Ka Kaluar Afati – Ish-punëtorët Nuk Marrin Pagat

Rreth një muaj më parë, kur ish- punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut hynë në grevë shkaku i mospagesës së mjeteve të tyre, kryeministri Hashim Thaçi i vizitonte dy herë në ditë në tendën që ata kishin ngritur para ndërtesës së Qeverisë. 

“Jam me ju, e kam nxjerrë vendimin e Qeverisë, nesër prej Kuvendit të Kosovës pritet që krejt partitë politike aty me votu, edhe me shti në rend ditës, mundësisht me u majtë seanca nesër pasdite, ose më së largu të martën, edhe me u përmbyllë një herë e përgjithmonë kjo punë”, thoshte kryeministri Thaçi më 16 mars para ish-punëtorëve. 

“Nuk kemi nevojë me nejtë këtu, është torturë për ju, është padrejtësi ndaj jush, ndaj familjeve tuaja, ndaj të gjithëve. Jam i vendosur me kry sa më shpejt që është e mundur”. 

Tri ditë pas, më 19 mars, me propozimin e Qeverisë Kuvendi i Kosovës mbajti seancë ku mori vendim përmes të cilit obligoheshin Qeveria e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, që brenda 30 ditësh të paguanin ish-punëtorët me 50 për qind të shumës së përgjithshme. 

Kjo shumë është rreth 26 milion euro, mjete me të cilat do të paguhen rreth 900 ish-punëtorë të këtij gjiganti ekonomik.  

Ish -punëtorët kërkojnë që t’u kompensohen pagat për kohën kur janë larguar me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999. 

Por as AKP-ja dhe as Qeveria nuk kanë kompensuar punëtorët edhe përkundër vendimit të fundit të Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 që i obligon  këto dy institucione të ndajnë rreth 26 milionë euro për punëtorët. 


Fabrika e Tubave

AKP: “Nuk kemi bord funksional për t’u kryer pagesat”

Agjencia Kosovare e Privatizimit, moskryerjen e obligimit për t’i bërë pagesat ndaj ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj e arsyeton me moskompletim të Bordit të Drejtorëve të këtij institucioni, ndonëse thotë se e kanë në dispozicion për shpërndarje fondin e mjeteve financiare.  

“Sipas nenit 14.7 në lidhje me nenin 15.2.7 të Ligjit për AKP-në, për të gjitha vendimet mbi pagesat të cilat duhet të bëhen nga të ardhurat që rezultojnë nga procesi i shitjeve me privatizim apo likuidim, decidivisht kërkohet vota pozitive e tre drejtorëve ndërkombëtarë në Bord”, thuhet në letërpërgjigjen që AKP-ja ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës më 15 prill 2014. 

Bordi i AKP-së, i cili emërohet nga Kuvendi i Kosovës, tashti funksionon në përbërje të pesë drejtorëve, dy prej të cilëve janë ndërkombëtarë. 

“Rrjedhimisht, vështirësitë e lartcekura organizative janë paraqitur si pengesa për realizimin e mëtutjeshëm të procedurës së likuidimit dhe shpërndarjen e fondeve për këtë ndërmarrje shoqërore dhe për një numër të ndërmarrjeve tjera shoqërore”, thotë Ylli Kaloshi, zëdhënësi i AKP-së. 

Kaloshi shpjegon  se Agjencia në letërpërgjigjen që i ka dërguar Kuvendit, e ka konsideruar nevojë urgjente kompletimin e Bordit të Drejtorëve me anëtarët përkatës të tij, në mënyrë që AKP-ja të jetë në gjendje të ushtrojë funksionet e saja ligjore.

“Këtu përfshihet edhe trajtimi adekuat dhe në përputhje të plotë me ligjin aktual, të kërkesës kreditore të ish-punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore IMK Fabrika e Tubave në Ferizaj dhe të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 19 mars 2014”, vazhdon Kaloshi. 

Por Ali Azemit, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj nuk i intereson se a ka AKP-ja bord ose jo.

“Ne dimë se afati ka kaluar dhe ne i duam paret tona, për të cilat të drejtë na ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, i tha gazetës Azemi.

Zyra e kryeministrit Thaçi, akoma nuk ka dhënë asnjë koment rreth kësaj çështjeje.