Komisioni i Politizuar i Mediave

Dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, Vesna Jovanoviq dhe Nevzat Hydaverdi, dalin të mos jenë të pavarur politikisht, pasi u angazhuan gjatë fushatës parazgjedhore që po i paraprin zgjedhjeve lokale të përcaktuara të mbahen më 3 nëntor në Kosovë.

Nevzat Hydaverdi është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor si kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës përmes partisë turke, Kosova Turk Birligi. 

Anëtarja tjetër e KPM-së, Vesna Jovanoviq, po ashtu është gjetur duke kryer aktivitete politike në emër të Iniciativës Qytetare Serbe për Partesh. 

Komisioni i Pavarur i Mediave është trup i pavarur, i themeluar nga Kuvendi dhe menaxhon frekuencat e transmetimit në Kosovë. 

Profesoresha e gjuhës serbe, Jovanoviq, është emëruar anëtare më 30 janar 2013, ndërsa mandati i saj skadon më 30 janar 2016, kurse kimisti Hydaveri është bërë pjesë e KPM-së më 30 gusht dhe ka mandat dyvjeçar.

Pjesëmarrja në aktivitete politike përbën shkas për largimin nga puna të anëtarëve të KPM-së, bazuar në ligjin për KPM-në.

Emrat e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, Nevzat Hydaverdi dhe Vesna Jovanoviq,  janë dërguar në zyrën ligjore të Kuvendit të Kosovës.

Kam informuar Kuvendin e Kosovës për dy anëtarët të cilët mund të jenë në konflikt interesi, tha kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Shefki Ukaj. “Do të sillemi konform ligjit”.

Por edhe Shefki Ukaj akuzohet se shkeli ligjin e KPM-së, kur nuk tregoi angazhimin e tij politik, si këshilltar komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa aplikonte për anëtar të KPM-së në Parlamentin e vendit.

“Edhe Shefki Ukaj kur është zgjedhur, ka mbajtur të fshehtë pozitën e asamblistit në kuvendin komunal të Prishtinës”, tha Idriz Vehapi, deputet dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Media.

Ukaj thotë se kjo punë ka përfunduar para 14 muajsh dhe në momentin kur është zgjedhur nga deputetët për anëtar të KPM-së, ai ka ofruar dorëheqje në asamblenë komunale.

“Nuk e di pse këta deputetë e përmendin tani këtë”, tha Ukaj. 

“Është inicativë personale për të ndihmuar Inciativën Qytetare Serbe”

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar javën e kaluar se Vesna Jovanoviq është angazhuar politikisht, ndërsa KPM-ja fillimisht ka mohuar një angazhim të tillë.

Vetë anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, Vesna Jovanoviq thotë se nuk merret me aktivitete politike, por ka ndërmarrë nismë personale për ta ndihmuar Iniciativën Qytetare Serbe për Partesh. 

Mirëpo, Gazeta Jeta në Kosovë ka në posedim një incizim të bisedës telefonike me Jovanoviqin,  ku ajo flet nga pozita e zëdhënëses së Iniciativës dhe po ashtu një email të saj ku ajo figuron e  nënshkruar si shefe e shtabit zgjedhor.

“Ky ka qenë një lëshim imi personal. Nuk jam askund në ndonjë pozitë politike për zgjedhjet lokale”, i pat thënë Jovanoviq Gazetës JnK.

Jovanoviq shihet edhe në disa foto të postuara në Facebook ku ajo aktivisht merr pjesë në tubime politike. 

Komisioni parlamentar për media, që monitoron punën e KPM-së dhe bën përzgjedhjen e anëtarëve të saj, thotë se është në dijeni për përfshirjen e dy anëtarëve të KPM-së në aktivitete politike. 

Deputetja Xhevahire Izmaku që është anëtare e këtij komisioni, thotë se ka parë e-mailin që Jovanoviq u ka dërguar disa mediave, ku ajo është nënshkruar si shefe e shtabit zgjedhor.

Kryetari i këtij komisioni, Idriz Vehapi po ashtu thotë se ka kuptuar nga mediat për përfshirjen e dy anëtarëve të KMP-së në aktivitete politike.

“I kam thënë [Shefki] Ukajt se ai duhet të informojë zyrën ligjore të Kuvendit të Kosovës për këtë çështje. Kuvendi i ka emëruar ata”, tha Vehapi.

Hydaverdit nuk i lejohet tërheqja nga gara zgjedhore

Nevzat Hydaverdi i është futur garës në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor, për asamblenë komunale të Prishtinës, si kandidat i partisë turke – Kosova Turk Birligi. 

Por ai me 2 tetor ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tërheqjen e tij nga lista për anëtar të kuvendit komunal të Prishtinës.

Sipas vendimit të PZAP-së, Hydeverdi ka theksuar se gara e tij në zgjedhje mund të jetë në kundërshtim me ligjin për KPM-në, ku cekë pikërisht nenin 14 që flet për shkarkim.

Hydaverdi i ka shkruar PZAP-it se ai nuk ka asnjë post udhëheqës në parti dhe se nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet politik si dhe nuk ka planifikuar që të bëjë fushatë zgjedhore.

Ndërsa, PZAP-i ka hedhur poshtë kërkesën e Hydaverdit me 3 tetor, sepse kërkesa e tillë duhet të bëhet dy ditë para se të mbahet dita për hedhje të shortit. Tërheqja e shortit ishte bërë më 19 shtator. 

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme, nëni 28, pika 28.1 thotë: “Subjekti politik i certifikuar mund të tërhiqet nga procesi zgjedhor duke i dorëzuar KQZ-së një njoftim me shkrim me të cilin shpreh qartazi qëllimin për tërheqje jo më vonë se dy (2) ditë të punës para datës së caktuar për hedhje të shortit për zgjedhje, të përcaktuar sipas nenit 24.1 të këtij ligji”.

KPM-ja aktualisht ka pesë anëtarë, ndërsa së fundmi ka hapur konkurs të ri duke kërkuar emra për të plotësuar dy vende bosh. 

Gjatë shtatorit, Besim Zeqiri dhe Driton Qeriqi, që kandiduan për pozitën e anëtarit të KPM-së nuk siguruan vota të mjaftushme nga Parlamenti. Nga votat e 89 deputetëve, Zeqiri mblodhi 27 vota ndërsa Qeriqi 43. Të pavlefshme u shpallën 19 vota.