Si “Vdiq” Naman Demolli në Siri

Në muajin nëntor 2012, mediat shqiptare raportuan për vdekjen e një shqiptari në luftimet në Republikën Arabe të Sirisë.

Titujt “bombastikë” pushtonin ballinat e mediave të shkruara dhe edicionet e lajmeve të televizioneve e radiove. Këtë, normalisht e bënin edhe portalet (s’ka mbetur njeri më pa krijuar portal në ditët e sotme teknologjike!).

Të gjithë vraponin se kush më parë do ta jepte lajmin për vrasjen e, siç e raportuan ato, Naman Demollit. Madje kishte kronika të titulluara me lloj-lloj etiketimesh si “Xhihadi i Namanit”, “Misioni Vetëvrasës”, “Vritet Vullnetari Kosovar që Luftonte Kundër Assadit” etj. Vazhdohej me përshkrime si: “U shpëtoi plumbave të regjimit serb, por jo edhe atyre të regjimit të Bashar Al Asaddit. Ish-luftëtari i UÇK-së, Naman Demolli, u plagos në malet e Kosovës në vitin 1999, mirëpo pas 13 vitesh ai u vra në një betejë në Siri”.

Në një rast, agjencia ina-online.net raportonte ndër të tjera se “Demolli ka qenë me studime në këtë vend…Ai u vra të mërkurën në lokalitetin Tbilisi”. I kam pyetur familjarët dhe ai e kishte kryer shkollën e mesme në Prishtinë ndërsa nuk kishte fakultet. E Tiblisi është emri i kryeqytetit të Gjerogjisë 🙂

Mirë që raportuan,  po a kishin redaksitë një reporter të tyre dëshmitar të kësaj ngjarje? Pasi nuk kishin, cili ishte burimi i mediave tona për këtë raportim? Si ka mundësi që të raportojnë vdekjen e dikujt pa a verifikuar mirë informacionin i cili është shpërndarë më një “copy/paste” gjithandej, duke filluar nga Tetova, vazhduar me Prishtinën deri në Tiranë?

T’i hedhin atëherë një shikim raportimit të TV “Klan Kosova”, i njohur për lajme kualitative, pasi që ky medium ka provuar dhe të paktën ka folur me familjen. Materiali mund të shikohet në vegëzën e poshtëshënuar: http://youtu.be/NaD-hopf1_s

“Kosovari Naman Demolli është vrarë në Siri”, konfirmon titulli i lajmeve qëndrore të mërkurës së fillim-nëntorit 2012 të Klan-it. Vazhdohet tutje me elaborimin se besohet se Namani ishte pjesëmarrës në një sulm vetëvrasës që, sipas Klan Kosovës, qenka kryer në provincën Hama. Raporti vazhdon duke thënë se familjarët nuk kanë dashur që ceremonia e hapjes së derës për ngushëllime të filmohet nga mediat e aq më pak të kenë dashur të flasin për këtë temë. Vazhdohet me atë se familjarët i kanë thënë Klan Kosovës se lajmin e kanë marr nga shqiptarët e tjerë që kanë qenë duke luftuar me Namanin.

Së pari, në kronikë thuhet se “Namani është vrarë në mision vetëvrasës”, ndërsa tutje vazhdohet duke thënë se ai “është varrosur…”.  Më vjen keq, por nuk keni çka të varrosni pas një sulmi vetëvrasës të kësaj natyre, pasi që në raste të tilla kryesisht nuk gjendet asnjë pjesë e trupit të njeriut. Aq më pak, në një rast vetëvrasës i cili ka rezultuar me vrasjen e mbi 50 ushtarëve të forcave qeveritare siriane, siç thotë raporti. Por, sidomos, nuk ka konfirmim të kësaj varrosje. 

Kështu, deri më tash, kemi vendngjarjen e sulmit dhe lajmin për varrosje të gabuar ose të pambështetur në fakte. Nuk jam duke tentuar t’i mësojë askujt diçka, por thellësisht besoj se ne duhet të merremi me përmirësimin e detajeve të këtilla – për të rritur kështu edhe kualitetin e gazetarisë sonë edhe kujdesin për publikun.

Kthehemi te vrasja.

Më 10 Nëntor 2012, më është konfirmuar nga autoritetet e marrëdhënieve me media të forcave opozitare të armatosura në Republikën Arabe të Sirisë se një shqiptar është i vrarë në luftimet e 5 Nëntorit 2012 në provincën “Al-Hasakah, Governorate SYRIA”, i pari shqiptar ky i vrarë në këtë luftë civile që kur shqiptarët janë angazhuar për t’i përkrahur forcat rebele – nga muaji qershor 2012. Në Siri, konflikti tanimë hyn në muajin e 21-të të zhvillimit duke marrë më shumë se 40 mijë jetë njerëzish, përfshirë këtu gra dhe fëmijë, dhe duke shkaktuar një dyndje prej më shumë se 2.5 milionë banorësh vetëm brenda territorit sirian, sipas të dhënave të raportuara nga mediat dhe aktivistët të cilat janë të evidentuara si kredibile nga Kombet e Bashkuara dhe organizata për të drejtat dhe liritë e njeriut HRW (Human Rights Watch).

Por, kjo zyrë për media nuk mundte të ofrojë informacion lidhur me prejardhjen e shqiptarit të vrarë e as identitetin e tij.

Pas paraqitjes sime në emisionin “Info Magazine” të televizionit KLAN si dhe dhënies së një prononcimi për të përditshmen Koha Ditore, unë jam kontaktuar nga familjarët e Namanit.

 “Neve na ka thirr dikush n’telefon, edhe veç ka thanë ‘Namani o dekë’. As nuk e kemi ni mirë bile edhe qaq e ka pas ajo. Vllai jem a ki mundsi me na ndihmu me e ditë çka o ka bohet me këtë punë, a është gjallë vllau i jonë a jo?” . Më thanë se vendimin për të hapur të pamen e kanë marrë pasi që ngjarja ishte raportuar në media. Familjarët madje nuk ma konfirmuan nëse ata e dinin se Namani kishte shkuar për Siri. Ata e dinin që Namani iu kishte thënë se do të udhëtonte drejt Turqisë, pa e konfirmuar ndonjëherë në familje nëse kishte në plan Sirinë.

Gjatë pjesës së dytë të muajit nëntor, autoritetet britanike kanë njoftuar të motrën e një shqiptari nga Shqipëria së ata dyshojnë që vëllai i saj është i vrarë në provincën al-Hasakah në Siri. Edhe autoritetet shtetërore të Mbretërisë së Bashkuar kanë konfirmuar se janë të informuara për vdekjen e vetëm të një shqiptari që kur shqiptarët kishin nisur të bashkoheshin me forcat rebele. Sipas informacioneve që ata pretendojnë se i posedojnë, shqiptari i vrarë në Siri në muajin nëntor, potencialisht mund të jetë Anri Maliqi nga Shqipëria, por që ende nuk mund ta konfirmojnë vërtetësinë e pohimeve dhe informacioneve të tyre që kanë në dispozicion.

Kam hasur edhe në “facebook” individë të caktuar të cilët pretendojnë se e dinë që Naman Demolli është i vrarë, por as ata nuk pranojnë që pohimet e tyre t’i nënshtrohen verifikimit.

Sërish kam qenë në kontakt të shtunën me vëllain e Namanit, dhe ata ende nuk kanë asgjë tjetër pos hamendësimeve që u vinë se anëtari i tyre i familjes është vrarë. Vetëm se tani atyre u ishte thënë se ai ishte vrarë në Aleppo.

Si rrjedhojë, konsideroj se ky lajm i vrasjes nuk është kredibil. Natyrisht që është vështirë të verifikohet, por është po ashtu e mundshme që të mos raportohen lajme të cilat garantojnë më shumë huti sesa informacion të vërtetë për publikun. Nëse lajmin e ke bazuar në atë se “familjarët besojnë se…”, përse e ke titulluar “vritet…” dhe ke konkluduar “vetvritet…”? Sepse, ka një dallim mes raportimit se dikush është vrarë dhe atij se besohet se dikush është vrarë.

Duke qenë se të tilla informacione aq të rënda, si të pa verifikuara si duhet ndikojnë në mirqënienin psikologjike të grupeve që janë subjekt i tyre, mendoj se botuesit dhe redaktorët duhet të jenë shumë më të kujdesshëm në atë se çfarë i ofrojnë publikut.

Në këtë rast, nuk është e sigurt as që është vrarë dhe as që është varrosur Naman Demolli.  Informacionet zyrtare, sugjerojnë se ka mundësi që shqiptari i vetëm i vrarë në rebelimin e Sirisë është nga Shqipëria. Vetëm besohet se Demolli kishte shkuar në Siri dhe besohet se ai mund të jetë vrarë – bazuar në një telefonatë të shkurtë nga dikush, që familja në Prishtinë kishte pranuar një natë nëntori.

Vedat Xhymshiti kishte qëndruar për pesë muaj në Republikën Arabe e Sirisë prej ku kishte raportuar për revistën prestigjioze Gjermane “Der Spiegel” si dhe ka bashkëpunuar me media të shumta prestigjioze amerikane dhe europiane. Nga atje ai kishte shkruar edhe një reportazh në gjuhën shqipe për Gazetën Jeta në Kosovë me titullin “Aleppo dhe Revolucionari i Panjohur”.