Krasniqi Kompensohet 500 Euro Për Drejtim Seancash

Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, për çdo muaj merr 500 euro vetëm për drejtim të seancave parlamentare. 

Për këtë detyrë, ai u kompensua me 6,000 mijë euro në vitin 2012.

Krasniqi – i cili vitin e kaluar ka deklaruar pasuri të paluajtshme prej 375,000 eurosh dhe një veturë Chevrolet dhuratë – paguhet edhe 2,325 euro në muaj me rrogë të rregullt në pozitën e kryetarit të kuvendit.

Ai merr edhe 5 euro tjera shtesë për çdo ditë pune. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kuptuar se në përgjithësi deputetët e Kuvendit të Kosovës paguhen mesatarisht rreth 25 mijë euro në vit. Në këtë llogaritje përfshihen pagat mujore, kompensimet funksionale, shpenzimet e udhëtimeve dhe pagesat ditore për deputetët.

Pagat e tyre janë më të larta se të kolegëve në Shqipëri ose Maqedoni. Sipas një raportimi të 4 dhjetorit nga Balkan Insight, paga mesatare e deputetëve të Maqedonisë, duke përfshirë angazhimin nëpër komisione të ndryshme, arrinte në 1.100 euro ose ishte tri herë më e lartë se paga mesatare në Maqedoni. Në Shqipëri, paga e deputetit arrinte rreth 1050 euro, sipas gazetave Temave dhe Shekulli (shkurt 2012).

Në Britaninë e Madhe paga mesatare është 31 mijë euro në sipas një raportimi të BBC-së të 22 nëntorit 2012, vit ndërsa paga vjetore e deputetit është 77 mijë euro në vit ose pak më shumë se dyfishi i së parës.

Gazeta ka bërë llogaritjen e përfitimeve financiare të deputetëve kosovarë bazuar në dokumentet e siguruara përmes kërkesave për qasje në dokumente publike.

Paga aktuale vjetore e një deputeti kosovar është 17,856 euro ndërsa e kryeparlamentarit është 27, 900 euro.

Në krahasim me pagën mesatare në Kosovë prej 250 eurosh, deputetët kanë të ardhura rreth tetë herë më shumë sesa qytetarët e Kosovës.

Nënkryetarët e Kuvendit paguhen nga 2,000 euro ndërsa deputetët nga 1,488 euro.

Por kur deputetët marrin pjesë në seanca parlamentare dhe në punime komisionesh – aty ku shkruhen ligjet – ata paguhen prapë në emër të “kompensimeve funksionale”.

Nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Glauk Konjufca, Petar Miletic dhe Enis Kervan kompensohen me nga 400 euro në muaj ose 4,800 euro në vit.

Secili deputet merr përafërsisht 3,300 euro në emër të këtyre kompensimeve në vit ose 240 euro në muaj, me përjashtim të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit që paguhen më shumë.

Kur ndonjë nga deputetët udhëheq komision të përhershëm – siç është rasti me Safete Hadërgjonajn, Goran Marinkoviqin, Arben Gashin dhe Lutfi Hazirin – ata kanë të drejtë në një pagesë shtesë prej 4,800 eurosh në vit. Ata të komisioneve funksionale, si për shembull Albin Kurti ose Idriz Vehapi, marrin 3,000 në vit.

Edhe pjesëmarrja e deputetëve si anëtarë të thjeshtë në 13 komisionet që ka Parlamenti paguhet me nga 1,920 euro. E nëse të njëjtit marrin pjesë në komisione të dyta, paguhen edhe me nga 80 euro të tjera.

Deputetët më të paguar me kompensime funksionale gjatë vitit 2012, sipas listës së siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, janë Xhavit Haliti, Safete Hadërgjonaj dhe Adem Grabovci nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, Sami Hamiti, Lutfi Haziri dhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ardian Gjini nga Alenca për Ardhmërinë e Kosovës, Visar Ymeri, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetvendosje!, Myzejene Selmani nga Koalicioni për Kosovë të Re dhe Sasa Milosoavljeviq dhe Goran Marinkoviq nga Partia e Pavarur Liberale Serbe.

Të gjithë këta deputetë janë paguar me rreth 5000 euro për vitin 2012 vetëm për kompensime funksionale. (shih dokumentin)

Sipas sekretarit të kuvendit, Ismet Krasniqi, përveç të ardhurave të rregullta, “secili deputet merr 5 euro për çdo ditë pune”.

Disa nga deputetët e Kuvendit thonë se paga nuk është e lartë dhe duhet të merret parasysh fakti që deputetët pas manditit nuk mund të punojnë menjëherë në institucione publike.

Për Safete Hadërgjonajn nga PDK-ja pagesat që merr nga Kuvendi janë “brenda kufijve”.

“Duke pas parasysh punën që bënë deputeti, pa këshilltarë, pa asnjë asistent, paga e deputetit nuk i kalon kufijtë”, Hadërgjonaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Unë kam punuar më herët për shoqërinë civile dhe mund të ju them se aty kam pasur rrogën më të madhe sesa si deputet sot”, thotë Arben Gashi nga LDK.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se paga e një deputeti është e madhe në krahasim me situatën sociale që ka Kosova. “Marrë parasysh gjendjen e varfërisë dhe problemeve sociale, besoj se paga e deputetit është e lartë”, tha Isufi.

Ai udhëheq komisionin për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e forcës së sigurisë së Kosovës.

Buxheti i Kuvendit të Kosovës për vitin 2012 ka qenë 8,049,211 euro, prej të cilave për paga dhe kompensime të deputetëve kanë shkuar 3,432,000 euro.

Kështu, rreth 40 për qind e buxhetit të këtij institucioni shpenzohet për pagesa dhe kompensime të deputetëve.

Shpenzime për rrugë marrin edhe deputetët me shtëpi në Prishtinë

Përveç pagës mujore dhe kompensimeve funksionale, deputetët kompensohen edhe për shpenzimet e rrugës që bëjnë për të ardhur deri në vendin e punës, në Parlament.

Janë 75 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët gjatë vitit 2012 janë kompensuar me gjithsej 170 mijë e 560 euro.

Nëse një deputet vozitë deri në 30 kilometra për të ardhur në Parlament kompensohet me 10 euro, deri në 60 kilometra me 20 euro dhe deputetët që vozisin mbi 60 kilometra paguhen me 30 euro.

Mesatarisht këta deputetë marrin rreth 2.300 euro në vit për shpenzime të rrugës.

 
foto: kuvendikosoves.org  

Në listën e siguruar nga gazeta figurojnë edhe deputetë që jetojnë në Prishtinë. (shih listën)

Donika Kada Bujupi nga AAK dhe Blerta Deliu Kodra nga PDK jetojnë në Prishtinë, sipas kësaj liste, por atyre u paguhen shpenzime të rrugës.

E kontaktuar nga gazeta, Bujupi thotë: “Është e vërtetë që kam shtëpi në Prishtinë, por kam shtëpi edhe në Istog”.

“Unë udhëtoj atje sepse e kam bazën e partisë dhe më duhet të jem atje”, thotë Bujupi.

Deputetja Blerta Deliu nuk është lajmëruar në kontaktet e saj të cilat gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Të tjerë përfitues të pagesës në emër të udhëtimit që bëjnë për në punë janë Azem Syla dhe Fadil Demaku nga Drenasi, Elmi Reçica nga Ferizaj, Halit Krasniqi nga Malisheva dhe deputetë të tjera nga PDK-ja.

Sipas kësaj liste, Arben Gashi, Armend Zenelaj, Teuta Sahatiçqija, Vojosa Osmani dhe të deputetë të tjerë nga LDK-ja kanë deklaruar se nuk jetojnë në Prishtinë.

Në Prishtinë nuk jetojnë as Florimn Krasniqi nga Lëvizja Vetvendosje, Ardian Gjini, Burim Ramadani dhe Ramiz Kelemendi nga AAK-ja.

Marrja e të gjitha beneficioneve të deputetëve është e ligjshme dhe përcaktohet me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës.

Por kjo kritikohet nga shoqëria civile.

Organizata jo-qeveritare GAP me seli në Prishtinë kritikon punën e Kuvendit kur janë në pyetje vendimet që merren për pagat e deputetëve duke theksuar mungesën e transparencës.

Drejtori ekzekutiv i organizatës, Agron Demi, përmend rastin e vitit 2008 kur Kuvendi i Kosovës kishte larguar publikun nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa derisa merrej vendim që stafit të kuvendit dhe deputetëve tu jepet një pagë shtesë për shkak të angazhimeve të tyre për ditën e shpalljes së pavarësisë.

Sipas tij, do të ishte zgjidhje shumë e mirë në rast se deputetët vendosin që paga e tyre të ketë lidhshmëri me pagën mesatare në Kosovë.

“Për shembull, paga e një deputeti të jetë tri ose katër herë më e madhe se paga mesatare në Kosovë”, thotë Demi. “Në këtë mënyrë deputetët do ta kishin vërejtur edhe në xhepin e tyre rritjen ose zvogëlimin e të ardhurave të popullatës që e përfaqësojnë”.

Deputetët kërkuan super-beneficione

Më 8 dhjetor 2011, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë disa nene të ligjit me të cilin deputetët e Parlamentit të Kosovës kishin krijuar super-beneficione për veten.

Avokati i Popullit kishte dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e pesë neneve të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Kuvendi i Kosovës, më datën 4 qershor të vitit 2010 kishte miratuar Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve i cili ofronte beneficione gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.

Me këtë ligj, përveç kompensimeve si deputetë, ata i kishin siguruar vetës dhe anëtarëve të familjes pension suplementar (pension plotësues) nëse deputeti e përfundon mandatin në moshën 55 vjeçare – duke rënë kështu në kundërshtim me ligjin për fondin pensional, ku mosha e daljes në pension është 65 vjeç.

Pensioni suplementar i takonte deputetit nëse i shkaktohej lëndim gjatë detyrës zyrtare edhe nëse mosha është nën lartësinë e caktuar.

Po ashtu, në atë kohë, disa deputetë duke parë rrezikun se mund të mos rizgjidheshin në Kuvendin e Kosovës, me këtë ligj e rregulluan pensionin për deputetët me një mandat duke i siguruar vetës një pension prej 50 për qind të pagës së deputetit, ata me dy mandate 60 për qind të pagës së deputetit e ata me tre e më shumë mandate do të merrnin 70 për qind të pagës bazë të deputetit.

Deputetët e miratuan ligjin edhe me një nen që kishte efekt prapaveprues, duke menduar për ish-deputetët nga legjislatura e vitit 2001.

Sipas këtij ligji, për këto beneficione deputetët nuk kishin fare nevojë të kontribuonin në një fond pensional nga pagat e tyre si deputetë.

Ky ligj ishte cilësuar antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, prandaj këto nene nuk ishin përfshirë.