Sindikalistët i Japin Ultimatum KEDS-it (TV)

Në një konferencë të mbajtur të enjten në zyrat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, FSPE-ja ka kërkuar ndër të tjerash, ngritje të pagave të punëtorëve, hartim të marrëveshjes kolektive, pagesë të orëve shtesë të punës, respektim të pushimit dhe evitim të punësimeve dhe avancimeve në baza familjare dhe partiake.

Kryetari i FSPE-së Fehmi Pajaziti tha se kërkesat e tyre janë të arritshme, sepse në KEK-u ka pasur ngritje të pagave dy herë.

“Na është thënë nga menaxhmenti se ZRRE-ja nuk lejon ngritje. Atëherë shtrohet pyetja: nëse ZRRE-ja mbikëqyr edhe KEDS-in edhe KEK-un, atëherë si ka mundësi që KEK-u të ketë ngritje të pagave dy herë, kurse për punëtorët e distribucionit janë nda në mëshirë të fatit dhe nuk paska mundësi”, tha ai.

Në anën tjetër, Sherif Fejzullahi, anëtar i kryesisë së FSPE-së, tha se ka ardhur koha të bëhet publike se në KEDS punëtorët janë në presion të madh të sigurisë në punë dhe të presioneve të ndryshme siç janë kërcënimi për largim nga puna.

“Nëse themi se ka me punu punëtori jashtë orarit të punës, i thuhet se orët do të paguhen, ato orë një numri të madh nuk i paguhen, por i kthehen se duhet të paguajë me ditë të lira.  Nëse ndahet ndonjë stimulim për punëtorë në arka shembull ku punojnë femrat tona dhe në shërbim të faturimit, ka punë që punohet deri në 12 të natës dhe atyre u premtohen ditë të lira, kurse pagesa shumë rrallë ndodh”, tha ai.
 
Po ashtu, sipas përfaqësuesve të punëtorëve të KEDS-it, u tha se punëtorët e distribucionit punojnë nën rrezik.

Vesel Nikçi tha se punëtorët jo rrallë duhet të bëjnë shkyçje të dhunshme të energjisë pa praninë e Policisë së Kosovës dhe se për ta nuk ka mbrojtje adekuate.

Zyrtarë të KEDS-it thonë se kjo kompani respekton Ligjin e Punës dhe aktet tjera juridike të ndërlidhura me punë.

“Jemi duke komunikuar direkt me udhëheqësit e Sindikatës së Punonjësve të KEDS-it dhe jemi duke diskutuar dhe analizuar forma dhe zgjidhje për të gjitha palët. Dëshirojmë të deklarojmë që KEDS-i është kompani private dhe çështje të tilla të brendshme diskutohen brenda kompanisë, në parim me procedurat e përcaktuara paraprakisht”, tha Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it.