Ukrainë-Pafuqia e Artit Përballë Krismave

Sheshi “Maidan” i Kievit tashmë mban vetëm kujtimet e  një revolucioni të përgjakshëm për t’u afruar me Evropën dhe distancuar me Rusinë, por kjo po u kushton ukrainasve me luftë për mbrojtje të territorit, pikërisht nga shteti me të cilin nuk donin të mbanin lidhje të ngushta.

Që prej fundvitit të kaluar kur nisën protestat anti-presidentit Victor Yanukovych që ndërpreu rrugën evropiane dhe iu afrua Rusisë, frontet e kësaj “lufte” janë zgjeruar, e bashkë me to edhe idealet të cilat ukrainasit tentojnë të mbrojnë.

Në njërin prej këtyre fronteve gjenden artistët e Ukrainës.

Njëra nga to është edhe dramaturgia, poetja dhe përkthyesja ukrainase Neda Nezhdana.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, Nezhdana që është edhe drejtoreshë e Konfederatës së Dramaturgëve në Ukrainë, kallëzon sfidën dhe rrezikun e artistëve ukrainas në gjendje lufte, pafuqinë e artit për të ndryshuar gjërat dhe absurdin e propagandës pro-luftës të artistëve rusë.

Dhe mbi të gjitha, për pasojat që krejt kjo situatë mund të prodhojë. Neda Nezhdana ka një parandjenjë tmerruese.

“Kam frikë se do të fillojë një luftë botërore, sepse nuk ka mbetur ndonjë mënyrë tjetër sesi të ndalet Putini”, thotë Nezhdana, e cila ka ardhur në Kosovë në Festivalin e Letërsisë “Polip” që do të nisë të premten.

Krimeja-thikë pas shpine nga Rusia

E diplomuar në filologjinë frënge dhe kulturologji në Akademinë e Kievit, Nezhdana i ka ende të pastra kujtimet e ngjarjeve të marsit, kur edhe protestat në Kiev ishin tensionuar tepër.

“Unë isha njëra nga shumë artistët që patëm dalë në ‘Maidan’ për të kërkuar ndryshim, për të bërë revolucion. Të gjithë ne që ishim aty donim liri dhe dinjitet. Asgjë më shumë”, thotë Nezhdana, e cila drejton Departamentin e Dramës në Qendrën Kombëtare të Teatrit “Less Kourbass” në Kiev.

Por liria dhe dinjiteti do të zgjasnin vetëm tre ditë. Kur të gjithë mendonin se Ukraina mori drejtim të ri duke drejtuar sytë nga Evropa, Rusia çoi krye duke kërkuar territorin e jugut të Ukrainës, në Krime.

“Kjo ka qenë thikë pas shpine nga Rusia”, thotë Nezhdana, për të cilën, Krimeja nuk është i vetmi rajon që po vuan nga invazioni rus.

“Edhe në disa qytete në lindje të vendit ku flitet rusishtja po ndodh e njëjta gjë”, thotë Nezhdana, teksa situatën ruso-ukrainase e cilëson si artificiale.

“Rusia thotë se nuk ka liri të shprehjes për rusët në Ukrainë. Unë mbaj mend sesi në vendlindjen time rusët nuk e kanë pasur këtë problem. Edhe në teatër është folur rusisht. Tek tash u doli kjo mungesë lirie”, thotë dramaturgia, e cila ka themeluar teatrin “MIST” ndër më të njohurit në Kiev.

“Tash në qytezat e pushtuara nga rusët ukrainasit nuk guxojnë të flasin gjuhën e tyre”, thotë Nezhadna.

Ajo ka ardhur në Prishtinë, si e ftuar në edicionin e 4-rt të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip” që mbahet në kryeqytet nga 16 deri me 18 maj.

Organizuar nga Qendra Multimedia, “Polip” sivjet do të diskutojë edhe për Ukrainën dhe Krimenë, situata e së cilës është krahasuar edhe me rastin e Kosovës. Dramaturgia Nezhdana thotë të ketë dëgjuar për këtë lidhje mes Krimesë dhe Kosovës, por e cilëson si absurde.

“Në Krime, historikisht popullsia ka qenë e përzier. Autoktonë aty kanë qenë tartarët, të cilët nuk duan të jenë me Rusinë”, thotë Nezhdava.

Dramë për dramën në sheshin “Maidan”

Dramaturgia Nezhdana është njëra ndër më të njohurat në skenën e dramës në Ukrainë. Ajo gjithashtu mban edhe reputacionin e një përkthyeseje të dramave nga frëngjishtja dhe rusishtja.

Njëzet e pesë dramat e saj janë inskenuar në 74 teatro të botës si në Suedi, Rusi, Francë, Irak, ShBA e Australi.

Bile në Sydney, një vit më herët, një dramë e saj ishte vënë në skenë nga një trupë e aktorëve rusë. Kjo kishte bërë bujë në gjithë botën, pasi në atë kohë presidenti ukrainas zyrtarisht u afrua me Rusinë duke u thënë jo bisedave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjë që nxiti edhe protesta të egra.

Nezhdana nuk ka qenë vetëm pjesë e këtyre protestave. Madje krejt atë çfarë ka ndodhur atyre muajve ka inspiruar për të shkruar një dramë që për titull pune ka emrin e sheshit “Maidan”.

Flitet për transformimin e shpirtit të njeriut, ndërsa personazhet e dramës janë njerëz të cilët janë në gjendje kome nga pasojat e ngjarjeve në “Maidan”.

“Përpara se të bien në komë, ata po përjetonin transformimin e vendit të tyre, mbi idenë e lirisë. Kur zgjohen transformimi është krejt tjetërfare”, shpjegon Nezhdana.

Revolucioni në Ukrainë, thotë dramaturgia, ka inspiruar edhe shumë shkrimtarë të shkruajnë romane dhe shumë artistë të performojnë, duke reflektuar mbi atë çfarë ka ndodhur.

“Ky është fronti në të cilën kanë luftuar intelektualët në Ukrainë”, thotë Nezhdana.

Por kjo u ka kushtuar atyre rëndë. Nezhdana thotë se shumë prej atyre që kanë qenë aktivë artistikisht dhe fizikisht gjatë dhe pas revolucionit, janë torturuar dhe vrarë.

“Ka shumë intelektualë dhe artistë që janë pushkatuar në ‘Maidan’ dhe ka shumë të tillë që janë burgosur nga komandot rusë dhe tash për tash ende janë në burg”, thotë ajo.

“Të vdekur” artistët rusë përkrahës të Putinit

Edhe në Rusi, artistëve dhe intelektualëve u kushton rëndë nëse nuk e përkrahin invazionin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Por atje gjendja dallon shumë. Nezhdana thotë se njeh shumë artistë në Rusi, por me shumicën e tyre i ka ndërprerë kontaktet për arsye të qëndrimeve që ata kanë pasur për luftën.

 “Për mua është e çuditshme sesi njerëzit e kulturës mund të mbështesin luftën. Ka shumë artistë, intelektualë, e shkrimtarë që mbështesin luftën dhe idenë e Putinit. Kanë shkruar letra përkrahëse për atë që ka ndodhur në Krime. Për mua këta njerëz janë të vdekur”, thotë Nezhdana.

Të vetmit artistë kundër luftës në Rusi, sipas Nezhdanas janë rokerët dhe shkrimtarët urbanë.

“Por ata janë komunitet i vogël. Dhe shumë prej tyre janë arrestuar nga qeveria e Putinit”, thotë Nezhdana.

E keqja në këtë mes, sipas dramaturges ukrainase është se artistët në Rusi që mbështesin luftën dhe idenë e Putinit, kanë më shumë fuqi dhe njihen më shumë.

 “Propaganda e artit në Rusi është më e fortë. Ata dalin në televizione dhe gjithkah. Kësisoj qeveria ruse tregon se ata që nuk e mbështesin atë mund të përfundojnë keq”, thotë ajo.

“Ndërsa në Ukrainë, artistët që janë kundër kësaj lufte shtypen nga seperatistët pro-rusë”, shton Nezhdana.

Por a ka ndonjë shpresë për Ukrainën? Nezhdana është pesimiste.

“Shpresoj që do të bëhet mirë… Por çdo mëngjes zgjohem duke e menduar se kjo që po ndodh në vendin tim është thjesht katastrofale. Të jetosh në një vend që pushtohet për çështje nacionaliste është e tmerrshme dhe kam frikë se kjo nuk do të ndalet”, thotë ajo.