Perdja e Enver Hoxhës Mund Artin

Viti 1989 kishte shënuar rënien e “Perdes së hekurt” që ndante lindjen dhe perëndimin e Gjermanisë, por një ekspozitë e titulluar njëjtë e mbajtur në ish vilën e diktatorit të Shqipërisë, sistemi komunist i të cilit ra tek dy vjet më vonë, nuk ka arritur që të heqë perden mes një objekti të së shkuarës dhe memories kolektive që e morën si barrë disa artistë. 

Ekspozita “Perdja e hekurt” e cila ishte menduar si reflektim i artistëve me të kaluarën komuniste në Shqipëri dhe të ardhmes në demokraci, e realizuar në vilën në të cilën ka jetuar Enver Hoxha, është kthyer në një ngjarje në të cilën arti ka humbur përballë fuqisë së relikteve shtëpiake të diktatorit. 

Gjithashtu ekspozita nxiti zëra kundër mënyrës “komuniste” të organizimit të saj, duke krijuar lidhje mes dy sistemeve politike. Fakti se në ekspozitën të cilën organizatorët e quajtën “një tentim për të krijuar lidhje me të kaluarën statike” mund të hynin vetëm të ftuarit e tyre të cilët duhet të kishin pasaportë, ndërsa të tjerët mund ta shikonin ekspozitën në një ekran jashtë vilës së diktatorit, nga disa artistë u cilësua si një kthim në të kaluarën e vilës, në të cilën edhe në kohën e xhaxhit mund të hynin vetëm të ftuarit e tij.

Organizatorët thanë se çështja e të ftuarve kishte të bënte me numrin e kufizuar të njerëzve që zë shtëpia, por nga 150 të ftuar, aty nuk ishin as 100. Edhe pse  e organizuar nga Qeveria e Edi Ramës, në ngjarje nuk ishin të pranishëm as kryeministri e as ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. 


Performanca e Ema Andreas, artiste dhe njera nga organizatoret e ngjarjes

“Enver Hoxha është vetë ekspozita” 

Vila e diktatorit shqiptar ka një oborr të madh, forma e të cilit është ruajtur edhe 23 vjet pasi u braktis. Është mirëmbajtur kopshti me lule, ndërsa sinonimi i braktisjes është një fontanë që më nuk qet ujë. Ajo ishte hapur vetëm disa herë për qëllime protokollare shtetërore.

Të martën e 29 prillit ajo u hap për hir të një ekspozite, e cila mblodhi tetë artistë që u ftuan nga Fondacioni për Art Bashkëkohor M.A.M, puna e parë të cilit ishte pikërisht “Perdja e Hekurt”. 

Një kub i mbushur me akuj, brenda të cilit artisti dhe njëri ndër kuratorët e ekspozitës Klod Dedja tentonte të pinte pak ujë, ka qenë performanca e parë që të ftuarit e ekspozitës kanë parë. Një përformues i mbështjellë me çarçaf të bardhë tentonte të dilte jashtë, por artisti e ndalonte këtë. 

Aktorja Ema Andrea një tjetër performuese dhe gjithashtu organizatore, kishte rezervuar një sallë në të cilën mbi tavolinë të madhe thyente vezë në trupin e saj.

Të tjera performanca ishin bërë në banjën e vilës ku vaska ishte mbushur me shkumë ose të tjera ku një performuese e veshur si mumie lëvizte herë pas here. 

Por në fakt, publiku nuk ishte edhe aq i interesuar për performancat, sa për reliktet e shtëpisë së diktatorit. 

“Nuk është që nuk më pëlqen ekspozita, por për mua ekspozita është vetë kjo shtëpi dhe ato çfarë mban brenda”, tha Eri Alijaj, një nga të ftuarat që po hulumtonte nëpër librarinë  e Hoxhës.

Shumica e publikut kanë gjurmuar në dhomat e vilës, libraritë e Enver Hoxhës, apo fotografitë e ndryshme, teksa nuk kanë munguar as të tillët që kanë bërë “selfie” në banjën e diktatorit, apo në dhomën e gjumit. 

Megjithatë, dy organizatorët e ekspozitës thonë “Perdja e hekurt” ka qenë një proces që të 8 artistët kanë kaluar për të nxjerrë një përfundim mbi raportet e tyre me të kaluarën. 

“Të gjitha ndjesitë e tyre me këtë hapësirë, ndjesitë e tyre midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Midis kujtesës së manipuluar dhe të manipulueshme”, tha aktorja Ema Andrea. 

Kolegu i saj, Klod Dedja e cilësoi këtë ekspozitë si një ngjarje simbolike ku sipas tij, për herë të parë arti bashkëkohor në Shqipëri po tenton të krijojë një raport me të kaluarën statike.

“Për këtë arsye, zgjodhëm që të krijojmë “Perden e Hekurt” si një kontekst totalisht artistik, një proces të artistëve brenda kontekstit të simbolit të vogël, të bllokut të fundit komunist”, tha Dedja. 

Në Shqipëri, objektet që janë sinonim i sistemit komunist, sikurse Piramida ose fabrika të tjera, janë shfrytëzuar edhe më herët si hapësira artistike. 

Objektet e sistemit që mbajti Shqipërinë për 50 vjet të izoluar, në dekadën e fundit kanë ngjallur debat të nxehtë mbi mënyrën e trajtimit të tyre. Madje ka pasur edhe ide sikurse ato të Qeverisë së Berishës që disa pre tyre të rrënohen. 

Me ardhjen e Qeverisë së re në Shqipëri, të kryesuar nga piktori Edi Rama, qasja ndaj këtyre hapësirave ka ndryshuar. Por drejtues të qendrave artistike në Shqipëri, janë skeptikë nëse qasja e re ndaj objekteve të komunizimit do të prodhojë diçka të mirë. Sipas tyre, shembulli i ekspozitës në vilën e Enver Hoxhës tregon për një qasje të gabueshme. Për më shumë, sipas tyre është një kthim prapa.


Kolektivi artistik HAVEIT kanë reaguar kundër mënyrës së organizimit të ekspozitës, që sipas tyre i ngjanë me kohën e Enver Hoxhës

“Kthim në të kaluarën apo shikim nga e ardhmja?” 

Disa ditë përpara hapjes së  “Perdes së hekurt”, në mediat shqiptare u bë goxha zhurmë për atë sesi objektin e fundit komunist që nuk i kishte hapur portat, po e çelnin artistët. Kur nata e hapjes së ekspozitës po afrohej dhe buja për ekspozitën me të ftuarit ekskluzivë sikurse me artistin Sislej Xhafa po rritej, atëherë edhe zërat kundër saj u bënë më të zhurmshëm. 

“Me kanë ftuar, por e kam refuzuar”, tha Xhafa, pa treguar arsyen. Në vend të saj Xhafa dërgoi një video komike të një artisti italian që portretizon Papën Françesku teksa mban mbi shpinë një frigorifer si simbolikë për barrën që ai po mban në tentimin për të ndryshuar qasjen e Kishës Katolike në raport me disa fenomene, por që pengohet nga klerikët e tjerë në Vatikan.

“…edhe unë jam tu e pru frigoriferin në shpinë rrugës për në Tiranë”, tha Xhafa kur u pyet për arsyen e refuzimit. 

Por të tjerë kolegë të tij në Shqipëri kanë qenë shumë të drejtpërdrejtë në reagimet e tyre. 

Kuratorja e pavarur dhe drejtuesja e Qendrës për Art Bashkëkohor “Tirana Art Lab”, Adela Demetja, ekspozitën e ka cilësuar si shqetësuese për faktin që ajo zhvendos fokusin nga cilësia artistike e projektit tek akti i hapjes së hapësirës. Sipas saj, një ndërhyrje e tillë në vilën e Hoxhës, do duhej të ishte shoqëruar me një qasje kritike, teorike dhe historike me një analizë më të qartë dhe më të thelluar. 

Për Demetjen një ekspozitë e tillë që nuk ka një koncept artistik është veç një propagandë politike në shërbim të së cilës është vënë një grup i caktuar artistësh bashkëkohorë në Shqipëri që e kanë kthyer artin në një mjet në duart e politikës. 

Reagimet kundër kësaj ekspozite kanë ardhur edhe nga kolektivi artistik nga Prishtina “HAVEIT” të cilat ka një muaj që janë në rezidencë artistike në Tiranë. Grupi ka bërë një foto performancë të titulluar “Hanging on a Curtain” (Varur në një Perde) duke pozuar jashtë vilës së Hoxhës, të cilën e kanë postuar tetë orë para se ekspozita të hapej. Sipas katër anëtarëve të grupit, reagimi është bërë për mënyrën e organizimit të ekspozitës, e cila sipas tyre më së paku i shkon idesë së “thyerjes së perdes së hekurt” duke lejuar që brenda vilës që për shumë njerëz është sinonim i hapësirës së rezervuar për elitën politike të komunizmit të përsëritet e njëjta gjë.

“Me këtë ekspozitë, pra lejimin brenda të vetëm një ‘elite të kohës së demokracisë’, ideja e kësaj vile vetëm ta kujton izolimin e TJETRIT në kohën kur ajo përdorej nga Enver Hoxha”, thuhet në reagimin e “HAVEIT”. 

Një ditë pas ekspozitës, gjatë së mërkurës ka pasur reagime kundër edhe në rrjetet sociale. 

Bruno Ismaili, drejtuesi i programeve kulturore në “Tirana Ekspres” një hapësirë për artin bashkëkohor, objekti i së cilës u shkatërrua me ardhjen e Bashës në pozitën kryetarit të Tiranës, ka shkruar se “Perdja e hekurt” nuk qëndron tek arti, por tek mënyra sesi paraqitet ai. Objekti ishte shkatërruar për shkak të planeve urbanistike në kryeqytet. 

 Sipas tij, artistët pjesë e kësaj ekspozite janë dëshmi e ekzistimit të “shtrofullave borgjeze” të artit që performancat e tyre i mbyllin në “perdet e hekurta”.

E për shtëpinë e Hoxhës, kryeministri shqiptar Edi Rama në një bashkëbisedim me artistin Anri Sala që edhe e ka shok dhe kuratorin e njohur Han Ulrich Obrist kishte thënë se do të donte që vilën e Enver Hoxhës ta shndërronte në “një bujtinë për çdokënd që Hoxha do të kishte urryer t’i kishte rreth e rrotull” dhe sesi do që gjithë kopshtin rreth vilës ta hapë për publik. Njëjtë kishte menduar edhe artisti Anri Sala i cili edhe pse ishte paralajmëruar se do të vinte në “Perden e hekurt”, mungoi. 

Dy ditë pas ekspozitës, Rama tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “Perdja e hekurt” s’ka të bëjë me Qeverinë e tij, ani pse ajo ishte mbështetur nga dy ministra së kabinetit Rama. 

“Qeveria nuk bën ekspozita, ekspozitat i bëjnë artistët dhe ajo nuk ishte ekspozitë, por shfaqje”, tha Rama. Ai tha se qëndron prapa idesë që objektet e komunizmit duhet të hapen për publikun, por që ky është një proces i cili duhet të kalojë nëpër një debat publik.