Dokumentet Publike Pak të Qasshme

Javën e kaluar Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë për Kosovën me të cilën nënvizohet nevoja për fillimin e kontakteve direkte me autoritetet kosovare për të zbatuar kërkesat e kësaj organizate gjitheuropiane. 

Kjo rezolutë rithekson një listë të gjatë të kushteve të cilat KE-ja pret që Kosova të plotësojë përapara anëtarësimit. Vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe gazetarëve, ku ndër të tjera kërkohet zbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike. (shih përmbajtjen e rezolutës)

Ligji i ri që u mundëson mediave, organizatave jo qeveritare dhe qytetarëve të kenë qasje në dokumente publike ka hyrë në fuqi në vitin 2010. 

Qysh atëherë ai i ka obliguar institucionet që të caktojnë zyrtarë që do të merren me kërkesat për dokumente zyrtare.

Gazeta Jeta në Kosovë ka hulumtuar nëse institucionet publike kanë caktuar këta zyrtarë dhe numrin e kërkesave të bëra në institucione publike për qasje në dokumente.

Në një listë të siguruar nga gazeta e të përpiluar nga Zyra e Kryeministrit shihet se 19 ministritë i kanë caktuar zyrtarët për trajtimin e kërkesave në dokumente publike. (shih dokumentin)

Por, caktimi i zyrtarëve është bërë një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

“19 ministritë i kanë caktuar zyrtarët për trajtimin e kërkesave në dokumente publike”

Këtë e ka konfirmuar, Albulena Sylaj Zeqiri, zyrtare për komunikim dhe shqyrtim të kërkesave për qasje në dokumente publike në Zyrën e Kryeministrit.

“Zyra e Kryeministrit në muajin gusht të vitit 2011 iu ka adresuar institucioneve publike një shkresë, ku i ka sugjeruar që të bëjnë caktimin e zyrtarit për qasje në dokumente publike”.

Qeveria ka arritur të caktojë këta zyrtarë në muajin tetor të vitit 2011, konfirmon Sylaj.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2011 kishte konstatuar se ligji sapo kishte filluar të zbatohej por nuk mbaheshin të dhëna për kërkesa të cilat vinin më së shumti nga mediat. (shih raportin e progresit 2011) 

Por të dhënat që kanë filluar të evidentohen nga institucionet publike tregojnë interesim të vogël për qasje në dokumente publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur 40 institucione publike të cilat përfshijnë ministri, komuna dhe institucione të pavaruara, se sa kërkesa për qasje në dokumente publike janë bërë.

Në 31 insitucione që i janë përgjigjur gazetës janë bërë gjithsejt 544 kërkesa.

Mesatarisht, bazuar në këto përgjigje, del se secili institucion ka pranuar jo më shumë se 17 kërkesa në vit ose as dy kërkesa në muaj. 

“Secili institucion ka pranuar jo më shumë se 17 kërkesa në vit ose as dy kërkesa në muaj”

Numri mund të konsiderohet i vogël në krahasim më rreth 500 organizata joqeveritare, rreth 120 media të shkruara dhe elektronike të cilat operojnë në Kosovë.

Komuna e Prishtinës është institucioni që gjatë vitit 2012 ka pranuar më së shumti kërkesa për qasje në dokumente publike, gjithsejt 70-të.

Asdren Osaj, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, i tha gazetës se në 65 kërkesa kanë kthyer përgjigje pozitive.

Në nivelin qendror duke përfshirë Presidencën, Kryeministrinë dhe gjashtëmbëdhjetë ministri, janë pranuar 239 kërkesa për qasje në dokumente publike, 21 prej të cilave nuk kanë marrë përgjigje.

Ministria e Punëve të Jashtme, e Integrimeve dhe e Komuniteteve nuk i ka kthyer përgjigje Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ministria e Diasporës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë institucionet publike që kanë pranuar më së paku kërkesa, vetëm nga dy.

Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Mitrovica dhe Skenderaj kanë treguar për gazetën se kanë pranuar 156 kërkesa për qasje në dokumente publike, 22 prej të cilave kanë marrë përgjigje negative.

Zyrtarë  të veçantë për qasje në dokumente publike, sipas ligjit, duhet të kenë edhe institucionet e pavaruara. 

Gazeta ka kuptuar se edhe Zyra e Auditorit të Brendshëm, Agjencia Kundër Korrupsion, Komisioni i Pavarur i Mediave, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, i kanë emruar këta zyrtarë. 

Këto institucione gjatë vitit 2012 bashkarisht kanë pranuar 79 kërkesa për qasje në dokumente publike, pesë prej të cilave kanë marrë përgjigje negative.

“Niveli i interesimit të qytetarëve për të bërë kërkesa për qasje në dokumente publike është shumë i ulët” FOL 

Mungesën e njohurive për mundësinë ligjore në qasjen në dokumente publike e ka konstatuar edhe Lëvizja FOL.

Në dhjëtor 2012, kjo lëvizje ka publikuar raport në të cilin janë përfshirë tetë komuna.

“Niveli i interesimit të qytetarëve për të bërë kërkesa për qasje në dokumente publike është shumë i ulët”, thuhet në raportin e FOL.

Sipas raportit, Komuna e Podujevës rezulton të jetë në nivel më të mirë sa i përket zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike, ndërsa ajo e Pejës është shënuar si komuna me nivel më të keq të zbatimit të dispozitave ligjore.

Kërkesat nuk duhet t’u kthehen palëve

Nëse institucioni publik nuk e posedon information e kërkuar detyrohet që kërkesën t’ia përcjellë organit përgjegjës.

Kështu përcaktohet me pikën 2 të nenit 7 të Ligjit  për Qasje në Dokumente Publike.

Por disa nga institucionet nuk e përfillin këtë kërkesë ligjore, duke iu vështirësuar kështu qytetarëve qasjen në informacione.

Zyra e Auditorit Gjeneral, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Ekonomik, Administratës Publike dhe Komuna e Prishtinës kanë pranuar për gazetën se i kthejnë palët dhe i “orientojnë” në institucione përkatëse për të marrë përgjigje.

Institucionet publike duket të praktikojnë edhe një veprim tjetër i cili nuk përkon me ligjin për qasje në dokumente publike.

Disa prej tyre, si për shembull Agjensioni Kundër Korrupsion, Agjensioni Kadastral i Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë kërkuar nga gazeta që të bëhet kërkesë me shkrim ose të plotësohet një formë e veçantë për qasje në dokumente publike.

Asnjërën nga këto kërkesa nuk parashihet me ligjin për qasje në dokumente publike.

Një ndër organizatat jo qeveritare e cila ka projekt të veçantë për qasje në dokumente publike ka marrë disa herë përgjigje negative.

“Ka raste kur kemi marrë përgjigje negative për arsye të ndryshme, prandaj kemi ushtru padi në Gjykatën Komunale në Prishtinë” thotë Antigona Berisha, hulumtuese në GAP. 

Afati kohor për kthimin e përgjigjeve nga institucionet publike është shtatë ditë, por ky afat mund të zgjatet deri në 15 ditë.

Të drejtë për të bërë kërkesë për qasje në informata publike ka çdo person fizik apo juridik, pa diskriminim, thuhet në ligj.