Ministri Yagcilar u jep Para Anëtarëve të Partisë

Pesë organizata joqeveritare të drejtuara nga anëtarë të partisë turke KDTP janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Administratës Publike.

Kjo ministri udhëhiqet nga Mahir Yagcilar, kryetari i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP), e cila është në qeverisje për shkak të koalicionit parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo ministri gjatë vitit 2014 ndau 39 mijë e 170 euro për subvencionim të OJQ-ve.

Katërmbëdhjetë OJQ përfituan nga ky fond. Pesë prej tyre drejtohen nga bashkëpartiakë të ministrit të Administratës Publike.

Yagcilar, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, arsyetoi veprimin e tij duke thënë se përfituesit nuk u përkasin strukturave drejtuese të partisë së tij.

“Këta persona nuk janë në strukturat udhëheqëse partiake. Ndërsa, a janë të gjithë anëtarë, a nuk janë anëtarë të KDTP-së nuk kam informatë. As nuk është kërkuar të deklarohen, e as nuk kërkohet prej asnjë drejtuesi të OJQ-ve të deklarohen a janë anëtarë të një partie politike apo jo, për të përfituar subvencione,” tha Yagcilar.

Ai shtoi se MAP-i vitin e kaluar ka ndarë subvencione për 14 organizata joqeveritare bazuar në vlerësimet që janë bërë nga komisioni brenda ministrisë.

“Në listën e 14 OJQ-ve ka edhe prej shumicës, e edhe prej komuniteteve joshumicë”, tha Jagcilar duke shtuar se secila prej OJQ-ve është subvencionuar pas rekomandimit që si ministër ka marrë nga komisioni i formuar për shqyrtimin e kërkesave për subvencione.

Bashkëpartiakët e mbështetur nga Yagcilar

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me përfaqësuesit e OJQ-ve të drejtuara nga anëtarët e KDTP-së.
Erdogan Muhamed është kryetar në organizatën “Birlik Mitroviça Türk Derneği”.

Ai pranoi për Gazetën Jeta në Kosovë se është anëtar në KDTP, por tha se nuk sheh konflikt interesi që të përfitoi subvencione nga ministria e udhëhequr nga lideri i partisë.

“Përfitimi është bërë në kuadër të aktiviteteve që i bëjmë për shoqatën turke,” tha ai. Kjo organizatë ka përfituar 1 mijë euro.

Një tjetër përfitues është Tyrkan Basha drejtues në organizata humanitare “Cerebralis”.

Ai tha se nuk e sheh si problem faktin se ka përfituar nga ministria e drejtuar nga lideri i KDTP-së. Ai ka konfirmuar se është anëtar i kësaj partie.

Kjo organizatë ka marrë nga MAP-i një shumë prej 1 mijë e 440 eurosh.

Edhe Fatma Shufta, drejtuese në organizatën “Shoqata a Vëllazërisë së Karavanit të Kosovës / Kosova Kardeşlik Kervanı  Derneği”, është anëtare e KDTP-së.

Kjo organizatë ka përfituar 1 mijë e 500 euro.

“Unë jam anëtare në KDTP por me OJQ  kam konkurru edhe në ministri të tjera dhe kam marrë subvencione. Unë nuk mendoj që përbën konflikt interesi,” thotë Shufta për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë Ferhat Dervis i organizatës “Filizler Turkish Cultural and Artistic Society”, fillimisht e pranoi se është anëtar në KDTP, ndërsa më vonë e mohoi këtë.

Dervis tha se ka fituar subvencione si çdo organizatë tjetër joqeveritare.

“Unë nuk jam anëtar në KDTP. Edhe me qenë unë kam marrë subvencion se kemi pasë projekte edhe në Ministrinë e Kulturës. Nëse është Mahiri aty ne nuk domethënë që nuk mundemi me marrë,” tha Kazaz.

Kjo organizatë ka përfituar 3 mijë euro nga MAP-i.

Një tjetër përfitues është Etem Kazaz,  president i organizatës “Rumeli-Turkish Theatro Artists of Kosovo”.

Kjo organizatë ka përfituar nga MAP-i një shumë prej 3 mijë e 230 eurosh.

Kazaz nuk dha përgjigje kur u pyet lidhur me anëtarësinë në KDTP. Por emri i tij figuron në listat e partisë KDTP që udhëhiqet nga Yagcilar.

Gjetjet e auditimit

Mënyra se si janë dhënë subvencionet gjatë vitit të kaluar nga Ministria e Administratës Publike është kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

ZAP-i ka publikuar gjetjet në korrik të këtij viti. Auditorët nuk janë marrë me emrat e drejtuesve të OJQ-ve, por vetëm me procedurat e përfitimit të subvencioneve.

Kanë gjetur shkelje të procedurave për subvencionet e ndara për katërmbëdhjetë organizatat joqeveritare që u mbështetën gjatë vitit 2014.

Auditorët konkluduan se Ministria e Administratës Publike kishte bërë thirrje për aplikim për subvencionim, por nuk posedonte listë të OJQ-ve që kanë dorëzuar projektet për mbështetje financiare.

Auditorët konkluduan, po ashtu, se ministria nuk kishte bërë marrëveshje/kontratë me përfituesit e subvencioneve për të përcaktuar mënyrën e shfrytëzimit të parave dhe raportimit për shpenzimin e tyre.

Shkelje tjetër ishte edhe moscaktimi i një zyrtari për monitorimin e realizimit të projekteve nga OJQ-të përfituese.

 “Moszbatimi i rregullores si dhe dhënia e subvencioneve pa bërë marrëveshje me përfituesin, mund të rezultojë me shpenzim jo të mirë të parasë publike duke shmangur qëllimin e dhënies së subvencionit,” thuhet në raportin e auditorëve.

Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje Ministrisë së Administratës Publike për të komentuar gjetjet e auditimit.

MAP-i kundërshtoi gjetjet e auditimit.

Ministri Yagcilar, nëpërmjet Zyrës për Media, deklaroi se ministria që ai drejton nënshkruan marrëveshje me përfituesit e subvencioneve dhe kryen monitorimin e tyre.

“Të gjitha OJQ-të janë të obliguara të raportojnë për aktivitetet dhe shpenzimet. Ne të kundërtën nuk kanë drejtë të aplikojnë për subvencione,” tha Yagcilar.

Ministri nuk komentoi gjetjen e auditorit që tregon se MAP-i nuk ka listë të OJQ-ve që kanë dorëzuar projekte për subvencionim.

“Ministria e Administratës Publike posedon listën e OJQ-ve, që i kanë plotësuar kriteret e parashikuara  me Rregulloren e Brendshme nr. 01/2014 për Ndarjen e Subvencioneve,” tha Yagcilar, nëpërmjet Zyrës për Media, por pa komentuar se pse ministria nuk posedon edhe listën e organizatave që nuk janë mbështetur financiarisht.

Ndërkaq, përfaqësuesit e këtyre organizatave joqeveritare, kanë thënë se e kanë dërguar listën me shpenzime dhe aktivitete në MAP dhe se kanë nënshkruar kontrata.

I vetmi që ka thënë se nuk ka nënshkruar kontratë është Ferhat Dervis.

“Jo nuk kam pas kontratë me ministrinë, por unë i kam dorëzuar projektet. Kontratë nuk ka pasur.  Vetëm ka ardhur vendimi që janë ndarë mjetet. Formularët i kanë dërguar në ministri. Ministria e ka kërkuar formularin edhe unë e kam dorëzuar në vitin e kaluar,” tha Dervis.

Ndërsa Tyrkan Basha, tha se është nënshkruar kontrata.

“Po ne kemi bërë kontratë. Ne i kemi bërë krejt raportet,” tha ai.

“Ne kemi bërë kontratë me Mahirin. E di që e kemi bërë një kontratë,” ka thënë gjithashtu Etem Kazaz.

Edhe Fatma Shufta theksoi se pa e nënshkruar kontratën nuk ka mundur që t’i marrë mjetet.

“Unë kam pasë kontratë. Pa pasë kontratë nuk kam mujt me marrë subvencionin. Raportet krejt i kam dërguar. Krejt raportet i ka ministria,” tha ajo.

Kurse, Muhamed Erdogan, tha se listën e aktiviteteve e ka dorëzuar me projekt në ministri, ndërsa për kontratë nuk ka dhënë përgjigje.

Teksti i kontribuoi edhe Ismail Gashi