinë dhe ruajtjen e rendit publik nga ministria përkatëse. (shih njoftimin)

“Magnum” nuk e posedonte këtë licencë.

Ministria e Punëve të Brendshme që rregullon këtë veprimtari biznesi ka konfirmuar se  kompania “N.SH Magnum” nuk ka pasur licencë më herët. Ajo është paisur me licencë për Ofrimin e Shërbimeve Themelore të Sigurimit, në fushën e sigurisë private, tek në muajin maj të këtij viti. 

“Subjektit afarist N.SH. ‘Magnum’ licenca i është dhënë me datën 16.05.2012”, thotë Merita Vidishiqi, zyrtare nga Ministra e Punëve të Brendshme (MPB).

AKK fillon hetimet për zyrtarët e Komunës së Pejës 

Agjencioni Kundër-Korrupsionit (AKK) i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se do të fillojë hetimet lidhur me këtë rast. Por, sipas tyre, për të dhënë një përgjigje specifike AKK-së i duhet kohë.

“Duhet kohë për hulumtim dhe vendimi për këtë rast do të bëhet publik”, tha Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

AKK thotë se përfitimi i tenderëve nga zyrtarët komunalë parimisht përbën shkelje të Ligjit për Parandalimit të Konfliktit të Interesit.

“Duhet kohë për hulumtim dhe vendimi për këtë rast do të bëhet publik” Hasan Preteni

Përveç këtij ligji i cili duhet respektuar nga shërbyesit civilë, ata obligohen edhe në bazë të ligjit për shërbyes civilë që t’i shmangen konfliktit të interesit. 

“Nëpunësit civilë duhet të mos lejojnë që interesat e tyre private të bien ndesh me pozitën e tyre publike”, thuhet në nenin pesë të këtij ligji që parasheh parimet themelore të nëpunësve civilë.

Ndërkaq përfaqësues të shoqërisë civile në Pejë e cilësojnë si të kundërligjshëm përfitimin e zyrtarëve komunalë nga ky tender.

“Është e jashtëligjshme dhe jo e moralshme dhe nuk është dashur të ndodhë. Kur vërehen raste të tilla organet përgjegjëse do të duhet të merren seriozisht me to”, thotë Veton Mujaj, drejtor ekzekutiv në organizatën “Syri i Vizionit”.

Komuna e Pejës : Tenderi u dha në mënyrë të ligjshme

Zyra e Prokurimit në Pejë pranon se ka dhënë tenderin për kompaninë “Magnum” por thotë se nuk ka nënshkruar kontratë me dy zyrtarët komunalë.

“Kontrata është nënshkruar me menaxheren Valentina Morina, ajo ka dokumentin me autorizimin për këtë kompani”, tha Xhemë Berisha, menaxher prokurimi në komunë.

“Është e jashtëligjshme dhe jo e moralshme dhe nuk është dashur të ndodhë” Veton Mujaj

Këtë tender, sipas tij, e ka shqyrtuar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit pas një ankese të bërë nga një operatorë humbës. OSHP-ja, sipas tij, ka refuzuar ankesën duke i dhënë të drejtë Komunës së Pejës.

Ndërkohë dy zyrtarët komunalë që janë pronarë të këtij biznesi thonë se fakti që kompania e tyre ka fituar tenderë nga Komuna e Pejës nuk përbën konflikt interesi.

“Unë nuk kam pasur ndikim në fitimin e tenderit, atë e ka fituar kompania ‘Magnum’ për shkak se ka pas çmimin më të ulët të ofruar, jo se unë jam zyrtar aty”, thotë Leonard Shabanaj, aksionar në këtë kompani si dhe zyrtar i lartë në drejtorinë e arsimit në Pejë.

Ai thotë se këtu nuk ka kurrfarë konflikti të interesit për shkak se nuk është në pozitë menaxheriale në kompani, por vetëm aksionar.

Ndërkaq Vllaznim Përgjegjaj thotë se është aksionar por në kompaninë “Magnum” ka autorizuar Valentina Morinën që ta menaxhoj këtë biznes. 

“Morina vetë ka shpreh dëshirën të jetë ofertuese në këtë tender të komunës, nuk ka të bëjë kjo me ne, nuk kam pasur lidhje të drejtpërdrejtë”, thotë Përgjegjaj.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Valentina Morinën, menaxhere e kompanisë “Magnum”, mirëpo ajo ka qenë e pakontaktueshme.  

Për tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të administratës komunale” në Pejë kishin ofertuar gjithsejtë tri kompani private.

“Këtë vitë nuk fitoi kompania ime për shkak se nuk jam nga Peja” Shefqet Damka

“Badyguard Security” nga Prishtina kishte ofruar çmimin prej 1.75 euro për orë, derisa çmimi i përgjithshëm arrinte vlerën tetëmbëdhjetë mijë euro në muaj.

Kompania “Magnum” Pejë, që është edhe kompania fituese e tenderit, me çmimin 1.59 për orë derisa vlera e përgjithshme arrinte gjashtëmbëdhjetë mijë euro në muaj.

Ndërkaq kishte konkurruar edhe kompania “Sigurimi Fizik i Kosovës” (SFK-Security) me bazë në Prizren e cila kompani vitin e kaluar kishte tenderin për sigurimin e objekteve të komunës së Pejës. Këtë vit kishte ofruar çmimin prej 1.19 euro ora apo nëntëmijë e nëntëqind euro në muaj.  

“Këtë vit nuk fitoi kompania ime për shkak se nuk jam nga Peja, jam nga Prizreni dhe se nuk kam askënd që punon në komunë”, thotë Shefqet Damka, pronari i SFK Security. 

Por zyrtarët e komunës Pejë kanë mohuar deklaratën e pronarit të SFK Security.

“Nuk qëndron ajo që thotë z.Damka sepse në komunën e Pejës nuk ndodhë  që operatorët ekonomik të zgjedhen fitues vetëm se janë nga Peja. Kompania FSK Security ka pasur vërejtje me shkrim nga drejtoratet se nuk e  ka kryer punën si duhet, arsyeja pse nuk është zgjedh janë vrejtjet që ka marrë e jo pse nuk është nga Peja.” ka thënë Xhemë Berisha menaxher i prokurimit në komunën e Pejës.