Fillimi i Fundit të EULEX-it

Në një bisedë që kisha me një zyrtar të lartë brenda BE-së si pjesë e diskursit standard që kanë dhe në kontekst të kritikave ndaj EULEX-it më tha me një vetëbesim se “si ka mundësi që qytetarët në Kosovë (dhe Bosnjë) janë aq kritikë ndaj bashkësisë ndërkombëtare?” 

Ne (bashkësia ndërkombëtare) kemi sjellë paqen, prandaj duhet të jeni të kënaqur”. Kjo deklaratë m’u duk cinike, e po aq lineare me të cilën misionet ndërkombëtare ende nuk mund të dalin prej parimeve të tyre fillestare të periudhës së paskonfliktit. 

Për më shumë, fshehin dobësitë në proceset zhvillimore dhe sundim të ligjit nën petkun e paqes, sado e shtrejtë dhe e vlefshme që është ajo. Nga kjo logjikë nuk përbëjnë përjashtim dizajnuesit dhe disa nga zbatuesit e EULEX-it, prandaj po fokusohem në të.

Në fakt, vlerësimin e misionit të EULEX-it nuk do ta kisha bërë si inercion ndaj raportimeve të fundit për korrupsion të mundshëm. 

Mendoj që është jo e logjikshme që të bëjmë vlerësimin e së ardhmes së këtij misioni mbi bazën e një rasti, kur psh, raste të tilla të korrupsionit janë në baza ditore e javore në gjyqësorin kosovar. 

Ajo çka duhet vlerësuar është se a na duhet ende prania e EULEX-it? Konsideroj që kjo duhet të vështrohet nga disa pikëpamje: 

Fillimisht, EULEX-i nuk ka arritur që të ketë sukses në zbatimin e mandatit të tij, sidomos në raport me pritjet, financat dhe periudhën prej 6 vjetësh. Rezultatet në gjyqësor ishin të kufizuara dhe atë të fokusuara vetëm në disa raste “periferike”, përderisa ato më kryesore mbetën pa u përfunduar edhe pas një periudhë të gjatë. 

Këtë nuk e bënin vetëm gjyqtarët dhe prokurorët të cilët vinin për 6 muaj dhe ktheheshin në vendet e tyre, problemi këtu kishte të bënte edhe me sigurimin e dëshmitarëve, dobësi kjo që gjithsesi do t’i atribuohet edhe këtij misioni. Pastaj mos të harrojmë se prania e Policisë së EULEX-it ishte e panevojshme në raport me nevojat, fillimisht kishte përshtypjen që më shumë kishte monitorues të misionit nëpër stacione policore, sesa vetë policë kosovarë. 

Kishte monitorime të kota deri edhe në policinë e trafikut pa u fokusuar në vështirësitë reale – luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.  

Së dyti, EULEX-i në formën e një misioni ndërkombëtar nuk dallon nga misionet tjera tradicionale të Kombeve të Bashkuara, sidomos në kontekst të definimit që ata ia bëjnë (mekanizëm i parandalimit të krizave). 

Kjo paraqiste një shkëputje të tërë me realitetin në terren ku BE-ja me dashje apo pa dashje, nuk i përcillte zhvillimet në terren dhe si rrjedhojë edhe ridizajnimin e misionit thjesht në kontekst të shtet-ndërtimit e jo të parandalimit të krizave. 

Po ashtu, mos të harrohet se misionet ndërkombëtare në formatin e EULEX-it kurrë nuk mund të zëvendësojnë kapacitetet vendore, sado të kufizuara të jenë ato. 

Në të kundërtën, do të kemi rastin e Qipros apo Malit në Afrikë ku misionet ndërkombëtare, sado të padëshiruara, vazhdojnë të qëndrojnë në këto vende. Në këtë kontekst, as Kosova nuk përbën përjashtim për arsye se shumë shpejt do të dalin gjetje interesante lidhur me krizën e legjitimitetit të EULEX-it që do të publikohen nga Barometri Kosovar i Sigurisë në dhjetor të 2014-ës. Dhe nuk ishte rastësi se pa pompozitetin e lajmeve për EULEX-in, pra në tetor të 2014-ës, qytetarët dhe atëherë në shumicë, kishin mendime që ky mision do të duhej tanimë të tërhiqej, apo do të duhet të qëndrojë më së shumti edhe një vit. 

Si rrjedhojë, ka një zhvlerësim të ftesës së institucioneve vendore për praninë e EULEX-it si rezultat i mungesës së mbështetjes popullore. 

Dhe argument i fundit dhe jo i vetëm, prania e EULEX-it ka implikime në politikën e jashtme të Kosovës për arsye se prezenca e një misioni të tillë do të vazhdojë të ushqejë argumentet e shteteve kundërshtuese të shtetësisë së Kosovës nën justifikimin se Kosova reflekton më shumë protektorat ndërkombëtar sesa shtet. Sepse, me automatizëm ky mision në parim reflekton një kalim nga misioni i UNMIK-ut në EULEX – gjë që këtë përceptim anëtarët e EULEX-it nuk kanë mundur ta eliminojnë.

Si të veprohet tutje? 

Sigurisht se kjo gjendje varet nga elita politike e cila vazhdon të ketë elemente varësie ndaj pranive ndërkombëtare. Megjithatë, viti 2016 duhet të konsiderohet absolutisht viti i fundit i këtij misioni ku deri atëherë duhet bërë kërkesa dhe presion pozitiv që ky mision t’i përmbyllë rastet e krimeve të supozuara të luftës dhe rastet e krimit të organizuar. 

Është më se e qartë se duhet të bëhet bartja e kompetencave finale te vendorët në periudhën e ardhshme 18 mujore. 

E për ata që ende besojnë në formën e tillë të pranisë ndërkombëtare, mendoj që ka përgjigje: Zyra e BE-së në Kosovë, pas 2016-ës mund ta themelojë një mekanizëm të përkohshëm të ankesave të mundshme, në rast se qytetarët e Kosovës kanë dyshime lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të gjyqësorit kosovar (rastet penale). 

Kësisoji, numri i ankesave do të shërbente si mjet i BE-së që të bëjë presion tek institucionet e Kosovës dhe posaçërisht Qeveria në vendosjen e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit. I gjithë ky vlerësim do të bëhej në kontekst dhe vetëm në linja të integrimit të Kosovës në BE. 

E për rastet civilo-juridike, procesi i largimit të EULEX-it duhet të bëhet në përputhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) që deri më 2016 duket mundësi reale. Si pjesë e KE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të fillonin të shfrytëzonin mjetin e fundit gjyqësor (pas shterimit të mjeteve juridike në Kosovë) – atë të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.