Komunitetet Vetëdijesohen për Edukim

Health For All, në bazë të projektit që është duke implementuar dy vitet e fundi, “Përmirësimi i pjesëmarrjes në edukim të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë”, po organizon fushata informuese dhe vetëdijesuese për regjistrimin e nxënësve në shkollë.  

Fushata organizohet gjatë muajit qershor, kur zyrtarisht fillon regjistrimi nëpër shkolla fillore. 

Kjo fushatë organizohet çdo vit në Fushë-Kosovë, Ferizaj, Lipjan dhe Klinë, sepse Health For All ka themeluar Klube rinore në këto vende për shkak të zgjerimit të aktivitetit të saj. Fushata ka mbështetje të gjerë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë, përkatësisht nga prindërit.  

Organizata në këtë aksion informues ka bashkëpunëtorët e saj, siç janë drejtoria komunale për arsim e Fushë Kosovës dhe organizatat joqeveritare të qyteteve të lartpërmendura.

Forma e organizimit të kësaj fushate është “derë më derë” dhe e takimit me fëmijë dhe prindër, ku vullnetarët me fletëpalosjet e përgatitura informuese, vizitojnë shtëpitë ku potencialisht mund të kenë fëmijë për regjistrim në shkollë. 

Në këto takime të përbashkëta me prindër dhe fëmijë flitet për rëndësinë e edukimit të brezave të rinj në nivelin fillor. 

“Vërehet se organizimi i fushatave informuese dhe vetëdijesuese për regjistrimin e fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian ka sukses, sepse numri i fëmijëve të regjistruar në shkollë çdo vit rritet,” thotë Kenan Hoti, koordinator për punë me të rinj në Health For All.

Në anën tjetër, OJQ “The Ideas Partnership” në bashkëpunim me organizatën e sipërpërmendur, bashkërendojnë fushatën, për të qenë të sigurt se çdo familje e komuniteteve është përfshirë në fushatë.

“The Ideas Partnership” e udhëhequr nga Elisabeth Gowing, e cila njihet shumë nga komunitetet në Fushë Kosovë, ka nisur punën në këtë qytet para dy viteve.

Vitin e kaluar, Gowing kishte takuar Gjelanen nëntë vjeçare e cila i tregon se nuk shkon në shkollë për shkak se nuk i lejohet. 

Dhe në të vërtetë, edhe pas tentimeve të Gowing në shkollën fillore në Fushë Kosovë dhe takimeve në ministrinë e arsimit për rastin e saj, Gjelane mbetet pa iu bashkëngjitur shoqeve të saja.

Mirëpo, Gowing merr përsipër një detyrë të re. Në takimin me Gjelanen, kjo e fundit pranon që Gowing të jetë mësuesja e saj. 

Gowing zbulon që në këtë qytet ka edhe vajza të tjera që nuk vijojnë mësimin. Ajo fillon në mars 2011 të shkojë shtëpi për shtëpi dhe brenda një dite ka gjetur 20 fëmijë që nuk janë në shkollë.

“Edhe nëse shkolla nuk do, edhe nëse prindërit nuk donë, nëse fëmija do mundet ta kryej shkollën me sukses”, Gowing i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Vitin e kaluar, ajo hapi një qendër me ndihmën e donatorëve të huaj dhe mëson 50 fëmijë në lëndët kryesore në matematik, gjuhë shqipe dhe anglishte dhe aktivitete të tjera edukative.

Sot, Gowing ka një listë prej 192 fëmijëve dhe personave të rritur që nuk shkojnë në shkollë. Ajo është duke biseduar me drejtorin e shkollës fillore në qytet për të parë mundësitë e përfshirjes së tyre në edukim.

Janë edhe dy OJQ tjera të cilat kanë aktivitete në Fushë Kosovë dhe kanë qëllimin e njëjtë në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve të komuniteteve në edukim. 

Fushata për vetëdijesim të shkollimit ka sjell sukseset e para ku sipas OJQ-ve në fjalë, deri më sot janë regjistruar 94 fëmijë në klasë të parë.